Maqedoni

Qytetarët në Shkup protestë për 22-vjeçaren që u përplas për vdekje

Shkruar nga Liberale

Qytetarët në Shkup protestë për 22-vjeçaren

Viktima e një aksidenti automobilistik në Maqedoninë e Veriut është kthyer në një kauzë për drejtësi dhe për ashpërsim të dënimeve për shkeljet e qarkullimit rrugor me pasoja fatale.

Një protestë-marshim u mbajt të dielën në Shkup, i thirrur nga e motra e 22-vjeçares Frosina Kulakova, e cila më 29 janar u përplas për vdekje me makinë nga një 20-vjeçar i alkoolizuar dhe pa patentë, teksa ajo po kalonte rrugën me semaforin jeshil.

Rruga e protestës nisi nga rruga "Partizanska", vazhdoi drejt godinës së qeverisë dhe përfundoi te kompleksi i gjykatave.

Në vijën e parë të marshimit qytetar ishin familjarët e viktimës dhe të viktimave të tjera të aksidenteve rrugore. Në pankartat e tyre shkruhej "Jemi zëri i Frosinës, paratë e pista – pasoja fatale", "Duam drejtësi për viktimat", "Drejtësia për Teodorën", "Drejtësi për Viktorian" dhe u bënë thirrje kalimtarëve në rrugët e Shkupit që t'u bashkohen atyre.

"Ne si familje e kemi falënderuar publikisht dhe i kemi shprehur qeverisë mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme. Ne nuk po protestojmë kundër qeverisë. Përkundrazi, i kërkojmë që të vazhdojë të na mbështesë si familje, por kërkojmë edhe që të mbështesë nismën 'Kush është tjetri' dhe të dëgjojë kërkesat që do të dalin nga protestat. Të njëjtën gjë kërkojmë jo vetëm nga qeveria, por edhe nga opozita!" theksoi e motra e Frosinës në thirrjen për protestën e sotme.

Protestuesit kërkojnë që ligjvënësit të ndryshojnë ligjet dhe që Parlamenti të kontrollojë në mënyrë aktive zbatimin e tyre. /Alsat

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH