Maqedoni

Partitë maqedonase kundër partive shqiptare për zgjedhjen e presidentit në Kuvend

Shkruar nga Liberale

Partitë maqedonase kundër partive shqiptare për zgjedhjen e

Dy partitë kryesore maqedonase, Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet dhe VMRO DPMNE-ja në opozitë, të premten, më 23 shkurt, janë shprehur kundër kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në pushtet dhe opozitës së bashkuar shqiptare për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Kuvend, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtëpërdrejta.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, të enjten gjatë prezantimit të kandidatit të partisë së tij për president, Bujar Osmani, tha se fushata e BDI-së në zgjedhje do të përqendrohet në kërkesën që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Kuvend, ndërsa përveç presidentit të zgjidhet edhe një zëvendëspresident, që do të ishte shqiptar.

Një kërkesë të tillë, të mërkurën, e prezantoi edhe Arben Taravari, kandidati për president i opozitës shqiptare që përbëhet nga katër parti politike.

Veç kësaj, Taravari kërkoi që me Kushtetutë të përcaktohet që një nga tre postet kryesore në shtet t’i takojë shqiptarëve – presidenti, kryetari i Kuvendit apo kryeministri.

Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, tha se kërkesa e kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, nuk do të pranohet asnjëherë pasi paraqet “suspendim të demokracisë”.

“Çdo tentativë për suspendim të demokracisë është vetëm përpjekje për ta nxjerrë popullin jashtë procesit të vendimmarrjes”, tha ai.

Sipas tij, ideja e promovuar nga Ali Ahmeti dhe Artan Grubi është një ide që ata duan “të sundojnë përgjithmonë”.

“Jam i vetëdijshëm se Ali Ahmeti [kryetar i BDI-së] dhe Artan Grubi [zëvendëskryeministër], të cilët e promovuan këtë ide, do të donin të sundonin përgjithmonë në atë mënyrë që të ketë ndikim serioz partiak në zgjedhjen e Qeverisë dhe të presidentit të vendit dhe kjo është jodemokratike, është përpjekje për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin në Maqedoni [të Veriut]”, deklaroi Nikollovski.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate, njëherësh ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, tha se kërkesa e BDI-së asnjëherë nuk është biseduar as në organet e partisë, e as në takimet me Ahmetin.

Ai ka rikujtuar BDI-së se ndryshimi i Kushtetutës kërkon dy të tretat e votave të deputetëve në Kuvend, duke bërë me dije se një ide e tillë vështirë se do të mund të kalonte.

“Tani jemi në fushatë zgjedhore dhe do mund të dëgjojmë shumë premtime. Dikush do të premtojë disa gjëra të cilat nuk varen vetëm prej tij. Për shembull, ndryshimi i Kushtetutës kërkon dy të tretat e votave… Deri në këtë moment nuk kemi folur sepse nuk është çështje e diskutimit brenda nesh. Qytetarët në zgjedhje do të tregojnë se çfarë duan sikur edhe numri i deputetëve që partitë do të fitojnë në Kuvend”, ka deklaruar Kovaçevski.

Zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut do të mbahen në dy runde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 maj./REL

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH