“Mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën është të mos e japësh”.
Është kjo një thënie lapidare e një prej strategëve më të shquar në histori, Napoleon Bonapartit.
Më 4 tetor 1795 - Napoleon Bonaparti del në skenën franceze si ushtarak, duke përdorur artilerinë për të shpërndarë turmat e armatosura që përpiqeshin të pengonin punimet e Konventës (legjislatura franceze) në Paris - ishte fillimi i fundit të epokës së Revolucionit.
Pas 9 vjetësh, ai do të shpallej Napoleoni I, Perandor i Francës deri më 1814 kur u hoq nga froni, u burgos në Elba, u arratis, u përpoq për t'u kthyer, por humbi në betejën e Vaterlosë më 1815, vdiq në ishullin Shën Helena, i izoluar, i sëmurë ose i helmuar.
Napoleoni ishte perandori i parë francez që nga koha e Karlit të madh (881-887). Dihet se familja Bonaparti e ka prejardhjen nga Korsika - të parët e tij ishin shpërngulur aty nga Toskana e Italisë - si të ardhur nga Morea (Peloponez), vendbanim arbëresh pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeu.
Historiani i njohur francez i shek XIX, Adolf Thieres citohet se kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit, u bë mbret i Napolit në vitin 1806, dhe një grup arbëreshësh shkuan për t'i uruar mirëserdhjen - Bonaparti u tha: Edhe familja ime është me prejardhje arbëreshe.
Marie Josef Louis Adolphe Thiers (1797-1877) - autor i një historie shumë-vëllimëshe franceze, shërbeu për disa mandate si kryeministër i Francës mes viteve 1830 - 1845.
Në historinë e tij, Thiers thotë se kur Napoleon Bonaparti zemërohej, ai shante në një gjuhë të pakuptueshme për ata që e rrethonin. Bonaparti njihet edhe për atë që quhet Kodi i Napoleonit, Kodi civil francez, baza e kodit civil mbarë-evropian - bazuar në Kodin e Justinianit - që lejon lirinë e fesë dhe i pret udhën korrupsionit në sfera të larta.