Gjigantët kinezë të shitjes me pakicë në internet Shein dhe Temu kanë paralajmëruar klientët amerikanë se mallrat e tyre, do të shtrenjtohen nga java e ardhshme, pasi Presidenti Donald Trump vendosi tarifa të larta për mallrat nga Kina.
Në deklarata pothuajse identike, kompanitë rivale thanë se kanë parë rritje të shpenzimeve operative “për shkak të ndryshimeve të fundit në rregullat dhe tarifat e tregtisë globale”, duke shtuar se do të bëjnë “rregullime çmimesh” nga 25 prilli, shkruan BBC.
Faqet e blerjeve kanë fituar dhjetëra miliona klientë në SHBA, të tërhequr nga çmimet e tyre ultra të ulëta.
Popullariteti i tyre ka bërë presion mbi Amazon, duke e shtyrë atë të lançojë një platformë të re të quajtur Haul nëntorin e kaluar, me artikuj për nën 20 dollarë (15,10 £).
Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka vendosur taksa deri në 145% për importet nga Kina. Administrata e tij tha këtë javë se kur tarifat e reja u shtohen atyre ekzistuese, taksat për disa mallra kineze mund të arrijnë në 245%.
Trump gjithashtu i ka dhënë fund një përjashtimi pa doganë për mallrat me vlerë më pak se 800 dollarë, gjë që i ndihmoi Shein dhe Temu të hynin me shpejtësi në tregun amerikan.
Rreth 1.4 miliardë pako hynë në SHBA sipas kësaj marrëveshje vitin e kaluar, nga 140 milionë në vitin 2013, sipas autoriteteve doganore amerikane.
Që kur Trump filloi të vendoste tarifat, Shein dhe Temu kanë parë që renditja e aplikacioneve të tyre të bjerë ndjeshëm.
Temu është tani aplikacioni i 75-të falas më i shkarkuar në Apple Store në SHBA, pasi ka zënë vazhdimisht një nga pesë vendet kryesore në dy vitet e fundit. Shein është në vendin e 58-të, nga numri 15 muajin e kaluar./Përshtati Liberale.al/