Popullariteti i presidentit brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka shënuar rënien më të madhe historike. Edhe pse qeverisja e tij s’ka zbuluar ende asnjë skandal politik, edhe indikatorët ekonomik kanë treguar po gjithashtu të dhëna pozitive, përsëri mbështetja për të nuk ka qenë kurrë kaq e ulët sa ç’është sot, nëse i referohemi një sondazhi të fundit.
Instituti Datafolha, një nga më të njohurit në vend, raporton se vetëm 24 për qind e brazilianëve kanë një opinion pozitiv për presidentin e majtë, duke shënuar një rënie prej 11 për qind në vetëm dy muaj, ndërsa 41 për qind e tyre e konsiderojnë performancën e tij si të “tmerrshme”.
Problematikat e qeverisjes së tij, lidhen shumë me rritjen e kostos së jetesës, një imazh ky i kompromentuar pjesërisht nga mosha dhe problemet fizike të tij, por në perceptimin e kësaj situate, nuk kanë munguar gjithashtu as fushatat e vazhdueshme dezinformuese të së djathtës, edhe pse qeveria e tij është munduar për t’i menaxhuar. Rënia e popullaritetit dhe të dhënat e fundit, tregojnë pamundësinë e tij, për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të 2026.
Sondazhi i Datafolha u krye në më shumë se 2000 të intervistuar dhe në mbi 100 qytete. Edhe pse kampioni nuk është shumë i madh, marzhi i gabimit ngelet vetëm 2 për qind. Presidenti ka humbur mbështetjen në të gjitha shtresat e popullsisë, duke përfshirë edhe ato më të favorshmet për të; gratë, votuesit me të ardhurat më të ulëta dhe tek banorët e verilindjes së Brazilit, që është edhe një nga bastionet politike për Partinë e Punëtorëve të Lulës.
Të dhënat janë mbresëlënëse, pasi Lula ka qenë gjithmonë një president shumë i popullarizuar. Sot, është në mandatin e tij të tretë, pas atyre të viteve 2003 dhe 2011. Lula shënoi momentin e tij më të keq në vitin 2005, në lidhje me skandalin e njohur si “mensalao”, duke shënuar edhe ulje të reputacionit të tij në 28 për qind, por gjithsesi shifrat ishin më të mira se sa sot. Gjithsesi, mandatin e dytë, e përfundoi në kuota shumë të larta pëlqyeshmërie, me afër 87 për qind, pas rritjes së madhe ekonomike, numrit të ulët të njerëzve të varfër dhe nivelit të lartë të reputacionit të vendit, duke përfshirë këtu edhe organizimin e Lojërave Olimpike, të vitit 2016. Sot, sondazhet tregojnë një mbështetje popullore të ngjashme me atë të Jair Bolsonaro në vitin 2021, kjo edhe falë pasojave që kishte lënë fundi i pandemisë Covid-19. Ai fitoi zgjedhjet Presidenciale kundër Bolsonaros më 30 tetor 2022, duke kurorëzuar edhe njëherë rilindjen e tij politike.
Megjithatë, rënia e mbështetjes popullore ndaj tij, lidhet mbi të gjitha me arsyet ekonomike, edhe pse shifrat tregojnë një rritje ekonomike të PBB-së me 3.5 për qind në 2024 dhe papunësisë së ulët me 6.2 për qind, por inflacioni ka qenë më i lartë se sa pritej, duke ndikuar kështu në uljen e fuqisë blerëse. Çmimet e disa ushqimeve si kafja, portokalli dhe vaji i farave janë rritur nga 25 deri në 60 për qind. Çmimet e transportit publik janë rritur gjithashtu, duke ndikuar në buxhetin e grupeve të varfëra.
Ai konsiderohet nga një pjesë e madhe e elektoratit të tij si shumë i dobët dhe më pak aktiv se në të kaluarën. Lula është 79 vjeç, muajt e fundit ka ndërprerë angazhimet e tij publike për një kohë të gjatë, si pasojë e një aksidenti, ku edhe i është nënshtruar dy operacioneve për një hemorragji cerebrale.
Pas publikimit të sondazheve, disa zyrtarë të qeverisë e pranuan se ekziston një problem, por ata kanë besim se Lula do të arrijë të fitojë mbështetjen popullore. Presidenti ka nisur një sërë udhëtimesh brenda vendit për të prezantuar dy nga masat e marra për fuqizimin ekonomik të vendit, siç është ajo me furnizimin falas të disa ilaçeve dhe për përjashtimin nga taksat të të gjithë personave që marrin deri në 5000 realë në muaj.
Jair Bolosonaro, politikani kryesor i krahut të djathtë, aktualisht i është ndaluar të kandidojë për çdo post publik deri në vitin 2030, për shkak të përpjekjes së tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat kulmuan me sulmin e mbështetësve të tij ndaj institucioneve të Brasilias. Ndaj tij janë duke u zhvilluar edhe 14 hetime të tjera, gjë që e bën të vështirë të imagjinohet një kandidaturë e re në vitin 2026 (edhe pse mbështetësit e tij prej kohësh kërkojnë një amnisti totale). Guvernatori i shtetit të São Paulo, Tarcísio de Freitas i republikanëve (qendra e djathtë), konsiderohet si kandidati më i mundshëm i opozitës./Përgatiti Liberale.al/