Papa Françesku emëroi gruan e parë në krye të një zyre të madhe në Vatikan, murgeshën italiane Simona Brambilla, si prefekte të departamentit përgjegjës për të gjitha urdhrat fetare të Kishës Katolike.
Vatikan News shkruan se Brambila, 59 vjeçe, është anëtare e urdhrit fetar misionar Consolata dhe ka shërbyer në departamentin e rendit fetar që nga viti i kaluar. Ajo mori detyrën nga kardinali në pension Joao Braz de Aviz (77).
Emërimi i saj shënon një hap të madh në përpjekjet e Papa Françeskut për t’u dhënë grave më shumë role udhëheqëse në qeverisjen e kishës.
Asnjëherë më parë një grua nuk është emëruar prefekte e një dikasteri ose kongregacioni të Kurisë së Selisë së Shenjtë, organi qendror drejtues i Kishës Katolike. Papa Françesku emëroi gjithashtu kardinalin Robert McElroy nga San Diego si kryepeshkop të Uashingtonit.
Motra Simona Brambilla ka një sfond që përfshin përvojën misionare në Mozambik. Ajo ishte një infermiere profesioniste përpara se t'i bashkohej Institutit të Motrave Misionare Consolata, të cilin e drejtoi nga viti 2011 deri në 2023.