Qeveria izraelite ka urdhëruar delegacionin negociues që të vazhdojë bisedimet për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe për arritjen e marrëveshjes për shkëmbimin e pengjeve.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, kabineti i luftës ka mbajtur dje një mbledhje që ka zgjatur rreth pesë orë.
Në takim, kabineti i luftës urdhëroi ekipin negociues që të vazhdojë negociatat për sigurimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe rikthimin e pengjeve izraelite.
Vendimi, detajet e të cilit nuk u zbuluan dhe për të cilin thuhet se u mor me konsensusin e anëtarëve të kabinetit, përfshin udhëzime për dakordim me Hamasin për pikat e mosmarrëveshjes dhe këmbënguljen e Izraelit për shumë çështje.
Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh më 6 maj njoftoi Katarin dhe Egjiptin se ka miratuar propozimet e tyre për armëpushim në Rripin e Gazës.
Pasi Hamasi njoftoi se ka miratuar “propozimet për armëpushim” të dërguara nga Katari dhe Egjipti, Kabineti izraelit i Luftës vendosi të vazhdojë sulmet në Rafah.
Ushtria izraelite në një deklaratë më 6 maj kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të Rafahut, ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur me forcë ndërsa mëngjesin e 7 majit ushtria izraelite filloi ofensivë tokësore në Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka marrë nën kontroll pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.