Globi

Anulohen 3 koncertet e Taylor Swift në Vjenë, dy të arrestuar nën dyshim për terrorizëm

Shkruar nga Liberale

Anulohen 3 koncertet e Taylor Swift në Vjenë, dy të arrestuar

Tre koncerte të yllit të pop-it, Taylor Swift në Vjenë janë anuluar, pas dyshimeve për sulme terroriste.

Përpara se shfaqjet të anuloheshin, Ruf tha se siguria në koncerte do të rritej. Shfaqjet pritej të tërhiqnin 65,000 fansa në ditë, me një shtesë prej 10,000 deri në 15,000 fansa jashtë zonës, tha policia.

Vendimi për të hequr shfaqjet e ikonës së popit amerikan këtë të enjte, të premte dhe të shtunën e ardhshme u njoftua nga ”Barracuda Music” në një mesazh në Instagram.

”Me konfirmimin nga zyrtarët e qeverisë për një sulm të planifikuar terrorist në stadiumin ‘Ernst Happel’, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të anulojmë tre shfaqjet e planifikuara për sigurinë e të gjithëve”, shkroi ”Barracuda Music”.

Disa orë më parë forcat austriake të ligjit njoftuan se dy persona ishin arrestuar me dyshimin se po planifikonin sulme në zonën e Vjenës, duke përfshirë edhe shfaqjet e Swift.

Franz Ruf, drejtor i përgjithshëm për sigurinë publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, tha se substanca kimike iu sekuestruan një 19-vjeçari austriak.

Policia, e shqetësuar për eksplozivët e mundshëm, kishte evakuuar paraprakisht shtëpitë dhe një pjesë të një shtëpie pleqsh.

”I riu ishte radikalizuar në internet dhe thuhet se u zotua për besnikëri ndaj udhëheqjes së organizatës terroriste Shteti Islamik disa javë më parë”, tha Ruf.

Ruf tha se policia kishte “konstatuar” se 19-vjeçari kishte përqendruar vëmendjen e tij në shfaqjet Swift.

Sipas policisë, ai u arrestua mëngjesin e së mërkurës në qytetin Ternitz, 75 kilometra në jugperëndim të Vjenës.

Një person i dytë është arrestuar pasdite në Vjenë.

Policia nuk dha detaje të tjera, duke përfshirë marrëdhënien mes të dyve apo nëse ata ishin në kërkim të bashkëpunëtorëve.

Kancelari austriak Karl Nehammer e quajti anulimin e koncerteve një “zhgënjim të hidhur” për fansat, megjithëse ai shtoi se “situata rreth sulmit të dukshëm të planifikuar terrorist në Vjenë ishte shumë serioze”.

”Falë bashkëpunimit intensiv midis policisë sonë dhe DSN-së së sapokrijuar [Drejtoria e Sigurimit të Shtetit dhe Inteligjencës] me shërbimet e huaja, kërcënimi u njoh herët, u luftua dhe u parandalua një tragjedi”, tha Nehammer në platformën e mediave sociale X.

“Ne jetojmë në një kohë kur përdoren metoda të dhunshme për të sulmuar mënyrën tonë perëndimore të jetesës”, tha Nehammer.

“Terrorizmi islamik kërcënon sigurinë dhe lirinë e shumë vendeve perëndimore. Kjo është arsyeja pse ne nuk do të heqim dorë nga vlerat tona të lirisë dhe demokracisë, por do t’i mbrojmë ato edhe më me forcë”, theksoi ai.

Zëvendëskancelari austriak Werner Kogler shkroi në X se “terroristët duan të na trembin dhe të na ndajnë. Ne nuk do të lejojmë që mënyra jonë e jetesës të shkatërrohet”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH