Aktualitet

Biçikleta kontrapedal

Shkruar nga Liberale

Vladimir Myrtezai

Stan Hakrama sapo kish zbritur nga makina e tij dhe i ngarkuar me trasta përplot po zhvendosej për në banesën e tij të vjetër; donte t’u bënte një surprizë familjarëve, pasi në bagazhe kishte marrë dhuratë disa produkte ushqimore, krejt sefte, fare natyrale, që tanimë është një gjë e rrallë po të kemi parasysh lukuninë e produkteve të manipuluara që kanë zaptuar tregun. Ishte një gëzim që e lumturonte, se i ishte mbushur rradakja që në fytyrën e tokës nuk ka më gjëra origjinale dhe të mbrojtura prej mendjes manipuluese të njeriut .

Një trishtim i madh i ngulitur nga një rrëpirë gjërash të përmbysura e pa kthim, sa herë që mendonte se si është katandisur tregu gjithandej. Është një nga ato frikëra që e kushtëzojnë njeriun dhe e fusin në paranojë, për nga mosbesimi te një shoqëri agresive dhe e mbarsur cit me konsumizëm pa fre, ose siç i thonë, pa din e pa iman. Një marramendje ku mund të fantazosh mbi përmbajtjen e frikshme, që mund të kalosh në trup: forma materiesh e gjallesash nga kushedi se ku e çfarë origjine, dhe nga një hartë e madhe udhëtimi e shpërndarjeje e gjësë së pakontrolluar. Por, për Stan Hakramën dita më ditë kjo paranojë po shtohej edhe më shumë dhe po e sundonte në ditët dhe javët që po kalonin, në një ngushtim të dukshëm të oreksit si një armiqësi e re dhe e panjohur thellë, që hap pas hapi ngrihej tutjetëhu një raporti lufte dhe kujdesi, për të mos u nënshtruar lehtësisht përballë kësaj urie masive.

Ngjiti shkallët e pallatit dhe u gjend në prag të derës me një shkëlqim jo të zakonshëm në sy. U fut në brendësi në korridorin e errët dhe lëshoi trastat dhe bagazhet e rrugës, dhe bëri të futej në kuzhinën e përbashkët, përshtatur në funksion edhe me dhomën ku rrihej. Hodhi xhaketën në një kokë kolltuku dhe u plandos në një ndenjëse, krejt i lëshuar dhe i çliruar. Iu duk se nuk ndjeu njeri në shtëpi, veç gjyshit të fëmijëve që ormiste diçka në lavamanin e enëve, duke i kaluar një dorë uji të ngrohtë për t’i larë e vendosur në vendin e tyre. Po i pëlqente gjithnjë e më shumë kjo hapësirë e boshatisur, që i jepte ndjesinë e një boshi, ku njerëzit sapo janë larguar, por ama ndihej ende era e shenjave dhe e boshllëkut që kish fituar jehonën e mungesës në një formë që atij i shijonte pa masë. Hodhi dorën mbi pultin komandues të televizorit dhe bëri një kalim të shpejtë të të gjitha kanaleve, ashtu si pa kuptim, pa ditur fare se ku mund të ndalonte. Hoqi dorën nga kjo lëvizje dhe u preh si pa kuptim, duke u kotur në një përqendrim pa shkak, qoftë edhe për t’u çlodhur.

Kishte kaluar një ditë të ngarkuar e me vëmendjen e duhur që të ishte sa më tërheqës ndaj një blerësi, mik i tij tashmë, që kërkonte gjëra të natyrës që ai krijonte. Kishte fituar besimin e tij dhe si në çdo flirt të ndërtuar midis atij që blen dhe atij që reklamon ishte pozicionuar kënaqshëm, si një figurë që e mbushte fantazinë e blerësit, që përpara tij kish një mashtab të lakmueshëm me rëndësi.

Stan Hakrama po vuante një lloj ecurie në (countdoën) numërim mbrapsht përgjatë gjithë asaj historie, që ai kishte ndërtuar e mbështetur në një mënyrë të verbër, si refuzim i çdo gjëje që ishte strukturuar në të kaluarën si mohim i rinisë së tij, tejkaluar nga apatitë dhe mërzia e një sistemi të mbyllur, si gjëja më e përsëritur e monotone në botë. Por, sa vinte e më shumë hasej me kurthe të së shkuarës, në shprehi dhe rikthime te gjërat që i kishte urryer e hedhur mënjanë në një fazë pjekjeje, si të dala boje. Por, me kohë sa më shumë zhdukeshin këto gjëra, aq më shumë po përjetonte një mall për to; një mall i fshehtë e i padeklaruar, që së shpeshti e detyron t’i jepet një monologu të heshtur, duke i risjellë në kandarin e vlerës, si gjëra të dobishme e pa shumë efekte në dukje në favor të oreksit të shtangur e të mekur në raport me përdaljen e tyre. Qe si një çrregullim i nëndheshëm që pengonte entuziazmin çlirues.

E urrente atë lloj regjimi që kish kaluar, por, në fakt, urrente edhe kohën e tashme, pikërisht përditshmërinë, për disa shkaqe që lidhen me një sjellje jo të mirë e pa dashuri të njerëzisë ndaj natyrës. I vinte keq që natyra dhe gjërat që rrjedhin prej saj si dhuratë keqtrajtohej nga vetë njerëzit, nën një arsyetim dritëshkurtër, të pashoq.

Po humbnin shenja të shumta dhe hapësirën natyrale me një shpejtësi befasuese, dhe kjo nga zelli i atyre që kishin humbur çdo ndjeshmëri. I parakalonte shpesh në mendje qyteti i lindjes, i boshatisur, me një ritëm të rralluar nga automjetet, me pushtimin e përditshëm të njerëzve që niseshin për punë me biçikletat e tyre, si mjeti më mbizotërues në qytet, dhe i vetmi në llojin e tij të dalluar. Daljet e tij me shokë, të grupuar në hyrjen e qytetit, ku prisnin si me ritual daljen e të njohurave të tyre nga turnet, qe një argëtim që s’kishte të paguar.

Në atë kohë, ai kishte një biçikletë kineze të madhe, me hekur në mes, ku herazi vendoste një shalë të sheshtë, të cilën e sajonte për çdo rast transporti apo xhiroje qejfi. Distanca nga mjete të tilla e bënte Stan Hakramën melankolik, dhe nga njeriu përjashtues për shumë gjëra, kishte filluar të mvarej nga shenja të së kaluarës, në një hakmarrje të fshehtë që natyra dhe vetë objektet po ia rikthenin në forma të heshtura, duke i kapërcyer në mendje si alternativë ngasëse dhe e lehtë nga trysnitë e modernizimit të shpejtë që po kaplonin mendjet e njerëzve me një shpejtësi të pabesueshme. Objekti i tij i hershëm e shumë i dashur, biçikleta, në kohët e kaluara kishte qenë si një mjet i domosdoshëm, dhe si i tillë i qe bashkëngjitur në një mënyrë aq të puthitur, saqë nuk mund të kuptohej njeri pa të. I vetmi mjet që ndryshonte formë e markë sa herë ndryshonin marrëdhëniet mes vendeve më të mëdha në raport me vendin e tij të vogël.

Në lidhjet e hershme i kujtoheshin biçikletat Bianchi, që më vonë u zëvendësuan nga të tjera marka lindore, si Mifa, e më pas kinezet, që e sunduan edhe më gjatë memorien e tij; sepse, domosdo, miqësia e madhe me popullin kinez bënte të vetën. Për hir të së vërtetës, këto biçikleta për përdorim masiv rezistuan gjatë, qoftë edhe për shkak të riparimit të thjeshtë të tyre, gjë që ia kishin marrë dorën fare mirë. Ato ngjanin si kuaj të kohës, që transportonin njerëz e sendurina, por edhe copëza lumturish të fshehta, që në atë qytet ishin refrene të pakuptueshme nëpër qoshe pallatesh, ku të lumturit lajmëroheshin mes tyre.

Daljet masive të orëve të mëngjesit, për shkaqe marrëdhëniesh po të kësaj natyre, kishin në vetvete një lloj gazmimi, që Stan Hakramës, sido që pak skematike, e përndiznin disi, si të gjitha përzierjet njerëzore që zhvendoseshin në hapësirë të grupuara e plot shenja të lumtura ndjellëse. Po ashtu, të dielave, të gjithë dilnin maje tyre përgjatë bregut të lumit nga një krah dhe liqenit në krahun tjetër. Të gjitha orvatjet që i shkaktonte rruga me të gjitha format që e gëzonin njeriun, duke i parë nga larg, i dukeshin një mrekulli, që qëndronte e tillë falë arrative me biçikletë.

Vendqëndrimet në qendrat e grumbullimit, ku radha e tyre ishte marramendëse dhe lidhjet me çelësa ngjanin sikur kishin mbërthyer një kafshë të stërmadhe.

Stan Hakramës këto i vinin gjarpërueshëm në mendje. Ai ishte një nga protagonistët e thekur të ndryshimeve në vend. Qëndronte me orë të tëra në shtëpi ballë televizorit dhe ndjente erën e një rrokopuje, që nuk ndalonte në marrëdhëniet që ndërtonte me njerëzit, me sjelljen ndaj natyrës dhe me një formë impresionuese të shndërrimit të njerëzve, nga çfarë ishin dhe se si në pak kohë mund të mos ishin po ata në një mënyrë krejt të pabesueshme. Një shndërrim i tillë, si me buton, i bënte krejt të denatyruar nga statusi i tyre i mëparshëm. Me pak fjalë, kishte diç që nuk shkonte, ose ishte logjika e kohës që duhej përvetësuar në koncept, ose me shpejtësi të paparë, ku mund ta gjeje veten ne rreshtin e të demoduarve përjashta listës. Një kllapi e çuditshme që afrohej si metamorfozë, që shkaktohej nga lëvizja gravituese, krejt e tëhuajtur, në emër të asgjësë.

Iu kujtua sërish vendlindja e disa viteve më parë, që shpejtësia e lëvizjes e kishte bërë këtë vendtakim të largët të tij, si një nga stacionimet më të dashura e ngushëlluese, si i vetmi takim që e çlodhte e i jepte përmasën e vërtetë identitare.

Iu kujtuan vajtje-ardhjet te liqeni, me një shok të tij muzikant; një mik që i kishte mbetur në kujtesë i pandryshuar, me një staturë gati të palëvizur në kohë. Shkonin për t’u larë në pjesën perëndimore të qytetit, në një sërishtje simetrike në kohë, dhe nuk i shqitej nga mendja se si mund të lumturoheshin nga ato ikje nga qyteti me bukën, djathin e domatet e mbështjella me gazetë; një detaj që, sa herë shtrohej ky ushqim në gazetat e sajuara si sofrabez, vetëtimthi i shkonte mendja pikërisht tek ajo lumturi e thjeshtë dhe krejt e varfër, si ëndërrim i rrallë e me shumë domethënie.

Plot gjëra kishin ndryshuar, por dhe shumë shpejt në jetët e tyre kishin hyrë forma e module sjelljesh nga më të çuditshmet, që dukej sikur nuk kishin mundësinë të përtypeshin, as si përmbajtje, as si cilësia e një gjëje që duhej perceptuar drejt – si formë e ngutur e një mësimi të shpejtë që do përkthente situata nga më të shpejtuarat të eksperimentit njerëzor. Një tollovi anarkiste dhe e veçuar, që mund të të radhiste në fund të thesit, duke mbajtur peshën e një loje të kthyer në një problem të pamundur tashmë.

Stan Hakrama gjendej shpesh në udhëkryqe absurdi, që nga gjërat më të thjeshta e deri tek ato që nuk se kishte mundësi t’u hynte në brendësi me mendjen e tij të paqtë. E gjithë përmbysja e tij si një udhëtim kundërrymë vinte pikërisht nga ndjeshmëria për gjërat natyrale dhe nga një mungesë akordi për gjëra që e pengonin t’i gëlltiste symbyllur. Raporti i thjeshtë me natyrën e virgjër ishte kulti i tij.

Miku i tij, një pasunar rreth të pesëdhjetave, kishte bërë çmos për ta tërhequr atë mesditë drejt një shtëpie në fshat, larg qytetit, ne një rrethinë krejt kufitare të atij vendi me një sërë valëzimi kodrinor, krejtësisht i paprekur. Miku i tij qe një mesoburrë, që kish pasur sukses në punë duke shfrytëzuar resurset e gjithë zonës ku kishte lindur, nëpërmjet një tregtie me nënprodukte natyrore, naftë dhe gaz, që e kishte menaxhuar me një kujdes të jashtëzakonshëm në interesa të integruara sa vendëse e sa të huaja. Për Stan Hakramën, një gjë ishte disi jashtë përfytyrimit, pasi si njeri sqimatar ishte mjaftuar që të mos zhyhej në kësi marrëdhëniesh, dhe rrinte në zgrip të interesave të tyre, për t’iu afruar si dikush që kishte një shije të veçantë dhe një bagazh kulturor për t’u pasur zili.

Arritën në fundin e disa fshatrave gjysmëkodrinore, diku në kufi të një rruge, që mbyllej si pa krye. Pozicioni i vilës së mikut të tij ishte një e papritur goditëse, për arsyen e thjeshtë se ishte bash ëndërrimi që ai kish fshehur brenda vetes, me njolla e shenja nostalgjie, dhe për këtë shkak të thjeshtë u mahnit pa masë në formën më të pabesueshme se do mund të ekzistonte diku në vendin e tij një gjë e shfrytëzuar krejt sipas udhëtimit të fshehtë të ndërgjegjes së tij. Një kodrinë në lartësinë e treqind metrave mbi nivelin e detit, e mbushur krejtësisht me kurora pemësh, ullinj e gjithfarë frutash dhe agrumesh, si një organizëm i pabesueshëm. I dukej sikur ishte kthyer në të ritë e tij me të gjitha mundësitë që të fal natyra në formën më të egër të saj.

Stan Hakrama filloi të ndjente lidhjen mes asaj që fantazonte dhe asaj se çfarë shtrihej nën këmbët e tij, e prekshme, spektakolare; një dimension i fshehur e i përsëritur si një imagjinatë e bërë zhgjëndërr fare papritur. Disa ndërhyrje që kishte bërë i zoti shtëpisë ishin të një gjuhe lakonike, si nevoja jetësore të pranueshme e mjaft afër njeriut. Një përputhje e munguar që e çliroi tërësisht nga tempi i lartë i iluzioneve. Qe një realitet magjik që iu shpërfaq afër, si një mikrobotë e endur e gjitha me dorë.

U zdërhall e u marrakot nëpër këtë kodrinë dhe për një çast, në një tjetër pohim të pashprehur, u bind që jetojnë qenie të të njëjtit lloj që e mendojnë jetën si në gjendjen e parë, që kishin ditur t’i afroheshin natyrës me dhele e dashuri. U shkund nga një lloj makthi që, për një moment, më shumë se realitet i përditshëm, ishte një formë e refuzuar së brendshmi, që ngrihej si kundërshti. Ishte në kufi të asaj që e marrim me mend dhe atij kufiri që e bënte të panevojshëm këtë lloj arsyeje, e cila iu duk si mbivendosje me kast e të qenit kundër. Nuk donte të dorëzohej, por gjithsesi u ngushëllua që ende mbi tokë kishte stacione të mjaftueshme lumturie, që të jepnin kurajën e duhur se jetohej në përputhje me natyrën.

Stan Hakrama po kalonte një prej momenteve të magjisë dhe sugjestionit, kur realiteti të përsillej si melodi përmbushëse, për të të rikthyer me këmbë në tokë me idenë e kthjellët se faktori njeri ishte dominancë në një ndryshim të mundshëm.

U ngrit nga vendndodhja e tij dhe i hodhi sytë jashtë apartamentit, dhe si për keqardhje, kuptoi se jetonte në një qoshk të palumtur që e kish bllokuar gjithë qenien e tij, dhe i jepte sinjale të përsëritura në trajtë vegimesh, që po i ngjanin me shenjat e rinisë; herë si ting-tang e herë si fishkëllima lajmëruese se duhej të zbriste për t’u takuar me njerëz të hershëm, për të shkuar buzë bregut të lumit në një prehje të munguar me personazhe që nuk jetonin më.

Ra zilja dhe në shtëpi hyri e shoqja dhe fëmijët. U bëri me shenjë nga torbat dhe pëshpëriti sikur kish zbuluar vendin e levës së Arkimedit: – Merrini, – u tha – krejt bio.

Bëri shenjë nga vendi ku ishin vendosur torbat me një ngazëllim që me patjetër donte ta bënte të rëndësishëm për llojin e njerëzve më të dashur, që shpesh i dukeshin si somnambul në një fushë të minuar të krimit, që e shkaktonin vetë njerëzit me një gjakftohtësi vrastare. U thellua edhe më në ndenjësen ku ish zhytur dhe qëndroi për pak i feksur nën inercinë e përjetimit, sikur po tregonte paralelin e nëndheshëm që e shoqëronte dita më ditë në një frustrim të zgjatur e mbytës.

U ndje i zhbllokuar për një gjë që duhej rrëfyer çlirët tani e mbrapa, pa peshën e dubluar të të vërtetave që i trokisnin në ndërgjegje.

Ishte një fund-ditë e rrallë nga ato me disk të kuq diellor.Një nga ato mbaresa që ja realizonin të qenurit në jetë me një dritë mbështjellëse nga ato përfshirëset me një ndriçim të vagur e melankolik.U ndje mirë si në një shplodhje pas një maratone krejt i lëshuar dhe i zdërhallur.Jetonte për këto momente ku jeta ushqehej cilësisht e me pak gjë,si një lumturi e zgjedhur nga ato lloj vegimesh ku në sfond ndjen kokat e pjesëshme të bimëve në kopësht pas një dritareje.Një gjë mahnitëse dhe dehëse njëkohësisht.Nuk lëvizi në pozicion gjysmë të shtrirë .I gjithi si një pikpyetje  e hedhur rastësisht në morinë e gjërave rrethuar.U ndje i lirë e i realizuar. E çfarë kërkonte njeriu më shumë.?Një litar që nuk i shqitej si histori e jetës së tij të përditëshme ,me gjëra të zakonta objekte të dashura dhe në një çlirim triumfues për njerëz të ngjashëm por ende me frikën e një bote që uturinte nga egoja e lartë e saj në një agresion të çfrenuar për të dominuar gjithkund me çdo mjet e mënyrë si një gjë që të tremb e të merr frymën. Ndjeu nga afër që dikush e shtynte nga poshtë . Ishte qeni i tij Roi si e vetmja besnikëri e gjatë që i kish ndodhur në jetë. Dhe si një dashuri e pafund që kërkonte tash e parë përkëdheljet e tij pa e kuptuar se i zoti i tij po kalonte një gjëndje transi pikërisht si dashuria e tij e pakusht por ngulmuese për tu përkëdhelur.

-: O perëndi tha me vehte . Të gjithë vuajnë për pak dashuri dhe vemendje pa kusht ja si Roi qeni i tij që hidhej në ajër për të marrë vemendjen e tij tashmë të kotur larg tij.

E mori në prehër dhe filloi ta kruajë pa shumë vëmendje me djesinë që po përkëdhelte një gjë që e donte marrëzisht e varej e ksehasej nga ajo lumturi e pa adresuar si asgjë tjetër.

Ishin momente deliri e inercie të cilat e mbanin në një ajër të padukshëm lidhjeje të herëshme tashmë e krejt  e pazëvendësueshme./Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH