Aktualitet

Basha kujton eksodin masiv të '90-s: Sot shqiptarët ikin sepse në atdhe vidhen

Shkruar nga Liberale
Basha kujton eksodin masiv të '90-s: Sot shqiptarët ikin sepse

Ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot ngjarjen e 2 korrikut 1990 që shënon eksodin masiv të shqiptarëve.

“Më 2 Korrik 1990, duke u futur nëpër ambasadat perëndimore, shqiptarët rrëzuan murin e parë të diktaturës, në një sfidë vendimtare ndaj regjimit komunist, që atë verë do të niste fillimin e fundit të tij. Një akt guximi qytetar, që do të kristalizohej pak muaj më vonë me Lëvizjen Studentore, e cila çeli rrugën e demokracisë për aq gjatë të mohuar dhe afroi përsëri Shqipërinë me Perëndimin”, shkruan Basha.

Në postimin në “Facebook”, Basha thekson se “fatkeqësisht, 32 vite më vonë, shqiptarët po ikin sërish masivisht në kërkim të mundësive, të një jete më të mire për veten dhe familjet e tyre”.

“Atëbotë, sytë e çdo shqiptari ishin drejt vendeve të lira, me shpresën e një jete më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre, ashtu siç fatkeqësisht janë ende sot, sepse sfida për ta e ka ngritur Shqipërinë në lartësinë e aspiratës për ta bërë si gjithë Europa, e cila mbetet ende e papërmbushur. Fatkeqësisht, 32 vite më vonë, shqiptarët po ikin sërish masivisht në kërkim të mundësive, të një jete më të mire për veten dhe familjet e tyre”, vijon më tej postimi i Bashës.

Ndërkohë që thekson se, në 8 vitet e fundit, më shumë se gjysmë milioni shqiptarë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë rrugën e kurbetit.

“Ata detyrohen të ikin, sepse në atdheun e tyre ata vidhen, ata nëpërkëmben, ata s’kanë asnjë mundësi për të jetuar të tashmen dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Ndaj, përkujtimi i kësaj ngjarjeje historike, që pati forcën për ta përkulur regjimin komunist, shërben si një moment reflektimi, për t’u përballur me të shkuarën që rrezikon të përsëritet, sidomos përballë plagës së largimit të qindra-mijëra bashkëqytetarëve tanë, që tashmë nuk ikin prej diktaturës enveriste, por nga diktatura e korrupsionit, e cila nën qeverisjen e Edi Ramës ka marrë përmasat e një rreziku kombëtar”, përfundon Basha. /Liberale.al

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH