Aktualitet

‘Autopsia’ morale e një shoqërie

Shkruar nga Liberale

Titulli: ANTROPOLOGJI NË MAPO

Autor: ALBERT P. NIKOLLA

Lluka Qafoku

Ёshtë nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që po më jepet rasti të shkruaj për një përmbledhje analizash e studimesh të Albert Nikollës, i cili njihet mjaft mirë e gjerësisht, por mendoj ende jo sa duhet thellësisht, nga opinioni publik mbarëshqiptar. Kjo sepse z. Nikolla përbën një rast të veçantë, megjithëse lumturisht jo fare të vetmuar, të atyre të rinjve të cilëve liria e fituar pas vitit ‘90 u dha mundësinë që të hidhnin pas shpine vuajtjet e persekutimit dhe të izolimit e të arsimoheshin shpejt, por cilësisht, të integroheshin sërish shpejt, por plotësisht, përtej Adriatikut, siç është rasti i z. Nikolla, apo edhe përtej Atlantikut, në raste të ngjashme, dhe jo vetëm të mos harronin, qoftë për shkak të integrimit të suksesshëm apo edhe të vuajtjeve të paharrueshme, Atdheun dhe trashëgiminë, por përkundrazi, ta shfrytëzonin çdo arritje për një përkushtim të ri e me devotshmëri të shtuar ndaj tij.

Ky libër vjen pasi autori ka shumë kohë që kontribuon në vijimësi në media të ndryshme shqiptare, megjithëse nuk u është shmangur fare, madje i ka tejkaluar gjithmonë detyrimet e tij akademike dhe administrative, brenda dhe jashtë atdheut. Vepra e tij jo shumë voluminoze, por madhore nga pikëpamja e sfidës akademike dhe politike të përballuar, si dhe nga volumi i punës dokumentare dhe i seriozitetit shkencor me synim shterues, “Njeriu i ri shqiptar” Onufri 2012, botuar paraprakisht italisht në 2011 nga Bonnano, i ka dhënë atij një vend pionier në studimet antropologjike të mirëbazuara në këtë fushë. Me një kundërvënie të shkathët dhe të mirinformuar idesh bashkëkohore kritikon në mjaft raste me sukses idetë dhe madje arrin edhe të çarmatosë pushtetin djallëzor shumëvjeçar shpirtëror të propagandës voluminoze enveriste në mjedisin intelektual të shkencave sociale shqiptare.

Duhet të nënvizoj këtu, për ta bërë plotësisht të kuptueshme dhe të justifikuar veprimtarinë e angazhuar të autorit në media në diapazon të gjerë tematikash, edhe përvojën e tij krejt të veçantë në angazhimin për ringritjen e emancipimit katolik kulturor shqiptar dhe lidhjen me atë bashkëkohor europian, si Drejtor i Caritas Shqiptar për një kohë të gjatë, si dhe veprimtarinë e tij frutdhënëse dhe drejtuese për mbështetjen e diasporës shkencore shqiptare në kuadrin e Institutit Alb-shkenca, organizatë kjo aktive online dhe në terren prej më se 15 vjetësh. Këto përvoja, bashkë me ato pedagogjike të arsimit të lartë si brenda Atdheut, ashtu dhe në universitetet prestigjioze italiane të Firences e Perugias, i kanë shërbyer autorit, pas një arsimimi solid doktoral, që të ketë kompetencën e duhur dhe qëndrime të formuara, të cilat janë prerogative për detyrën qytetarizuese që ai ka ndërmarrë dhe ka kryer me fisnikëri në media, të cilën e ka sistemuar në këtë vëllim sugjestiv.

Vëllimi, i ndarë në tri pjesë të dallueshme mirë sipas tematikës, pra në publicistikë politike, sociale dhe fetare, rrok një hapësirë të gjerë të personaliteteve, tendencave politike e sociale, vendimmarrjeve të ndryshme politike të analizuara në kontekst europian me një prirje konservatore katolike tepër racionale dhe të shëndetshme, që mungon në mjedisin tonë mediatik dhe intelektual, ku ruhet ende, për fat të keq, idolatria false e “profesionalizmit” të aparatçikëve enveristë dhe ramizistë, edhe kur janë metamorfozuar në “liberalë” filoeuropianë etj. (më kujtohet për degjenerimimin e pakufishëm moral dhe shoqëror të këtyre të fundit, analiza brilante e veprimtarit të madh rus për të drejtat njerëzore dhe eseistit Salltikov-Shçedrin, ku ai përshkruan transformimet “spektrale” partiake të pseudopolitikanëve e pseudointelektualëve rusë të shek XIX duke imituar në mënyrë dështake e qesharake Perëndimin). Në qëndrimet e tij të spikatura nga një etikë e krishterë katolike e përpunuar, e jetuar dhe e shëndoshë, polemizuese dhe kritike, autori kapet atje ku regjimi i mëparshëm bazohej dhe maskohej “me largpamësi” për mbijetesë të mëtejshme në kushtet e reja të demokracisë, d.m.th. te pinjollët e familjeve të traditës shqiptare, por ama të ”pengmarrë” prej regjimit prej kohësh.

Një analizë të guximshme dhe të mirinformuar i kushton autori frymës antitribale dhe modernizuese që sjell artisti Edi Rama në politikën shqiptare. Vlera më e madhe e kësaj ndërhyrjeje qëndron dhe në faktin se autori e njeh mirë mjedisin tribal për shkak të studimeve antropologjike. Dhe kjo duke sfiduar me kurajë civile e me qartësi racionale kontestimet, që në disa raste tingëllojnë të bazuara. Edhe analiza e lidhjeve me të ardhmen dhe me gjendjen e popullit për partitë politike aktuale ka vlera që shkojnë përtej reagimit të kontekstit konkret dhe duhen pasur parasysh edhe për zhvillimet politike më afatgjata.

Përfshirja në vëllim e një artikulli me titull provokues “Enver Hoxha citon më shumë R. Alinë sesa Marksin” sqaron me një dokumentacion të mjaftueshëm, si për opinionin politik dhe për atë publik, rolin dhe përgjegjësinë e R. Alisë dhe evidenton bindshëm prirjen e tij për të ngarkuar vetëm E.H. për krimet e komunizmit. Sqarimi i dokumentuar i rolit dhe përgjegjësisë së Alisë për politikën shqiptare të viteve 1981-1990 është vlerë morale dhe juridike e shkrimit, që mbetet i dobishëm kur tregon rrugën për daljen nga tranzicioni nëpërmjet reformës së drejtësisë, në të cilën është i paevitueshëm qëndrimi ndaj të kaluarës që themeloi strukturat politiko ekonomike të tranzicionit.

Polemika për pikëpamje të ndryshme me analistin politik A. Zheji gjithashtu është mjaft instruktive, e freskët dhe bindëse. Qëndrimet e shëndosha e të mirëbazuara antropologjikisht të autorit japin këndvështrime tepër interesante dhe formuese, pavarësisht se shpesh mjaft të kontestueshme, për qëndrimet politike në Kosovë.

Reflektime mjaft interesante e me kulturë të spikatur historike e antropologjike bën autori për Revolucionin e Tetorit në 100-vjetorin e tij. Këto reflektime i përcjellin opinionit publik shqiptar tepër të ndarë në këtë drejtim, një pikëpamje të paanshme qytetare europiane në një formë plotësisht të asimilueshme nga kultura lokale.

Sarkazma dhe grotesku që autori përdor për karakterizimin e gjendjes së një pjese të rëndësishme të medias shqiptare arrin deri në forcën gogoliane, duke u frymëzuar nga Majakovski që ka punuar në atë kontekst. Për fat të keq artikulli mbetet akoma realist, se këto tipare persistojnë, ndoshta edhe për arsye të interesave okulte e të faktorëve tepër të fuqishëm globalistë në raport me forcën tonë vetadministruese tepër modeste, edhe për shkak të pozicionit të rëndësishëm gjeopolitik.

Vlerë tjetër është artikulli mbi anatominë patologjike, “autopsinë morale” e politike të disa shkrimtarëve të realizmit socialist, ku autori i informuar saktë dhe me një ndërgjegje të kristaltë përshfaq para publikut moralin politik të zvetënuar të disa prej përfaqësuesve “të pavdekshëm” të propagandës politiko-artistike enveriste. Kjo sepse një propagandë e tillë “e transfiguruar” moralisht mbahet me të gjitha mënyrat në një mbijetesë të sforcuar edhe në kushtet e tranzicionit dhe bllokon zhvillimin normal shpirtëror të shoqërisë.

Një analizë interesante antropologjike, megjithatë me një gjuhë tepër komunikuese edhe për nivel të lexuesit të thjeshtë, është artikulli që i kushtohet konceptit sartrian të “viskozitetit”, të aplikuar në gjendjen sociale e kryesisht morale të sotme të shoqërisë shqiptare, e cila është në vijimësi, si vëren me të drejtë autori “në agoninë e rrjedhjes, e ecjes përpara”, të një ecjeje të bllokuar. Autori e sheh zgjidhjen gjithmonë në aspekte të ndryshme të shërimit moral të shoqërisë shqiptare dhe tregon rrugë të thjeshta për mbërritjen e tij.

Ecejaket e autorit nëpër Europë dhe botë shpesh provokojnë shkrime që orientojnë dhe instruktojnë. Këto eksperienca ai i përjeton njëkohësisht me një evoluim kulturor e shkencor të vazhdueshëm. Mbrojtja që i bën Kadaresë, që ndokujt mund t’i duket e sforcuar, ka të bëjë me ndryshimin radikal të qëndrimeve të tij politike e morale, aq më tepër se është bërë përfaqësuesi apo vetë emri i Atdheut. Të paktën përkohësisht.

Vlerë e rëndësishme janë qëndrimet ndaj diplomatëve të huaj dhe ndërhyrjeve të tyre në politikën e brendshme shqiptare. Polemikat që ndërtohen janë përherë sqaruese e frymëzuese, qytetarizuese e antikonfliktuale. Të urta e të bazuara thellë në përvojën dhe dijetarët europianë janë gjithashtu propozimet e tij për qëndrimin shoqëror ndaj simbolikave fetare.

Me vlerë të madhe orientuese janë shkrimet e autorit rreth analizave të veprave të ndryshme edhe për çështje të largëta me interesat e tij të mirëfillta, si p.sh. analiza e librit të specialistit ushtarak Sandër Lleshi, gjithashtu edhe polemikat racionale me mendimtarë të kohës së sotme. Shumë të rëndësishëm janë artikujt që shtjellojnë antropologjikisht problematika të katolicizmit të sotëm dhe të atij shqiptar.

Vëllimi të bën përshtypje të thellë për larminë, freskinë tematike, për gjerësinë dhe thjeshtësinë me të cilën trajtohen tema shumë të rëndësishme politike, sociale dhe të tjera, për larminë dhe masivitetin e autorëve bashkëkohorë e klasikë të përvetësuar dhe të përdorur, si dhe për një gjuhë krejtësisht të pastër e të rrjedhshme, me neologjizma plot ngjyra interesante, që e bëjnë më të këndshëm stilin publicistik të autorit. Ky libër është një kontribut me vlerë të qëndrueshme në shkencat tona të komunikimit dhe duhet të përdoret si literaturë mbështetëse në përgatitjen e formimin universitar dhe postuniversitar.

Pjesë nga libri

Sensi i shtetit është problem filozofik

Artur Zheji është një ndër të paktët analistë që lexoj me kënaqësi në shkrimet e tij. Falë kulturës së tij të gjerë arrin të bëjë analiza të thella të jetës sociale e kulturore shqiptare, që sigurisht një lexues të vëmendshëm nuk e lënë dot indiferent. Veç kësaj, ai arrin edhe të evidentojë me mjeshtëri lidhjet e ngjarjeve historike që kanë shoqëruar tranzicionin shqiptar me veti kulturore tipike të politikanëve, ligjvënësve apo elitave kulturore që kanë ndikim të rëndësishëm në jetën sociale, kulturore e politike shqiptare.

Secili intelektual, natyrisht, jep kontribute për emancipimin kulturor e politik të vendit të tij sipas aftësive, mënyrës dhe karakterit të tij. Askush nuk e detyron një intelektual të bëjë atë që i thonë apo të bëhet hero. Heroizmi është një thirrje personale dhe një shembull për të tjerët, por nuk mund të jetë i imponuar. Intelektuali, kur është vërtetë i tillë, shkruan e thotë atë që i thotë zemra. Parë në këtë prizëm, një intelektual i mirë mund të japë vërtetë kontribute të mëdha për shoqërinë, por kur fjala e tij fiton peshë, duhet pasur kujdes, sepse pesha bart në vetvete edhe mundësinë e dëmit po kaq të madh sa ç’është edhe kontributi.

Shkak për këtë shkrim u bë artikulli i A. Zhejit “Familjokracia dhe Antishteti”, botuar në gazetën Mapo të datës 12 dhjetor. Pasi shtjellon në mënyrë interesante disa veti antropologjike shqiptare të ngjizura nëpër rrugët e mundimshme të historisë sonë, ai nxjerr në pah edhe efektin e këtyre vetive: ndjesia antishtet që ekziston te shqiptarët sot e kësaj dite.

Me gjithë përfundimin që bashkëndaj, pra në sensin antishtet te ne shqiptarët, nuk mund të ndaj as shkaqet që sjell në vëmendje Zheji dhe, për rrjedhojë, as zgjidhjen që ai jep për të risjellë sensin e shtetit te qytetarët. Pikë së pari, shteti shqiptar nuk është i vetmi shtet që ka qenë “tradhtar” me qytetarët e tij. Shembujt në histori janë kaq të shumtë, saqë pa frikë mund të themi se nuk kemi asnjë shtet, kurrkund në botë, që të mos ketë qenë në ndonjë periudhë në të kaluarën e tij “tradhtar” me qytetarët e vet. Le të mendojmë vetëm për një çast se çfarë tradhtie të tmerrshme i bëri qeveria naziste në Gjermani popullit gjerman dhe ta krahasojmë pak me sensin jashtëzakonisht të thellë të respektit dhe të dashurisë për shtetin që kanë gjermanët e sotëm. Pra, shteti shqiptar ka shfaqur në 100 vitet e jetës së tij as më shumë e as më pak, por të njëjtën tradhti që thuajse gjithë shtetet e botës kanë shfaqur për popujt e tyre në momente të caktuara historike ndoshta ndryshon vetëm intensiteti, por. Mirëpo këtu fillon misteri! Si është e mundur dhe është e vërtetë ajo që evidenton Zheji, që ndër në shqiptarët, sensi i shtetit është vërtetë i zbehtë edhe sot e kësaj dite?

Zheji përmend kalimthi se perandoria otomane dhe komunizmi krijuan sensin e armiqësisë, por pa u thelluar tek instrumentet reale që kjo perandori dhe komunizmi përdorën për këtë armiqësi. Duke mos kuptuar shkaqet e vërteta, Zheji rrëshqet dhe thotë se kthimi i Shqipërisë në superfuqi energjetike dhe mbjellja e pemëve frutore do të ndihmojnë në rikthimin e sensit të humbur të shtetit!!! Unë jam përkrahës i idesë së shndërrimit të Shqipërisë në fuqi energjetike dhe zhvillimit të saj bujqësor, por këto kanë pak ose aspak lidhje me kultivimin e sensit të shtetit tek qytetarët. Sensi i shtetit është një argument thellësisht filozofik dhe si i tillë është i lidhur me edukimin dhe reflektimin e njerëzve. Zheji, megjithëse mesa kam parë nëpër media është shpallur si liberal, rithërret në skenë një prapavijë kulturore të modelit edukues materialist, që shikon tek zhvillimi ekonomik bazën e edukimit të “njerëzve të rinj” që i shërbejnë atdheut. Do të doja të kujtoja në këtë kontekst tezën interesante të filozofit Rosmini, i cili thoshte se transformimet e mëdha politike dhe sociale piqen dita ditës në shoqërinë e padukshme, në zemrat dhe në shpirtrat e njerëzve që përbëjnë shoqërinë dhe manifestohen në kohën e duhur në shoqërinë e dukshme. Dhe nuk ndodh e kundërta, pra nuk është shndërrimi ekonomik dhe social i shoqërisë që bën të ndryshojnë dhe të edukohen njerëzit. Vetëm marksistët i mëshonin idesë së mbrapshtë se ekonomia është baza e çdo superstrukture morale dhe estetike.

Një ndër mjetet më mizore që perandoria otomane dhe komunizmi përdorën për reduktimin e sensit të shtetit ndër shqiptarët ka të bëjë me ndalimin e shkollimit nga ana e otomanëve dhe në keqpërdorimin e shkollimit nga komunistët. Nuk mund të ketë sens shteti pa një shkollim të mirë e pa një edukim bazik të qytetarëve me respektin ndaj së mirës së përbashkët dhe me sensin e lirisë për të reflektuar mbi të mirën e përbashkët. Si otomanët ashtu edhe komunistët mohuan lirinë dhe shkollimin autentik të njerëzve. Duhet një punë e përditshme dhe e qëndrueshme kundër të gjitha atyre padrejtësive që Zheji përmend duke filluar nga drejtësia, mjeksia, siguria e mjaft fusha të tjera. Krahas shkollës, kjo gjë jep një kontribut të madh për ngritjen e sensit të shtetit tek njerëzit. Përndryshe, nëse u japim receta si ato që jep Zheji rrezikojmë të tallemi me qytetarët dhe me vetveten.

Po të pohojmë, siç bën Zheji, se sistemi i drejtësisë është krejt i korruptuar pasi vendimet e saj blihen dhe shiten, na duhet të pranojmë, sipas arsyetimit interesant të Rosminit, se në një vend ku nuk ka drejtësi nuk ka as liri. Rosmini pohonte se midis drejtësisë dhe lirisë ekziston një lidhje tepër e fuqishme dhe drejtësia autentike përbën kushtin thelbësor për ushtrimin e lirisë së qytetarëve në një shoqëri të caktuar. Ja pra, gati si pa dashje, zbulojmë se nuk jemi as të lirë. Në doktrinën e virtyteve, ose më saktë në atë të rrafshit të sjelljes morale individuale, drejtësia është, sipas përkufizimit tradicional, disponueshmëria e qëndrueshme dhe e vazhdueshme e vullnetit për ti dhënë secilit atë që i takon “Suum cuique”. Në qoftë se kjo gjë nuk zbatohet as që mund të flitet për liri e për njerëz të lirë. Pasojë e mungesës së lirisë është shkërmoqja e shoqërisë, ndjesia e mosbesimit, mashtrimi, urrejtja, kamxhikosja psikologjike që janë tipike në shoqërinë shqiptare sot. Kjo është arsyeja pse nuk mund të flitet për shoqëri shqiptare koheze, të ngjizur. Ne shqiptarët jetojmë pranë njëri tjetrit por nuk e ndjejmë praninë njerëzore të njëri tjetrit.

Si mundet të mendojmë për shërimin moral të shoqërisë shqiptare, argument ky që lidhet fort me sensin e shtetit, kur Zheji na thotë se: “Në shoqërinë tonë ende nuk ka hapësira për një debat të thellë moral. Interesat ekonomike dhe nënproduktet e tyre janë gjithmonë e më tepër pushtet dhe ligj dhe përtej interesave, nuk ka asgjë”. (Mapo, 12.12.2011). Hapësirat për debat moral janë të përhershme, mjafton që ti shfrytëzojmë ato me zemër të hapur e me ndershmëri intelektuale. Sjell në vëmendje edhe kapitullin e Sodomës e Gomorrës në Shkrimet e Shenjta kur Abrahami bisedon me Zotin për të shpëtuar Sodomën nga ndëshkimi i Tij për mëkatin e saj të madh. Dhe Zoti thotë se nuk do ta ndëshkonte nëse do të gjente të paktën dhjetë persona të drejtë e të ndershëm. Nëse në Shqipëri nuk kanë mbetur dhjetë persona të drejtë, le të kemi fatin e Sodomës, se ndoshta pas shkatërrimit do të vijnë breza të rinj që do ta duan atdheun.

Sensi i shtetit dhe i së mirës së përbashkët kalon nëpërmjet secilit prej nesh me një përgjegjësi të shkallëzuar, sipas detyrës që ushtrojmë. Sigurisht, kush është në krye të shtetit ka përgjegjësi më të madhe, por pa përgjegjësi nuk është askush, as fshesaxhiu dhe as ai që kërkon lëmoshë gjithë ditën. Por përgjegjësisë personale, sado të vogël në dukje, nuk mund t’i shmangemi dhe, për më tepër, as gjykimit të historisë për secilin prej nesh. Një politikë serioze pra, nuk mund të lërë mënjanë problematikat e edukimit, shkollimit dhe përtëritjes shpirtërore të secilit prej anëtarëve të shoqërisë, pasi vetëm në këtë mënyrë është përkujdesur realisht për gjithë shoqërinë si entitet.

Për të përcaktuar qartë përgjegjësinë morale të një individi, është e rëndësishme të kuptohet shumë qartë se deri në çfarë pike një shoqëri lejon që të formësohet në mënyrë të lirë ndërgjegjja e një individi dhe, nga ana tjetër, deri në çfarë pike kjo shoqëri e lejon një opinion të gabuar të shprehet publikisht dhe në mënyrë të efektshme, duke mbjellë tezat e mbrapshta në publik. Asnjë person nuk mund ta ndërrojë si t’i pëlqejë paraqitjen kolektive të vlerave morale të një shoqërie, por ai mund të ndikojë në të për mirë apo për keq. Në mënyrë të ngjashme, ashtu si një lumë formohet nga rrëketë e vogla, edhe paraqitja kolektive e vlerave të një shoqërie formohet nga bashkësia e zgjedhjeve individuale të secilit prej nesh.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH