Analizë

ANALIZË nga Preç Zogaj: Njëqind e tre mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë vota të arta

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Preç Zogaj: Njëqind e tre mijë e

Preç Zogaj

Ky është numri i votave që ka marrë Partia Demokratike zyrtare në zgjedhjet e 14 majit. Sfida e saj në këto zgjedhje ishte pikësëpari vota proporcionale për këshilltarë bashkiakë. Në kushtet e përçarjes, përplasjeve dhe konfliktit për orientimin me grupin e Rithemelimit të Berishës, të shkrehjes de facto për një kohë shumë të gjatë të funksionimit të saj si parti politike në mbarë vendin, të pengesave të jashtme dhe problemeve të brendshme që vonuan në ekstrem hyrjen e saj  në fushatë dhe zhvillimin e një fushate normale, këto njëqind e ca mijë  vota përmbushin objektivin realist për “mbijetesë”, “për rinisjen dhe ringritjen”, që vendosi në krye të herës kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj dhe shtabi i tij elektoral.

Në bazë të asaj që synojnë, zgjedhësit që marrin pjesë në votime mund të ndahen në tre grupe kryesore: Grupi i atyre që duan të mbajnë në pushtet ata që janë, në rastin tonë votuesit e PS-së dhe aleatëve të saj.

Grupi tjetër janë zgjedhësit që mblidhen rreth opozitës më të madhe, e cila u premton atyre fitoren e pushtetit, marrjen e bashkisë ku do të mund të realizojë e përfitojë sekush atë që endërron. Premtimi i fitores është shumë motivues për njerëzit. Të tillë qenë në përgjithësi zgjedhësit që votuan aleancën "Bashkimi për fitore” të Berishës, Metës dhe aleatëve të tyre. Këta zgjedhës kanë qenë të paralajmëruar qoftë nga analistët që i mbështesin prognozat e tyre mbi dijet e profesionit, qoftë nga kompanitë serioze të sondazheve, por tërthorazi edhe nga partnerët perëndimorë se nuk do të fitonin, se do të humbnin më thellë se asnjëherë tjetër edhe në bashkitë historikisht bastione të PD-së, se beteja e sedrës dhe karshillëkut të Berishës ndaj SHBA nuk ka e nuk mund të këtë mbeshtetjen e një shumice në Shqipëri. Premtimi i fitores gjithsesi është ku e ku më joshës e motivues se  angazhimi në mbrotje të një kauze. Nga kjo pikëpamje, një numër i madh zgjedhësish opozitarë, të frustruar nga humbjet e shumta dhe mospasja e aksesit në  pushtet gjatë dekadës së fundit, nuk kanë dashur ta besojnë pa e parë, siç thotë një shprehje e njohur.

Një grup i tretë janë ata që e dinë që në fillim se janë larg të qenit shumicë, se nuk do të fitojnë, por votojnë për një bindje, për një kauzë, për një identitet. Këta janë në përgjithësi njëqind e ca mijë votuesit e PD-së zyrtare. Ata zgjodhën qartazi siglën e PD-së perëndimore dhe euroatlantike pa bishta dhe shartesa, në kushtet e agresionit dhe kakofonisë së madhe politike-mediatike për të zhurmuar temën kruciale të krizës së PD-së dhe opozitës që është ajo se me kë jemi ne dhe kush është me ne në familjen e kombeve të lira. Nga kjo pikëpamje, njëqind e ca mijë votat e tyre janë vota të arta që tregojnë drejtimin dhe i kanë të gjitha shanset të vijnë duke u shtuar  në menyrë të përshpejtuar nesër- pasneser përmes modernizimit të Partisë, gjetjes së pikës së kontaktit me mbi dyqind mijë zgjedhës opozitarë që nuk morën pjesë në zgjedhje, e tjerë. E gjithë kjo nëse forumet  e PD-së do të dinë  t’i administrojnë me përgjegjësi votat e pararojës apo për ta thënë në mënyre të figurshme, të lokomotivës. Duke njohur e vlerësuar nga njëra anë rolin dhe meritat e atyre që i dhanë formë dhe artikulim qëndresës dhe projektit, ku spikatën Enkelejd Alibej, Roland Bejko dhe mjaft kandidatë e drejtues lokalë; duke ruajtur nga ana tjetër kohezionin e brendshëm, pavarësisht këndveshtrimeve të ndyshme për çështje të veçanta të taktikës elektorale, e tjerë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH