Analizë

ANALIZË nga Albi Xhunga: Fenomeni Lapaj

Shkruar nga Liberale
ANALIZË nga Albi Xhunga: Fenomeni Lapaj

Nga Albi Xhunga

Adriatik Lapaj është një nga ata djemtë simpatikë e të artikuluar që kanë krijuar njëfarë suksesi në hapësirën publike shqiptare. Ngritja e problematikave të ndryshme që prekin qytetarët shqiptarë dhe mbrojtja e interesit të tyre me talentin e një avokati të aftë, ka bërë që z. Lapaj të shikohet nga shumëkush si një alternativë e zëvendësimit të kësaj klase të vjetër e të korruptuar politike.

Në televizionet shqiptare vitet e fundit ka ndodhur një fenomen interesant. Nga njëra anë televizionet e mëdha kanë prioritetin e mbrojtjes së politikanëve të rëndësishëm dhe bizneseve të mëdha oligarkike, të cilët janë dhe financuesit e tyre kryesorë (politikanët me leje ndërtimi dhe koncensione, ndërsa biznesi i madh me reklama), dhe nga ana tjetër prioritetin e shikueshmërisë për të ruajtur ndikimin në treg. Duke qenë se censura dhe shikueshmëria nuk mund të shkojnë bashkë me njëra-tjetrën, televizionet e mëdha janë detyruar që pjesë të programeve të tyre të bëjnë edhe zëra publikë, fjala e të cilëve nuk është muzikë e pëlqyer për politikanët e rëndësishëm dhe oligarkinë, por është fort e pëlqyer për publikun e gjerë i cili garanton shikueshmërinë.

Nga ky fenomen, si disa të tjerë, ka përfituar edhe Adriatik Lapaj. Denoncimet e tij ndaj rritjes abuzive të çmimeve, ndaj një sistemi të padrejtë, ndaj korrupsionit etj, i kanë krijuar një popullaritet të dukshëm. Ky popullaritet e ka çuar z. Lapaj drejt një hapi të rëndësishëm, kapërcimit gjigand nga shoqëria civile drejt politikës. Por a është modeli Lapaj ai që i duhet Shqipërisë? A është oferta e tij realiste, apo kemi të bëjmë me populizëm të pastër? A po i thuhen popullit gjëra që ai dëshiron t’i dëgjojë, ndërkohë që realizimi i të cilave është ose i pamundur, ose thjesht utopi?

Në botë ka dy lloje populistësh. Të parët janë mjeshtrat e retorikës, të cilët nuk besojnë asnjë presje nga ato që thonë, por e përdorin këtë talent për përfitime politike. Të dytët janë populistët naivë, të cilët janë të sinqertë dhe realisht i besojnë ato që thonë. Unë personalisht besoj se Adriatik Lapaj është djalë i ndershëm. Unë mendoj se ai iu beson ideve të tija. E megjithatë idetë e tija janë ide të pastra populiste, ose të parealizueshme, ose që nuk ofrojnë zgjidhje.

1. Lapaj ka plotësisht të drejtë kur flet për nevojën e hapjes së garës. Shqiptarët duhet të zgjedhin, jo të kenë përpara një listë të mbyllur që e bën kryetarin zot dhe deputetin një qënie mirënjohëse, e cila duhet t’i bëjë fresk liderit për mbijetesë në politikë. Ideja e depolitizimit të proceseve zgjedhore duke ia ngarkuar këtë përgjegjësi profesioneve të lira, si noterëve, avokatëve etj, është thjesht brilante. Mirëpo kur vjen puna te vota e emigrantëve dhe referendumeve çështja është pak më e kopmlikuar.

Unë personalisht bëj pjesë tek ata shqiptarë që vendosën ta ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë Shqipërisë. Por nuk e quaj veten emigrant. Emigracioni është një fazë kalimtare. Sot jam edhe shqiptar, edhe qytetar i një vendi të BE. Ndërkohë që krejt ndryshe është puna me shqiptarët që gjenden përkohësisht jashtë kufijve të Shqipërisë për punë. Pra duhet sqaruar se kur flasim për votën e emigrantëve, për cilët e kemi fjalën? Dmth po kërkojmë të drejtën e votës për shqiptarët e larguar përkohësisht (psh punëtorët sezonalë), apo edhe për ata që sot kanë një shtetësi tjetër? Unë mendoj se vota e emigrantëve do të ishte vota më e lirë në Shqipëri. Kjo sepse emigrantët nuk kanë interesa direkte. Qeveria as nuk i josh dot me një vend pune e as i kërcënon dot me largim nga puna. Por numri i shqiptarëve të larguar është aq i lartë, sa nëse atyre do t’iu jepej e drejta e votës ata do të përcaktonin fituesin në Shqipëri. Por a është kjo e drejtë? A është e drejtë që dikush që jeton larg të vendosë për fatin e atij që jeton në Shqipëri? A është e drejtë që unë nga Belgjika të vendos për fatin e z. Lapaj në Shqipëri?

A nuk do të ishte më e drejtë që, ashtu si francezët, ne t’u jepnim emigrantëve të drejtën e përfaqësimit në parlament me një apo dy deputetë, që zëri i tyre të dëgjohej, por jo t’u japim të drejtën për të vendosur për fatin e atyre që jetojnë në Shqipëri? Z. Lapaj nuk i trajton këto probleme. Ai mjaftohet me kërkesën për të drejtën e votës për emigrantët. Mungesa e trajtimit të problemit në të gjitha aspektet i jep këtij propozimi doza populiste.

Pjesa e referendumeve, e cila është dhe propozimi kryesor i z. Lapaj është dhe pjesa më populiste. T’i thuash popullit se ti do të vendosësh me referendum është muzikë shumë e ëmbël për veshët e tij. Po a është kjo zgjidhje? A është kjo realiste?

Nëse ne do të pranojmë idenë se rrota është shpikur njëherë, ne do të shikojmë se në të gjithë botën perëndimore ka vetëm një shtet që praktikon në masë referendumet, Zvicra. Zvicra, përveçse ka specifikat e saj demografike, gjeografike dhe historike (të cilat nuk mund të trajtohen në një shkrim), ka edhe një popullatë me edukim të një niveli shumë të lartë. E megjithatë një ngjarje e fundit na tregoi se jo për çdo problem Zvicra i pyet qytetarët e saj në referendum. Shpëtimi nga falimenti i njërës prej bankave më të mëdha e më të vjetra prej saj, Crédit Suisse, ku u shpenzuan qindra miliarda euro të taksapaguesve, nuk u bë me referendum, por me vendim politik.

Megjithatë referendumet përdoren në botën perëndimore në rastet kur politika ose nuk mund të marrë vendime të rëndësishme, ose nuk do ta marrë përgjegjësinë historike të këtyre vendimmarrjeve. Rasti më flagrant është Brexit. Brexit sot rezulton si mashtrimi më i madh i shekullit. Në rastin e Brexit pati një fenomen interesant. E majta dhe e djathta kishin një dakortësi të heshtur për nevojën që kishte Mbretëria e Bashkuar për t’u larguar nga tutela e Brukselit, e cila iu limitonnte sovranitetin. E megjithatë këtë përgjegjësi nuk e morën vetë, por ia hodhën topin popullit. Propaganda pro Brexit iu thoshte britanikëve se do të ndalnin emigracionin e paligjshëm, i cili i ulte vlerën vendeve të punës dhe mbante paga të ulëta. Kjo bëri që miliona britanikë të klasës punëtore të votonin masivisht pro Brexit. Mirëpo pak më vonë britanikët u përballën me dy fenomene interesante. Fenomeni i parë ishte se pas politikës zero emigracion të kryeministrit Jonson, supermarketet u gjendën pa furnizim, pompat e benzinës bosh, etj, etj, etj. Britania është një popullsi e plakur, e cila ka nevojë të vazhdueshme për fuqi punëtore të huaj. Fenomeni i dytë ishte se pas Brexit emigracioni i paligjshëm u disafishua.

Ka edhe shtete si Belgjika që i kanë të ndaluara me ligj referendumet. A e bën kjo Belgjikën një shtet jo demokratik? Natyrisht që jo. Një nga temat më të nxehta të kohëve të fundit në Belgjikë dhe në disa vende europiane është tema e centralëve bërthamorë. A duhet të reduktohet numri i tyre për shkak të risqeve të aksidenteve, apo duhet të shtohen për shkak të nevojës së tranzicionit ekologjik duke shkuar nga energjitë fosile në ato elektrike?

Imagjinoni që për këtë të pyesim me referendum një bujk, një bari, një hidraulik, një bojaxhi, apo qoftë dhe një intelektual jurist si z. Lapaj. Demokracia përfaqësuese na jep mundësinë të zgjedhim përfaqësuesit tanë. Nesër kur kryeministri belg apo francez të marrë një vendim të tillë të rëndësishëm, do të ketë benefitin e një ekspertize të specializuar, ndërkohë që hidrauliku, bujku, apo avokati nuk mund ta kenë këtë mundësi.  Ata do të votojnë sipas perceptimeve që kanë krijuar nga propaganda.

Një nga shprehjet që z. Lapaj iu thotë miqve të tij është se ‘’Errësira është më e thellë pikërisht para se të lindë dielli’’. Kjo është një shprehje e romanit Alkimisti të shkrimtarit Paulo Coelho. Ata që e dëgjojnë z. Lapaj me siguri thonë: ‘’Sa bukur flet ky’’, ndërkohë që z. Lapaj nuk citon autorin. E bën sepse nuk e di, apo e bën sepse nuk i duket e rëndësishme citimi i autorit… këtë nuk mund ta dimë.

Një pjesë tjetër delikate e nismës së z. Lapaj për t’u ngjitur në skenën politike shqiptare janë financimet. Në 2/3 postime në fb e tij z. Lapaj thotë se ai do t’i ketë detyrimet vetëm ndaj popullit për financimin e projektit të tij politik. Mirëpo ndërkohë që ka thënë se zyrat janë gati, ende nuk kemi një listë publike të financuesve, çka do të na garantonte se z. Lapaj i detyrohet vetëm qytetarëve.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH