Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, do të pritet sot në Pallatin Elisee në Paris nga presidenti i Francës Emmanuel Macron në orën 19:30.
Kurti dhe Macron do të bisedojnë lidhur me temën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë si dhe perspektivën e Kosovës drejt integrimeve europiane. Gjithashtu, kryeministri Kurti, do të kërkojë nga presidenti Macron përkrahje për procesin e liberalizimit të vizave.
Ftesën për takim, presidenti Macron ia kishte dërguar para tre muajsh kryeministrit Kurti, pasi ai fitoi zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris pas marrjes së detyrës si kryeministër.
Kurti ka pritur në takim, ditën e hënë, këshilltaren politike për Ballkanin të presidentit francez Emmanuel Macron, Isabelle Dumont.