Ngjarja tronditëse e përdhunimit të dy vajzave në Berat, 19 dhe 16 vjeç duket se ka marrë një tjetër rrjedhë shokuese. Kanë qenë dy vajzat që denoncuan pak ditë më parë 33-vjeçarin Ardit Nano dhe 20-vjeçarin Andon Shoshari, po nga Berati, se kishin kryer marrëdhënie seksuale me forcë me to.
Denoncimi u bë në polici nga njëri prej bashkëshortëve të vajzave pasi këto të fundit i kishin treguar se ishin të tronditura nga ajo çfarë u kishte ndodhur.
Ndërkohë sot, nëna e vajzave, Rudina Jashari ka rrëfyer një tjetër version po aq shokues të kësaj historie.
Ajo u shpreh se vajza e vogël 16 vjeçe ka qenë e lidhur prej dy vitesh me njërin nga djemtë e akuzuar, 20-vjeçarin Andon Shoshari, të cilin e ka edhe kushëri të parë, djalë halle, çka e bën dhe më tronditëse këtë histori.
Jashari ka mohuar që e mitura të jetë përdhunuar, ndërsa ka kërkuar që dy djemtë e arrestuar të lirohen, duke shtuar se e bija është e martuar me një burrë tjetër dhe sipas saj janë kunati e kunata që e kanë shtyrë vajzën të thoshte ato fjalë.
“Vajza ime ka pasur një lidhje me Andon Shesharin, para dy vitesh. Vajza ime u martua më pas te Embra Kovaçi. Për shkak të xhelozisë ka pasur shtyrje. Problemet ka pasur vetëm nga ata. Mamaja e Andonit dhe burri im janë vëlla e motër. Po kanë qenë të lidhur para dy vitesh, vajza ime me Andon Shesharin. Vajza ime është e martuar prej 1 muaj e gjysmë. Çunat nuk kanë faj. Ato e shtynë gocën time që të flasë këto fjalë. Unë vajzën time nuk e dua në atë shtëpi.
E kanë shtyrë kunata dhe kunati. Janë xhelozë. Unë çunat i dua jashtë burgut. Nuk e kanë ngacmuar dhe nuk e kanë përdhunuar. Janë gënjeshtra. Nuk kam mundur të flasë me vajzën time, nuk e lënë ata. Unë dua të pyes dhe vajzën se çfarë ka ndodhur. Vajza u nda nga Andoni se nuk e lashë unë, janë kushërinj të parë. Ka qenë kunati që ka bërë denoncimin", u shpreh Rudina Jashari për Euronews Albania.