Berisha kërcënon pushtetin
E patë si i shporrëm më 14 shtator
TIRANE "Paralajmërojmë pushtetin që të mos na provokojë në mitingun për ditën e 8 dhjetorit", deklaron Berisha. Ai sot bashkë me studentët do të dalë në një miting kushtuar 8 dhjetorit. Sipas tij ky miting do të jetë "Uragani i Tiranës" duke qenë më madhështor se asnjëherë tjetër. Lideri i demokratëve është shumë i sigurt se policia nuk do të qëllojë mbi njerëzit, ashtu siç ka urdhëruar Ministri i Brendshëm Koçi, në rast se këta të fundit do të prekin institucionet si në 14 shtator. "Forcat e rendit nuk do të zbatojnë urdhrat e terroristëve", thotë Berisha, i cili bën paralelizma mes 8 dhjetorit të 1990 kur studentët e ngritën kundër diktaturës si dhe 8 dhjetorit të 1998 kur do të përkujtohet kjo ditë. "Nëse deklarojmë se do t'i shporrim qelbësirat ne i shporrim ata, demokratët e mbajtën fjalën dhe ju e patë", deklaron Berisha për ngjarjet e ndodhura që pas ardhjes në pushtet të Koalicionit për Shtetin. Ai e bën këtë deklarim një ditë para mitingut të 8 dhjetorit, i cili është paraprirë nga disa greva të studentëve të Shkodrës por dhe me incidente mes studentëve dhe njerëzve që sipas Ministrisë së Arsimit nuk kanë lidhje me universitetet e vendit. Këta njerëz kanë penguar studentët e tjerë të hyjnë në mësim. Nga ana tjetër policia ka ndaluar për disa orë kryetarin e Forumit Rinor të PD, Gentian Strazimiri, i cili është marrë nga forcat e policisë. Sipas tregimit të shokut të tij që ishte në atë moment bashkë me Strazimirin, ndalimi është bërë në afërsi të Gardës së Republikës, pasi ata kishin bërë disa takime në lagjet e Tiranës për organizimin e mitingut të sotëm. Po dje në orët e pasdites ai është liruar nga policia. Sipas PD atë e kanë arrestuar forcat e policisë si dhe civilë të cilët kanë përdorur edhe dhunën. Ndërsa nga burime të policisë thuhet se ndalimi i tij është bërë sepse mendohej si një nga organizatorët e pengimit të studentëve për të hyrë në auditore. Këtë rast Berisha e quan si vazhdim të arrestimeve politike që i u bëhet demokratëve nga qeveria aktuale, qeverisjen e të cilës ai e cilësoi si neodiktaturë në takimin e bërë në orët e pasdites me përfaqësuesit e "Forza Italia" të ardhur në Shqipëri dhe që kryesoheshin nga Aleksandër Bergamo, nënkryetar i komisionit parlamentar për punët e jashtme në Parlamentin italian. "Tirana do të përkujtojë 8 dhjetorin në sheshin "Skënderbej” dhe ne s'kemi nevojë t'i marrim leje policisë për këtë ashtu siç nuk i morëm leje diktaturës komuniste në 1990", thotë Berisha. Për liderin e demokratëve mitingu i sotëm është shumë i rëndësishëm, dhe ai ditë më parë përmendte "Uraganin e Tiranës" që do t'i japë lirinë shqiptarëve të cilët po sjellin neodiktaturën. "Ky përkujtim bëhet në një kohë kur në pushtet është një klikë kontrabandistësh", thotë Berisha. Ai shton se në manifestime do të marrin pjesë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar ku më të mundshmit nga miqtë e paktë që i kanë mbetur PD është një përfaqësi e "Polit të Lirisë" ku marrin pjesë partia "Forza Italia" e Silvio Berluskonit, Alenca Naciolane e Finit dhe Qendra Kristian Demokrate e Kazinit. ALTIN KREKA