Aktualitet

UET nderon 100 më të mirët e vitit akademik 2020-2021

Shkruar nga Liberale

Në një ceremoni që tashmë është traditë, UET kurorëzoi 100 më të mirët e vitit akademik 2020-2021, në 15 vjetorin e ekselencës

Lodhje, sakrificë dhe orë të gjata studimi u shuan si me magji në një ceremoni të organizuar nga Universiteti Europian i Tiranës ditën e mërkurë (30 qershor), teksa 100 më të mirët e vitit akademik 2020-2021 morën çertifikatat në dorë. Tashmë dihet që rrjeti i ekselencës është kthyer në një traditë dhe falë kësaj tradite me plot gojë Uninversiteti Europian i Tiranës mund të quhet universitet i ekselencës.

Shtimi i ekselentëve, dëshmon nivelet ekselente në të cilat gjendet UET. Një shtëpi e dytë për formimin dhe rritjen  profesionale dhe njerëzore të studentëve.

Dhe pikërisht kjo shtëpi kaq e dashur, mblodhi këtë të mërkurë studentët në ceremoninë e Rrjetit të Ekselencës, që u organizua në ambientet e hapura të UET-së, nën praninë e drejtuesve më të lartë të këtij institucioni arsimor, si dhe të studentëve ekslentë.

Në vitin 2005-2006, viti i parë akademik në UET, ndër 183 studentët e parë, jo më shumë se 10 prej tyre ishin maturantë ekselentë, ndërsa sot UET ka më shumë se 500 të tillë.

Në këtë ceremoni UET mblodhi të gjithë studentët e ekselencës, pra studentët me arritjet më të shkëlqyera të vitit akademik që lamë pas, duke i nderuar të gjithë ata me një certifikatë ekselence.

E kush më mirë se studentët mund të flasë për UET-in dhe eksperiencën e tyre aty.

Arion Sako vjen nga Fakulteti i të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit dhe sigurisht është mes ekselentëve të ekonomisë, e me siguri ekselent edhe në rrugën e gjatë të karrierës.

“Katër vite në UET kanë qenë të gjatë, por edhe të shkurtër për mua”, u shpreh ai, dhe me të drejtë pasi vitet më të bukura, por edhe që ikin më shpejt janë ato të kohës kur je student.

“Me zënka, debate, me të qeshur e gëzime, por të bukura, të papërsëritshme”, tregoi ai plot nostalgji teksa mori fjalën në ceremoninë e zhvilluar enkas për ta.

“Për mua UET nuk ka qenë vetëm një universitet, por një histori brenda historive. Gjatë këtyre viteteve, jo çdo gjë ka qenë perfekte. Kam pasur orë të gjata studimi dhe lodhje, por mund të them që i kam arritur të gjitha pikat e një identiteti të fortë”, u shpreh Arioni.

Një traditë e bukur dhe e veçantë në UET janë klubet studentore, të cilat janë fakultative, por që shërbejnë shumë për zhvillimin jo vetëm profesional, por edhe social e personal të studentëve. Arioni tregon kënaqësinë e madhe që ndjente si drejtues i njërit prej tyre.

“Drejtimi i klubeve studentore të jepte kënaqësi të jashtëzakonshme”, tha studenti i Ekonomikut.

Dhe një falenderim për pedagogët të cilët me siguri ndihen shumë krenarë, nuk mund të mungonte.

“Faleminderit pedagogë! Jeni artista, me artin tuaj latë gjurmë tek ne!”, tha Arioni, ndërsa duartrokitjet nuk munguan.

Dea Meço ishte një tjetër student ekselente, por këtë herë nga Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Dea nuk i fshehu aspak emocionet që i dukeshin prej së largu. Mbase të folurit në publik nuk është pika e saj e forte, por në profesionin që ka zgjedhur ajo shkëlqen. E më kot nuk është zgjedhur mes ekselentëve.

“Jam shumë e emocionuar. Faleminderit pedagogëve për punën e vështirë që kanë bërë me ne. Mësimi online për shkak të pandemisë ka qenë i vështirë për ne dhe dyfish për pedagogët, por ne ja dolëm. Falenderoj UET-in për mundësinë që më dha dhe pritshmëritë që unë i përmbusha këtu”, tha Dea.

E treta që mori fjalën ishte studentja ekselente Olta Bushi, pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Ajo përshëndeti të gjithë studentët ekselentë dhe i përgëzoi për punën dhe rezultatet e arrita, për të merituar titullin ekselentë.

Ndërsa për Universitetin Europian të Tiranës foli me një konsideratë shumë të lartë.

“UET-in do t’ia rekomandoja çdo student, si një universitet dinjitoz dhe prestigjiz. Gjatë rrugëtimit tim këtu kam gjetur qetësinë emocionale për të cilën kasha nevojë. Puna ime vlerësohet dhe unë jap më të mirën time”, tha Olta.

Ndërsa nëse doni të dini akomë më tepër për UET-in, mënyrën e mësimdhënies dhe si funksionon, Olta është e gatshme t’ju tregojë më tepër.

“Çdo student dëgjohet dhe ka rëndësi për pedagogët. Mënyra e mësimdhënies nga ana e pedagogëve është shumë e aftë. Shërbimi sidomos. Pandeminë e kaluam pa shumë distance. Një gjë tjetër e mirë e UET janë klubet studentore, apo programet Erasmus. Projekti Gradua gjithashtu, një projekt innovator, e cila do të jetë një mbështetje më shumë për mua edhe në punën ku jam aktualisht”, tha Olta e cila me plot gojë dëshmoi atë që ndër vite ka qenë prioritet në UET.

“E meriton absolutisht emrin që ai mban, pasi këtu ndihet dhe ka një frymë europiane!”, dhe me këto fjalë Olta përfundoi fjalimin e saj.

Rubin Mexhani ishte i fundit që foli, dhe ishte nga ata studentë që auditoret e UET nuk i ka prekur ende, pasi pandemia nuk ia mundësoi këtë.

Por edhe pse online ai ka shumë për të thënë për një vit si student ekselent i UET.

“Ishte një vit  i vështirë sa i përket situatës në vend dhe mësimi është përcjellë online dhe ka qenë një process mjaft impenjativ, por nga më të mirët e mundshëm. Gjej rastin t’u them studentëve që nëse duan të marrin dije dhe të jenë të aftë duhet të vlerësojnë nivelin akademik dhe infrastrukturën mbështetëse të një universiteti. Uroj që viti i ardhshëm të na gjejë të gjithëve së bashku në auditor”, tha Rubini.

Rei Qerimi, student i Financës theksoi diçka të rëndësishmë dhe të veçantë për të, marrëdhënien me pedagogët.

“Ajo që më ka mbetur në mendje është që pedagogët nuk ka konsiderojnë si studentë, por si shokë. Nuk ka gjë më të bukur që të rrisësh marrëdhëniet që në auditor me ata që nesër mbase mund t’i kesh kolegë”, u shpreh ai.

Drejtuesit e UET përgëzojnë studentët

Rrjeti i ekselencës tashmë është kthyer në një traditë dhe falë kësaj tradite me plot gojë tashmë Uninversiteti Europian i Tiranës mund të quhet universitet i ekselencës. Rrjeti i Ekselencës është një nga elementët dhe kriter vlerësimi për Universitetin Europian të Tiranës.

Me kalimin e viteve akademike, teksa shtohet eksperienca, kualifikimi dhe pasurohet arkiva e institucionit, shtohen edhe studentët, e mbi të gjitha studentët ekslentë.

Presidenti Selami Xhepa: Kemi mbledhur ajkën e studentëve

Presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa përgëzoi studentët për arritjet e tyre, duke theksuar se falë përpjekjeve serioze, por edhe përkushtimit të stafit akademik, ata performuan me sukses në rrugën e shkencës.

“Në Universitetin Europian të Tiranës kemi arritur të mbledhim ajkën e studentëve duke arritur të shndërrohet në një vend të ekselencës dhe dijeve, duke pasur dhe stafin më të mirë akademik në qytet. Për aq sa na takon ne dua të nënvizoj se edhe universiteti përmes literaturës dhe kurrikulës ka luajtur një rol në dijen tuaj. Edhe ne e kemi gëzuar mjaft prej jush në veçanti, ju       që ndiqni masterin që keni sjellë në auditor praktikat dhe shqetësimet e institucioneve ku punoni. UET do ju ndodhet pranë për t’iu ndihmuar”, u shpreh Xhepa.

Rektori Tonin Gjuraj: UET ka qenë, është dhe do të mbetet një ishull ekselence

Rektori i UET-së, Prof. Dr. Tonin Gjuraj e vuri theksin tek viti i vështirë akademik që kaloi universiteti për shkak të pandemisë.

“Mbyllja e suksesshme një viti të pazankontë është tregues i asaj që do të arrini të bëni nesër, në të ardhmen në vendin e punës. Kjo është një dëshmi e vendosmërisë dhe e bindjeve tuaja. UET ka qenë, është dhe do të mbetet një ishull ekselence”, u shpreh Rektori Gjuraj.

Zv.Ministrja e Arsimit Muzhaqi: Gjëra të mëdha ju presin

E ftuar në aktivitet ishte dhe zëvendësministrja e Arsimit, Bora Muzhaqi e cila u shpreh se ndihet më afër me studentët pasi edhe ajo vetë ka qenë në pozicionin e tyre.

“Ndonëse më prezantuan si zëvendësministre, unë ndihem pak më afër me studentët, pasi kam qenë në pozicionin tuaj jo shumë larg nga sot. Siç tha edhe profesor Selamiu student mbetesh tër jetën dhe do vazhdojmë të mësojmë. Ju keni studiuar dhe prindërit, mësuesit apo pedagogët ndihen krenarë për ju, por ky është momenti për të treguar që ju mund të bëni edhe më shumë. Shoh një rini që është luftarake. Fytyra që duan të bëjnë më shumë, të kontribuojnë. Thonë që rinia është e ardhmja, unë besoj që është e tashmja. Do ju lutesha shumë si Bora, si një vajzë e re që të vazhdoni të jeni gjithmonë ekselentë kudo pasi ashtu si motoja e universitetit tuaj, gjëra të mëdha ju presin”, tha Muzhiqi.

Adiminstratori Tildi Çadri: Sot kemi më shumë se 500 ekselentë

Administratori i UET, Tildi Çadri u shpreh se në vitin 2005-2006, viti i parë akademik në UET, ndër 183 studentët e parë që ishin, jo më shumë se 10 prej tyre ishin maturantë ekselentë, ndërsa sot ka më shumë se 500 të tillë.

“Rrjeti i ekselencës është indikatori ynë i cilësisë. Me shtimin e studentëve shtohen edhe ekselentët. Këtë vit u regjistruan një numër rekord ekselentësh dhe kjo na bën krenarë. Na bën gjithashtu edhe përgjegjës për t’u promovuar në tregun e punës si pjesë e pandarë e familjes UET. Ndihemi të obliguar që cilësinë ta çojmë përpara me çdo mjet infrastrukturor, akademik dhe financiar për të mbështetur çdo projekt tuajin. Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është të ta krijosh astë dhe e ardhmja juaj është shumë e ndritshme”, u shpreh Çadri.

Dekania e Studentëve, Sinaj: Jeni dëshmia e suksesit të universitetit

Dekania e Studentëve në UET, Elsida Sinaj tha se studentët ndër vite kanë qenë të shkëlqyer dhe këtë e kanë dëshmuar në vendet e tyre të punës.

“Ndër vite studentët kanë dëshmuar se kanë qenë të shkëlqyer, këtu dhe atje ku kanë shkuar për të punuar. Ju jeni dëshmia e suksesit të këtij universiteti që është shumë transparent në mënyrën se si mësohet dhe punohet. Këtë vit shoh një ekselencë të rritur, nga një ishull që ishte më parë”, tha Sinaj.

Po ashtu gjatë ndarjes së certifikatave të ekselencës, fjalën e morën edhe disa nga drejtuesit e fakulteteve të UET, si Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, Prof. Asoc. Dr. Elvin Meka, Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Dr. Shefqet Muçi, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës e Arkitekturës,  Prof. Asoc. Dr. Arben Dushi, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Prof. Dr. Pirro Prifti, si dhe zëvendësrektorja për për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor, Drita Kruja të cilët iu uruan suksese studentëve ekselentë. /Gazeta Liberale

 

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH