Vladimir Myrtezai
Timo Flloko është një personazh që për çudi i fshihet famës së vet. Të jep idenë se megjithëse i ka të gjitha mundësitë për të qenë në qendër, i shmanget asaj dhe përvidhet lehtazi në një kadencë eksiromantike larg vëmendjes dhe debatit, duke bërë si dikush që në dukje ka dëshirën e një fillestari; një lloj ndjeshmërie publike që, në fakt, e ka përmbysur me karrierën dhe historinë e tij si artist i njohur i kinematografisë shqiptare. S’e di se pse kjo ndjeshmëri e lë të njelmët dhe akoma në një garë të padukshme, të brendshme, që nuk i shihet fundi. Është si një vepër e sheshtë ose në personalitet të dyzuar nga frika e konsumimit publik. Një personazh pa moshë, që nuk i ndihen vitet. Përherë riduket periferish, në inkursione të ngulta e në territore gati të harruara nga trendet e ditës, një lloj arratie si me kast.
Timo Flloko është nga ato takime subjektive dhe të forta ku sjellin regjisorë dhe histori , duke u bërë shkak përfytyrimi dhe produkti filmik. Kjo ngaqë imazhi dhe cilësitë të ngasin përfytyrimin dhe të detyrojnë ta mendosh si fatin e një vepre, qoftë kinematografi, qoftë arti i të folurit, qoftë teatri, pa harruar natyrën provokuese e në stil jete. Është një veti e lindur që e solli në pamjen njerëzore si një dhuratë e pranuar e mbyllëse, për të mishëruar kështu aurën e një personazhi, por edhe vetë kohën si modernitet i përplasur.
Qysh para viteve nëntëdhjetë Timo Flloko ishte në vëmendjen tonë si studentë pikërisht për këtë lloj tërheqjeje dhe simpatie në llogoret vëzhguese të një panteoni të admiruar. Asnjëherë i mbyllur apo i kornizuar në shenja, që shpesh krijojnë karakter dhe mbyllin një epokë. Përkundrazi, gjithherë fluid, mistik e në role të veçanta.
Më kujtohet atmosfera në Institutin e Arteve, e miqësive të zgjedhura dhe e vajzave që e admironin nën zë dhe e kishin në mendje si modeli i prerë i një mashkulli modern e në pjacë të pëlqimeve. Për ne artistët figurativë ishte një tjetër projeksion, për shkak të imazhit të tij ndikues, qoftë përmes ekranit, qoftë në forma të drejtpërdrejta, pasi të jepte dorë si portret me kuadratimet e njelmëta fizike dhe format e prera e të qarta, të qenit i thjeshtë në karakter. Asokohe sapo ishin shfaqur në bulevard pardesytë e bardha të shumë personazheve që thyenin rregullin në të djathtë të turmës shëtitëse, buzë Hotel Dajtit.
Kujtim Çashku në një kapërhedhje të dhunshme pothuajse në dangën e tij vizive, Ed Rama në gjatësinë imponuese , aktorë të teatrit popullor , rioshët ndjellës Bujar Lako, Timo Flloko, ndonjëherë, disa muzikantë, “Genc Dashi & Co” që luanin natën në tavernën e hotelit, a figura të tjera, doktorë, arkitektë në zë dhe disa të shumtë figura të pazëshëm të Sigurimit të Shtetit që sot më janë shuar nga kujtesa, pa harruar ata që bënin tonalitetin e mbrëmjes kundrejt një turme të shformuar mes grisë dhe të zezës, me një qethje kare a ndonjëherë në të kundërt, tip kalipso apo korore, me baseta të zgjatura. Në fakt, shoqëritë krijojnë modelet në imazh që e rikornizojnë kohën në lëkurën e saj të dukshme. Në njëfarë mënyre e lartojnë në kuriozitet të parë ose në ushqimin e shpejtë pamor, duke e bërë më të athët, në një uri pritëse. Si të tilla, këto lloj shfaqjesh në qendër, në një qytet pa reklama krijonin (si padashje) amullt e heshturazi modelin e asaj kohe, me ekstremitetet e lehta dalluese e të ndërmjetme. Diku vinte natyrale e diku e kuruar, por gjithnjë në një goditje panfizike. Kaq.
Oazët kryesorë ku ndjehej një lëvizje e ndikim i disafishtë ishte Hotel Dajti, ura kryesore e Lanës, Lidhja e Shkrimtarëve, oborret universitare dhe ndonjëherë kafenetë dytësore e më periferike, ose më vonë kafeneja te Pesëmbëdhjetëkatëshi.
Herë diku më në periferi, por me një ndikim te mjaftë qenë edhe vendxhirimet në Kinostudio.
Qendra dhe bulevardi ishin dy enët e mëdha të një shkundjeje pamore kolektive, që në momente të caktuara pikonin personazhe të rrallë të kësaj ndërvarjeje qytetase.
Për të ardhurit, nëse i kishin shkelur këto realitete, Tirana qe e kryer në konsumin e vet shëtitor. Shpeshherë personazhet e qendrës ishin oksigjenues kur zbarkonin periferive, në kuptimin riqarkullimit të ujërave që njëfarësoj ndiheshin të ndenjur nga mungesa e zgjatur.
Sapo isha diplomuar në Tiranë dhe endesha akoma nën efektin e njeriut mysafir në shtëpinë e vet. Nuk po e merrja veten nga ky ndryshim. Ishte një gjendje e stimuluar nga inercitë në lidhje të shprishura dhe distanca të zgjatura që prodhonin një lloj malli abstrakt, që në qenien e një krijuesi shndërrohej në një krijimtari të heshtur, e cila do të jepte fryte në një kohë të pacaktuar.
I gjithë background-i fundor ishin heronjtë e librave dhe shumë histori, ku nga rrugëtimet më të papritura vinin edhe inspirime të mëdha. Jo shumë të mësuar me rregullat, por në kapërcime vertikale, historia kish treguar se çdo gjë e investuar të kthehet, në një mënyrë apo në një tjetër. Pikërisht mbi këtë bark obez ëndrrash nëpër netët tona shpërthenin me mijëra fluturime të skajshme. Gjithsesi, vetëkonsiderata si një njeri që bën pjesë në konfigurimin e një artisti, e bënte këtë lloj arratie edhe më përshkënditëse e të adhuruar, njësh e të papërsëritshme, si një lloj vetëburgosjeje e ëmbël nën kthetrat e fantazisë, që të lejonte të imagjinoje mijëra krahasime, duke të lënë nën efektin e një deliri që i ngjan rimishërimit në substancë të madhështisë.
Realiteti ngjante me një skenografi, ndërsa personazhet si një lidhje zinxhir, një zdërhallje në ikje të parashikuar si qendër.
Kthimi në Shkodër, përveçse një lloj korace sipërfaqësore e shumë mbikqyrëse, nga lart poshtë, ndieja se pleksej me histori njerëzish të ngujuar në të njëjtin ëndërrim, por disi më të kursyer e në tone të një romantizmi të lodhur. Avuj të tillë mahiseshin në ndërgjegjen e secilit në forma historish e rrëfimesh nën zë.
Si kudo, nën një peshë të dukshme qëndronte një tjetër masë e padukshme, e ashtuquajtura natyrë e fshehtë njerëzore. Parë nga ajo kohë, e vetmja epërsi mbi atë dhimbje të padukshme qe mosha jonë e re që sfidonte në formë prerëse çdo formulë të vjetër kundrejt asaj çka përfytyronim se do të ishte një e ardhme e denjë në strukturim.
Jeta ime kish përftuar një paqëndrueshmëri të vazhdueshme, pa stacionime të përhershme dhe në një lloj lodrimi që i ngjante zhvendosjeve krijuese.
Në atë kohë, për të ndarë hapësirën e punës, më pat ftuar në studion e tij karikaturisti i njohur Tefë Palushi. Jeta ime më pas do të ishte një lëvizje e gjatë nëpër studiot e miqve, për shkak të pamundësisë për të siguruar një studio timen. Qe si një sëmundje që nuk m’u nda, edhe për shkak të karakterit tim, edhe si pasojë e një pavendosmërie për të jetuar mes qendrës dhe periferisë; në këtë rast mes Shkodrës dhe Tiranës.
Në fakt, një lloj apatie dhe fataliteti ishin si mjete të zgjedhura për të provuar kufij të çuditshëm, një lloj ngathtësie rreth gjërave dhe dukurive, jo si shtyrje, por si fat dhe akumulim i lëvizjes brenda një rutine mbytëse. Vatrat krijuese qenë në lëvizje, kështu që, si pa dashje, ndërroja ajër, ama edhe shkaktoja lidhje dhe miqësi shumë të kursyera e disi orientuese, si ngushëllim i mekur brenda vetes.
Fill mbas diplomës isha i mbushur me ide se çfarë mund të investoja në punën time, dhe si shumë të tjerë krijoja kompozime që përpiqeshin të ngjanin me aktualitetin e asaj kohe. Ndjeshmëri dhe reagime disi naiviste. Kisha shtruar mjaft bocete mbi tablo të rënda në tematikë, subjekte që synonin ndjeshmërinë e opinionit të asaj periudhe. Mbaj mend një kompozim me temë nga aktualiteti, që e punoja në studio, jashtë skemave të njohura, nën një lloj ndikimi nga arti i angazhuar i Renato Guttuso-s. I gjithë kompozimi përqendrohej te loja e dy perspektivave të kundërta: e një vizatimi me karbon (parë nga poshtë lart) dhe e një personazhi në atelie (parë dhe përthyer në formë kontradiktore, si kundërpespektivë).
Në tipizimin e qendrës së personazhit isha në kërkim të një modeli rrëmbyes në karakter. Ngjarjet evokonin një lidhje me demonstratat në Kosovë (vitet 1985), frymën e një uragani popullor për të drejtat dhe liritë, për sovranitetin e mohuar.
Nuk e di se pse më rrotullohej në kokë Timoja, mbase për shkak të një portreti të lakmueshëm e të thjeshtuar, por edhe për shkak të një trupi të kërcyer, ekspresiv. Kisha biseduar me Ed Ramën që të më gjente kontakt me të. Kur kjo u bë e mundur realizova disa vizatime të shpejta me të. Më vonë pata një proces të zgjatur detajimesh me karbon të këtij personazhi.
Ishin vitet 1986-87. Ngujimi im tashmë ishte në qendrën e Bashkimeve Profesionale, së bashku me Tefë Palushin. Shkodra ishte si në gjendje ekstaze, pasi kishte ardhur një grup xhirimi, ku bënte pjesë edhe Timo Flloko me të shoqen, regjisoren Vera Grabocka. Bëhej fjalë për një projekt që kishte të bënte me TVSH-në. Ndihej një lloj ekspansioni nga ana e saj në lidhje me spektaklet televizivë, me një dukshmëri e gjallëri të veçantë. Rama më njoftoi sërish se Timo ishte në Shkodër, se kërkonte që të më takonte. Ishte vakt dreke, zheg. Në qendrën Bashkimeve Profesionale mbizotëronte një lloj qetësie, si në një enë të zbrazur nga interesat e ditës, ku ritmi kish rënë dhe ndihej vetëm prania e shumë citateve propagandistikë nderë muresh. Timo dhe regjisorja në zë mbërritën në studio me një zhurmëri të atillë që e prodhon vetëm shkelja e të ardhurve të rinj, të cilët sillen shpengueshëm e pa teklif. Në studio ishim unë dhe Tef Palushi. Më zuri një lloj sikleti: ai i mikpritësit, me urinë për të parë reagimin e një të sapoardhuri. Studioja bënte përshtypje si e veçuar, sepse qe ankoruar në katin e sipërm, si shtojcë e ndërtesës, por edhe për tensionin e vizatimeve me karbon shpërndarë çrregullt nëpër mure. Siç dukej, Timo dhe Vera njihnin një gamë të gjerë krijuesish shqiptarë. Ata kishin me vete ngarkesën për të qenë në një bisedë të shtruar për preferencat dhe zgjedhjet e tyre. Ndjeva se u bëri efekt kjo gjendje, pasi dukeshin si eksploratorë në zgjedhje të parë, nga ato qenie që të vetëngujuar e të ngjashëm me martirë ndërtonin marrëzinë e një përfytyrimi të skajshëm dhe një botë të nëndheshme që të jep një lloj statusi si të pavarur.
Bota qe zvogëluar në atë kënd të delirit, si për të çekuilibruar opinionin e një zgjedhjeje që mendon se je i zbuluari, ose zbuluesi i një gjendjeje të parilevueshme. Iu afrova nga një cigare dhe për nja çerek ore mbizotëroi një heshtje e nderë. Ndjeva se Timo filloi të krijonte një masë lëvizjeje brenda studios, si dhe të fliste në veten e tretë, duke e konsideruar portretin dhe figurën e tij të vizatuar si një objekt tashmë që nuk i përkiste atij, por në referencë të një vargu personazhesh filmash e librash shumë të njohur, duke u vetëpersonifikuar njësh. U përmend Eugjen Uitla i Drajzerit te libri “Gjeniu” dhe simbole të tjerë shumë të përfolur në bisedat letrare të kohës. Kishte një hap të zgjatur dhe një zë koke të shuar. Ndërtonte një opinion që merrte shkas nga vizatimet dhe e kuptoja se në rafinimin e një modestie qëndronte i kënaqur në një përballje që kish të bënte me vetë atë, parë e riprodhuar në një qendër të kompozimit tim. Heshta, nuk mora pjesë, ngaqë ndihesha i pashpjeguar në zë, duke menduar se piktorët janë të fshehur pas telajos së tyre, dhe protagonizmin e merr puna e investuar.
Po vëreja me kujdes të ardhurit, me ndjesinë e pushtuesit, ndaj dhe i lashë në vlagën e përshtypjeve të tyre të shfaqeshin lirisht, të pacenuar nga ndërhyrjet që bëjnë shpesh piktorët për të destabilizuar shikuesin. Më pas atmosferën e mori në dorë Vera, me ndërhyrjet e saj katarakt që miksonte pjesë nga dita e saj si e stërlodhur dhe pjesa e ndikimit në studio. Përmendte gjithë kohën një çarçaf të bardhë e të njomur, pasi kishte shumë vapë në atë qytet, dhe filloi të referonte se si e shihte ajo të shoqin: me një stimë e simpati, ashtu siç dinë të psonisin gratë. Po e vëzhgoja me lakmi, ngaqë ruante një lloj freskie, nga ato që zgjaten si të përjetshme. Por, nga ana tjetër vëreja edhe një lloj temperamenti në ego të lartë, që nuk linte radhë. Siç vështrojnë piktorët, ajo i takonte një stili modular prej femre tërheqëse, me mollëza të kërcyera dhe një trup të mirëmbajtur, atashuar mes mbetjeve të teknologjisë, një lloj thrill magjie me një moderim të hajthët.
M’u afrua disi veç dhe më foli ulët: “Sa e shet këtë vizatim?” U ndjeva keq dhe i zënë në kurth, pasi nuk isha mësuar me të tilla marrëdhënie. “Nuk shitet, falet. Por, nuk kam ndërmend t’jua jap, se më duhet për kompozimin.”
U step ca dhe më tha: “Nejse, ia lëmë të ardhmes. Flasim.”
Mes gjithë atyre diskutimeve ndihej hepimi i Tefës, sepse përpiqej të ndërmjetësonte në bisedë me atë terezinë e një njeriu që artikulonte me vështirësi për shkak të sëmundjes së njohur që vuante.
Ky episod i së kaluarës u bë shkak për një simpati të hapur dhe si pa kornizë; një miqësi që shëtit si era, gjithnjë e pakryer, për të vijuar në takimin e radhës.
Kaskada e zmadhuar e Timos me karaktere dhe role e bënte të padeshifrueshëm e me pritshmërinë e një njeriu që mban ngarkesa kulturore, por gjithnjë si i pamjaftueshëm, si i pakryer në miqësi; diçka që e ke në dorë e nuk arrin ta përfshish apo ta zgjyrësh në një histori të zakontë, nga ato që shpesh burojnë prej karaktereve që lënë shenjë e nuk të lëshojnë. Ky fluiditet i jep shkas paqëndrueshmërisë së tij për t’u ndjerë – le të themi – në llucë, për të shijuar përmasat e një njeriu që ndihet në erë e në marrëdhënie të zgjatur. Por, më pas vura re se këtë fluiditet ia jep ndrojtja e një personaliteti që nuk do të ndalojë e të lexohet përfundimisht si një nismë e pambaruar, apo e pozuar në marrëdhëniet që kryen në miqësi të afërta. Gjithë këtë fluiditet ia jep atmosfera e një personazhi që është përfshirë nga të shkruarit.
Kështu, si pa e vënë re, kupton se me anë të poezisë orvatet të krijojë një qendër të re dritëhijesh. Panatyrshmëria në sjellje është pasojë e njerëzve të nëndheshëm, që shkakun e lëvizjes dhe të identifikimit e shmangin nga postura publike, për t’u rihedhur sërish në publik nga një fill i ri. Ai kërkon të riprodhojë një udhëtim paralel të personalitetit të tij të nëndheshëm. Me sa duket, streha e brishtë e poetit të fshehur brenda Timos po merr krahë e shpresë për t’u mbjellë nëpër librat që po shkruan tashmë.
Është për tu çuditur, por, pas viteve nëntëdhjetë morën dhenë çlirime të munguara të humusit njerëzor, si efekt i lirisë. Ndaj, shumë nga ata personazhe të mbarsur fatalisht nga e kaluar pësuan një trans-provë duke u lëshuar ndër zëra të brendshëm shthurje të befta. Ndër të vetmit që nuk iu lexua kjo lloj shthurjeje më duket se është Timo Flloko. Nuk e di se për ç ‘arsye, por më duket në një vetëpërmbajtje të palexueshme, në kufij të mirëpërcaktuar të miqësive të veta dhe mjaft i kursyer në vijime mediatike.
Mëkat, sepse publiku ka nevojë për katarsis, qoftë dhe në shkundje kulturore, dhe është i pamëshirë për të të harruar dhe zhbërë. Por, me sa duket, janë kurbat e një karakteri që përpiqet ta zhveshë lëkurën e tij të aktorit, duke na afruar anën tjetër të medaljes, të asaj jete të mëvetshme e të ruajtur me shumë përkorje. Një vetpërmbajtje që të kuriozon, që krijon caqe të distancuara misteri se çfarë ndodh me artistin Timo Flloko.
A mund t’ia dalë Timo Flloko të zhvishet nga kostumi i aktorit? Një sfidë që kërkon një hapje me publikun. Pra, jo më Timo nën petkun e personazhit, por vetë personazhi Timo i derdhur në shfaqjen e hapur që e përjashton lojën e profesionit. Një sfidë që rakordohet me përvoja, që shpesh kërkojnë një mundim të shumëfishtë për të fshirë grimin e një investimi që të ka dhënë një imazh publik. Tërheqja nga një stampim i lartë në memorien publike nuk është një retushim i lehtë, sepse ajo që mund t’i propozosh vetes duhet të jetë në përputhje e propozim të kohës me pritshmërinë publike. Por, Timoja mund ta riatdhesojë në një tjetër posturë këtë orvatje shndërruese, natyrisht falë talentit dhe dashurisë që e karakterizon.
Shihemi shumë rrallë në kufijtë e qytetit, në shëtitoret e Liqenit Artificial. Stepemi një çast për t’u verifikuar nga maskimet në gjendje sportive duke këmbyer përshëndetje të matura. Më vjen të qesh sesi dikush e fsheh simpatinë e një njeriu që synon të zhbëjë famën, ndërsa tjetri ëndërron të jetë në një aftësi fizike të lartë, në një harresë të kohës për të mos u plakur. Nuk kombinohemi, por merremi me mend, ashtu në simpati të pakryer e të boshatisur, sikur ke parë në ëndërr një njeri të famshëm që herë e shtyn e herë e afron përmes fjalës./Gazeta Liberale