Në Qarkun e Elbasanit kanë rënë reshje të dendura shiu, breshëri dhe dëborë, veçanërisht në zonat e thella malore të Librazhdit, Prrenjasit, Gramshit dhe Elbasanit.
“Kapriçot”e motit kanë krijuar vështirësi të përkohshme për lëvizjen me automjete në disa fshatra ndërsa është dashur ndërhyrja e autoriteteve dhe shërbimeve emergjente.
Në Fushë Studën të Librazhdit , mëngjesin e kësaj të marte, trashësia e dëborës ka arritur 3-5 cm.
Ndërsa në Parkun Kombëtar Shebenik trashësia e dëborës ka qenë më e madhe duke arritur nga 15 deri në 25 cm.
Situata ka qenë më e rënduar në fshatrat e tjerë të qarkut Elbasan që ndodhen mbi 900 metra lartësi mbi nivelin e detit ku trashësia e dëborës ka shkuar deri në 10 cm e shoqëruar edhe me ngrica.
Reshjet kanë pushuar dhe temperaturat janë ulur ndjeshëm.
Përveç disa defekteve të shkaktuara në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike të cilat u riparuan gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur probleme të tjera.
Kompanitë e mirëmbajtejes së rrugëve janë angazhuar në pastrimin e akseve të rëndësishme dhe ruajtjen e sigurisë së përdoruesve të këtyre rrugëve veçanërisht në segmentet e rrezikshme sikurse janë “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” e “Kthesat e Pishkashit” si edhe në zonat malore që janë më të prekura nga reshjet e borës