Më 4 tetor 1913 - Qeveria e Ismail Qemalit jep koncesione për dy grupe bankerësh austriakë dhe italianë për themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare.
Marrëveshja e nënshkruar, e cila dha kësaj Banke privilegjin e vetëm për t'u marrë me pasuritë e patundshme, shkaktoi mes shumë shqiptarëve humbjen e besimit për qeverinë e tyre.
Frika ishte se duke shfrytëzuar varfërinë në vend, Banka Kombëtare do te ishte në gjendje të blinte me çmim tepër të lirë gjithë tokën e mundshme, e cila do të kalonte në pronësi të investitorëve austriakë dhe italianë, dhe Shqipëria do të bëhej e hapur për kolonizim të huaj.
Edhe sot pas gati 100 viteve, nuk mund të konsiderohet e gabuar kjo zgjedhje strategjike, sepse ndoshta ka qenë interesi gjeopolitik i Shqipërisë për t’u afruar me dy vendet perëndimore, me Italinë për nga afërsia dhe me Austrinë si vendin historik më mik pro shqiptarëve.
Duket se Italia që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ka pasur një interes të veçantë, ose një “plan pushtimi” të Shqipërisë, ndryshe nga Austria. Italia u përfshi në vitet e para të krijimit të shtetit shqiptar një plan të fshehtë me Greqinë dhe Serbinë, për copëtimin e trojeve shqiptare, ndërsa në mbarim të Luftës së Parë Botërore u përpoq të pushtonte Vlorën. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar prej Italisë, në fillim të Luftës së Dytë Botërore.
Mbi 100 vjet pas krijimit të shtetit shqiptar, ndoshta jo rastësisht, Italia konsiderohet partneri i huaj më i besuar në shfrytëzimin e pasurive ose të investimeve strategjike, apo të bankave të nivelit të dytë. Italia është po ashtu partneri i huaj me volumin më të lartë tregtar, me Shqipërinë.
Banka e nivelit të dytë, më e madhja në vend sot është në duart e austriakëve, ndërsa këta të fundit duhet theksuar se në tërë historinë tonë shtet-formuese kanë qenë mbështetësit të ekzistencës dhe zhvillimit të kombit shqiptar, pa interesa territorialë.