Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet në një seancë jashtë radhe më 27 gusht, për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi deputeten socialiste Olta Xhaçka.
Opozita kërkoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të kuvendit për këtë cështje, por Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali saktësoi se nuk do të thërriste një seancë plenare pa pasur më parë një raport të Këshillit të Legjislacionit për çështjen Xhaçka.
Me apo pa seancë të jashtëzakonshme, mandati i Olta Xhaçkës parashikohet të hapë debatin në sesionin e ri parlamentar qe nis më 2 shtator.
Çështja e mandatit të deputetes socialiste vijon prej gati dy vitesh të endet mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi mandatin e Olta Xhaçkes lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi.