Politikani Dashnor Sula ishte i ftuar sot në “Breaking”, ku foli për situatën aktuale në Partinë Demokratike dhe largimi ne tij nga forca ku bashkëpunoi për 20 vite.
Ai iu referua largimit të tij me termin “më shporrën” teksa tha se nuk e kishte imagjinuar këtë moment. Por megjithatë ai tha se nuk është nga ata politikanë që “kalon ylberin”, duke nënkuptuar se nuk do bashkohet me asnjë forcë tjetër.
“Është hera e parë pas 20 vitesh në këtë situatë, të cilën as nuk e kisha imagjinuar. Në momentin që mua mu pre rruga në mënyrë të menjëhershme, të padrejtë dhe më shporrën nga Partia ku kam kaluar 20 vite, sigurisht nuk është faji im dhe nuk kam çfarë të them.
Nuk jam nga ata politikanë që e kalojnë ylberin dhe nga burra bëhen gra. Në kuptimin që nuk ndërroj krah. Nuk e kam këtë qasje dhe lirinë time nuk mund ta shes për asgjë, e kam të shenjtë. Familjen, atdheun dhe lirinë i kam të shenjta. Unë nuk jam më i qetë. Prej 20 vitesh në trupin tim kam gjak blu. Por e keqja është që drejtuesit e lartë të PD-së, nuk kanë të bëjnë me gjakun blu, por kanë gjak rozë. U intereson më shumë vetja, karriera personale, arritjet e tyre sesa demokratët. E them me keqardhje këtë gjë.”- u shpreh Sula.