Politikë

INTERVISTA/ Kush do ta udhëheqë fushatën e opozitës? Pas marrjes së vulës, Argita Malltezi kundër ideve të Gazment Bardhit

Shkruar nga Liberale

INTERVISTA/ Kush do ta udhëheqë fushatën e opozitës? Pas

Argita Malltezi nuk është ende pjesë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike, por qëndrimi i saj shihet si përcjellje në publik i qëndrimeve të kreut të opozitës, Sali Berisha, i cili, prej fundit të dhjetorit 2023, gjendet në arrest shtëpie. Dhe ajo nuk ka ngurruar të tregohet direkte në kundërshtimin e idesë së Gazment Bardhit për një kandidat për kryeministër nga diaspora, që të udhëheqë fushatën elektorale të opozitës.

 “Mendoj që është një eksperiment i patestuar, por edhe i rrezikshëm në një farë mase, sepse vlerësimi me realizëm i situatës autokratike në të cilën ndodhet Shqipëria, i eliminimit të zgjedhjeve të lira, për shkak të masave represive të Ramës me të gjitha format, me drejtësinë, në kapjen e financave publike etj, e bën të pamundur një gjë të tillë, sado që është një ide shumë e mirë, - thotë Malltezi.

Argita Malltezi, la hapur gjithçka për sa i përket përfshirjes së saj në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike apo në grupin e saj parlamentar, duke kandiduar në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Deri para 8 muajsh, ju nuk më keni parë në media që të flas për çështjet e politikës. Kjo nuk ka qenë në projektet e mia. Sot nuk di t’ju them se çfarë do të sjellë e nesërmja dhe sesi do të reagoj. Për shkak të rrethanave kam vendosur të heq dorë nga rrjedha normale e jetës dhe të përfaqësoj një kauzë. Do ta ndjek deri në fund pa asnjë diskutim, por nuk parashikoj dot, nëse do të marr një vendim dhe kur do ta marr një vendim”- tha Argita Malltezi, e cila dukej e sinqertë në përgjigjen e saj, gjatë së cilës shprehu dëshirën që jeta e saj të rikthehej në normalitet, si përpara tetorit 2023, kur bashkëshorti i saj u arrestua dhe ndaj babait të saj u morën disa masa sigurimi, të vlerësuara si antikushtetuse. Ajo që u kuptua qartë dhe që Argita Malltezi e pohoi për herë të parë pas këmbënguljes së gazetares Elona Meço ishte se gjithçka ndryshoi nga gjendja e arrestit të Sali Berishës.

Pjesë nga intervista e Argita Malltezit për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

Cilat janë rrethanat që do t’ju detyronin ju të hynit në politikë, psh, që Sali Berisha të mbetej në arrest?

Realisht nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj, sepse thashë, nuk ishte një planifikim që unë do të angazhohesha dhe do të bëjë këtë intervistë apo të tjera si kjo para tetorit 2023.

Në fakt juristët kanë gjithmonë disa plane, përveç planit A.

Po, e vërtetë, por i kanë atëherë kur kanë synim për të arritur diçka. Politika aktive nuk ka qenë kurrë synimi im. Dhe nuk kam patur një projekt. Politika ka qenë gjithnjë pjesë integrale e jetës sime, pjesë kushtëzuese e jetës sime, por jo angazhimi politik si profesion. Por duke thënë këtë, prapë dua ta përsëris, edhe pse ju i quani fraza klishe, por nuk është kështu, pra, nëse vendos ta bëj, do ta bëj sipas procedurave të PD, sipas statutit të PD dhe gjithmonë me koshiencën e plotë që trashëgimia e Sali Berishës nuk është trashëgimi familjare, është trashëgimi e personave që kanë kontribuar në PD për 32 vite dhe e kanë mbështetur Berishën, përpjekjet e PD-së në qeveri dhe në opozitë gjatë këtyre 32 viteve.

Kur thoni “nëse vendos që do ta bëj”, e keni fjalë për t’u bërë pjesë e grupit parlamentar si një mënyrë kjo për të hyrë në politikë, për të drejtuar partinë apo për të marrë pjesë në strukturat drejtuese të PD?

Nëse do të ketë nevojë, do të angzhohem sipas nevojave që do të krijohen. Nuk mund të them asgjë tjetër sepse, realisht, nuk është diçka që mun ta parashikoj.

Deri kur do të presim ne?

Unë shpresoj që gjërat të vijnë në rrjedhën normale dhe unë të rimarr rrjedhën time normale të jetës, atë që kisha planifikuar dhe kisha planifikuar shumë gjëra në fakt. Politika nuk ishte një prej tyre. Nëse ndodh që nuk do të rikthehem shpejt në rrjedhën që kisha planifikuar, këtu jam, përsëri do të flasim.

Pra duhet të dalë Sali Berisha nga arresti i shtëpisë, që ju të ktheheni në rrjedhën tuaj normale?

Po, besoj se po.

 

 


 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH