Makina, që vinte nga Anagni (Frosinone), po udhëtonte në Casilina me shpejtësi marramendëse, me rreth 200 kilometra në orë. Dy shqiptarë u raportuan fillimisht të vdekur dhe një i tretë në gjendje të rëndë.
I katërti në bordin e BMW-së së vjedhur e cila u përmbys dhe mori flakë, u gjet i pajetë, 300 metra larg vendit të aksidentit që ndodhi të shtunën në mbrëmje në via Casilina.
Ai është një shqiptar 33-vjeçar, bashkatdhetar i tre të tjerëve që ishin me të, prej të cilëve vetëm njëri shpëtoi dhe u shtrua në spital. Trupi i tij u gjet në sajë të denoncimit të bërë nga një grua e cila i tha policisë se nuk kishte informacion për partnerin e saj, i cili kishte dalë me viktimat e aksidentit.
"Makina u ngrit nga toka dhe fluturoi, dukej si një raketë," tha një grua që pa nga afër aksidentin ku u përfshi makina BMW.
Përplasja e fortë shkaktoi vdekjen e menjëhershme të Marian Kolës, 23 vjeç dhe Blerim Miha, 27, ndërsa pasagjeri i tretë, 28 vjeç, u hodh jashtë dhe aktualisht po lufton mes jetës dhe vdekjes në spital.
Të gjithë shqiptarët ishin pa dokumente dhe u identifikuan falë gjurmëve të gishtave të marra në morgun e qendrës së mjekësisë ligjore Tor Vergata.
Pas përplasjes, BMW ka marrë flakë në pjesën e përparme. Flakët kanë mbështjellë motorin dhe pjesërisht kabinën e pasagjerëve ku ndodheshin dy trupat e pajetë. Ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e nevojshme për të shuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në shkurre.
/Liberale.al/