Ekonomi

Tjetër rritje çmimesh? Banka e Shqipërisë: Presione për shtrenjtim të naftës e ushqimeve

Shkruar nga Liberale

Tjetër rritje çmimesh? Banka e Shqipërisë: Presione

Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziku e rritjes së çmimeve në ekonominë shqiptare paraqiten në rritje.

Sipas Raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë të vitit balanca e rreziqeve për inflacionin anon në kahun rritës dhe në veçanti presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve në prani të konflikteve rajonale prezantojnë rreziqe të reja për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste.

Paralelisht me to, presionet nga tregu i brendshëm i punës në Shqipëri mund të rezultojnë më të forta dhe më të qëndrueshme, duke shtyrë për lart trajektoren e parashikuar të inflacionit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjendja ciklike e ekonomisë vijon të mbetet pozitive. Punësimi ka vazhduar të rritet dhe norma e papunësisë ka rënë, ndërsa hendekët e prodhimit, të punës dhe të shfrytëzimit të kapaciteteve mbeten në kahun pozitiv. Tregu i shtrënguar i punës ka vijuar të nxisë rritjen e pagave në sektorin privat.

Këto zhvillime mbajnë në nivele ende të larta inflacionin bazë dhe të brendshëm, pavarësisht ngadalësimit të përmbajtur të tyre në tremujorin e katërt.

Inflacioni mesatar i tremujorit të katërt 2023 rezultoi në vlerën 3.9%, duke regjistruar një rënie prej 0.2 pikësh përqindjeje kundrejt tremujorit paraardhës dhe prej 4 pikësh përqindjeje kundrejt të njëjtës periudhe të një viti më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, tendenca rënëse e inflacionit u diktua nga dobësimi i presioneve të huaja inflacioniste, nga forcimi i kursit të këmbimit të lekut, si dhe nga materializimi gradual i impaktit të kursit normalizues të politikës

monetare. Intensiteti i reduktimit të inflacionit erdhi në ngadalësim progresiv gjatë tre tremujorëve të fundit. Në veçanti, ngadalësimi i trendit rënës të inflacionit në tremujorin e katërt pasqyroi si rënien më të ngadaltë të çmimeve të ushqimeve në tregjet ndërkombëtare ashtu edhe rritjen e çmimeve të naftës.

Megjithatë, paralelisht me këto efekte të tregut të huaj, rritja e shpejtë e turizmit u pasqyrua në çmime të larta të shërbimeve dhe të qirave gjatë tremujorit të katërt.

Në përputhje me analizën dhe parashikimet e mësipërme, Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e datës 7 shkurt vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%.

Megjithatë, në deklaratë Këshilli theksoi se qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste dhe rreziqet e kahut të sipërm mbi inflacion kërkojnë monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe reagim në kohë nga politika monetare, për të garantuar respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve.

Të dhënat e para të vitit 2024 treguan një rënie të mëtejshme të inflacionit në 3.4% për muajin janar. Megjithatë, mbështetur edhe në analizën e Bankës së Shqipërisë, rreziqet inflacioniste ngelen të larta dhe mund të aktivizohen më tej pas tremujorit të dytë, kur pritet rritje e kërkesës, e lidhur me turizmin, por edhe me rritjen e pagave në sektorin publik./ Monitor/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH