Të dhënat dramatike: kriza e rëndë demografike në mbarë kontinentin, e shkaktuar nga rënia e lindshmërisë rëndohet në vendin tonë edhe nga norma e lartë e emigrimit prej të rinjve. Çfarë po bën Shqipëria për të parandaluar shuarjen e saj, para se të jetë vonë?
Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe gjatë viteve të luftës kishte më shumë lindje se sa gjatë vitit që lamë pas. “Ngushëllimi” ose justifikimi i vetëm për Shqipërinë është se rënia e lindshmërisë është fenomen që po shqetëson vendet e mëdha e më të zhvilluara në Europë e më gjerë. Por nëse problematikat janë të ndryshme, nga njëri vend në tjetrin sikurse edhe shkaqet, qeveritë e vendeve të tjera po bëjnë të pamundurën, për të parandaluar rënien. Çfarë po bën Shqipëria? Përveç faktit që të rinjtë po i largohen më masivisht se çdo vend tjetër i kontinentit në emigracion?
Çfarë po bën Shqipëria për të joshur të rinjtë të krijojnë familje e të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri?
Shqipëria, përballë krizës së dyfishtë
Me një normë 1.37, Shqipëria klasifikohet ndër vendet me lindshmërinë më të ulët në Europë. Norma e lindjeve në vendin tonë për vitin 2023 sipas “Statista” është nën mesataren e Bashkimit Europian, 1.5, gati e përafërt me normën e vendeve të mëdha e të zhvilluara të BE-së, që po përballen me krizën më të rëndë demografike në histori, si Italia dhe Spanja. Në rajon më keq se Shqipëria paraqitet Bosnie dhe Hercegovina (siç tregon tabela). Serbia (1.53), Kosova (1.51) janë mbi mesataren e BE-së kurse ashtu si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut (1.38), Greqia (1.38) dhe Kroacia (1.45) janë nën mesataren.
Të dhënat mbi treguesit demografikë në vendin tonë, nga “Instituti i Statistikave” për vitin 2023, flasin për 22,210 lindje në shkallë vendi dhe 20,034 fatalitete. Krahasuar me vitin 2022 shifrat zbulojnë se kemi të bëjmë me 10% më pak lindje dhe 16.5% më pak fatalitete. Edhe në Shqipëri sikurse në shumë vende të tjera të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2023 regjistroi rekordin më të ulët historik të 33 viteve të fundit sa i përket numrit të lindjeve.
Në dekadën e fundit është thelluar rënia e lindshmërisë, nga afro 35,500 (që regjistroheshin 10 vite më parë) duke arritur në vetëm 22,200 lindje në vitin që lamë pas. Rënies së ndjeshme të normës së lindshmërisë i shtohet edhe ajo e normës së lartë të emigracionit, çka përbëjnë një “bombë me sahat” për të ardhmen e kombit tonë në aspektin socio-ekonomik. Nëse nuk do të hartohen dhe zbatohen politika efikase, me qëllim për ta parandaluar ose zbutur fenomenin e rënies e të plakjes së popullsisë, çdo gjë tjetër do të konsiderohet herët e vonë thjesht “një përpjekje e dëshpëruar”. Ndoshta të ngjashme me përpjekjet që u bënë për të shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që e priste pas humbjes së parave në skemat piramidale, në mungesë të përpjekjeve që duheshin bërë për të parandaluar krijimin e firmave piramidale.
Kriza demografike në Europë
Një tjetër rënie vazhdoi që nga viti 2008, kur lindën 4.68 milionë foshnja në BE. Pas 15 vitesh, në Evropë lindin mesatarisht 800 mijë vajza dhe djem më pak. Vetëm 3.88 milionë qytetarë të rinj europianë kanë lindur në vitin 2022. Një vit më parë, lindjet ishin mbi shifrën 4 milionë.
Kjo është panorama që del nga raporti i publikuar nga Eurostat për vitin 2022 në shkallë kontinenti. Norma totale e lindshmërisë në 27 vendet anëtare ishte 1.46 lindje për grua. Një rënie tjetër pas rritjes së lehtë në vitin 2021. 2022 ishte shifra më e ulët e regjistruar në BE që nga viti 2004.
Normat më të ulëta janë në Mesdhe: në fund të renditjes janë Malta (1.08 lindje për grua), Spanja (1.16) dhe Italia (1.24). Situata në Itali ka qëndruar praktikisht në stanjacion prej vitesh, me normën e lindshmërisë që ka rënë me 0.3 për qind nga viti 2019 e deri më sot. Ky është një trend i zakonshëm në të gjithë BE-në, me një përjashtim. Vetëm në Bullgari lindin më shumë fëmijë: nga 1,58 për grua në 2019 në 1,65 në 2022.
Mosha mesatare në BE në të cilën gratë lindin fëmijën e tyre të parë është domethënëse: 29.7 vjeç. Duke parë vendet anëtare, Italia kryeson renditjen e vjetërsisë, me gratë italiane që bëhen nëna për herë të parë në moshën 31.7 vjeç. Në të kundërt, Bullgaria ka nënat më të reja në Europë: fëmija i parë vjen mesatarisht në moshën 26.6 vjeç. Të dhënat sipas vendeve për vitin 2023 tregojnë se kriza është duke u thelluar.
Italia përballë krizës historike
Në vitin 2023, lindjet në Itali ranë me 3.6 për qind dule prekur në nivelin më të ulët historik, çka ka nxjerrë në pah betejën e vështirë me të cilën po përballet kryeministrja Giorgia Meloni, ndërsa qeveria kërkon të ndryshojë plakjen e shpejtë të popullsisë italiane.
Vetëm 379,000 foshnja lindën në Itali në vitin 2023, nga rekordi më i ulët i vitit të kaluar prej 393,000 – që publikoi Istat, agjencia kombëtare e statistikave, niveli më i ulët të lindjeve, që nga bashkimi Italisë në 1861.
Istat tha se të dhënat nuk treguan asnjë shenjë përmirësimi në "dimrin demografik" të Italisë, gjatë të cilit normat e lindshmërisë kanë rënë ndjeshëm nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1, pasi shumë gra italiane zgjedhin të kenë më pak se dy ose asnjë fëmijë.
Në të dhënat e publikuara të premten, Istat tha se shkalla totale e fertilitetit në Itali - numri mesatar i fëmijëve për grua - ra në 1.2 në 2023, nga 1.24 që ishte një vit më parë dhe kjo normë ishte afër nivelit më të ulët historik prej 1.19 të regjistruar në 1995.
Nga foshnjat e lindura në Itali në vitin 2023, sipas Istat, 13.3 për qind ishin fëmijë të shtetasve të huaj. Si zgjidhje, ekspertët thonë se kërkohen politila afatgjata dhe mbi interesat partiak
Në vitin 2023, sipas Statista, Ishujt Faroe ishin vendi europian që vlerësohej të kishte shkallën më të lartë të lindshmërisë.
Shteti i vogël ishull në Atlantik kishte një normë lindshmërie prej 2.71 fëmijë për grua. Vende të tjera të vogla si Monako dhe Gjibraltari gjithashtu dolën në krye të listës për vitin 2023, ndërsa vendi i madh me shkallën më të lartë të lindshmërisë ishte Franca, me 1.79 fëmijë për grua. Nga ana tjetër, Andorra, San Marino dhe Malta kishin normat më të ulëta të lindshmërisë në Evropë, ku Ukraina, Spanja dhe Italia ishin vendet më të mëdha me norma të ulëta të lindshmërisë në atë vit, mesatarisht rreth 1.3 fëmijë për grua.