Ekonomi

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga Shqipëria, sipas Censit 2023. A kanë dështuar politikat parandaluese?

Shkruar nga Liberale

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga

Aranit Muraçi

Analiza e të dhënave dramatike nga rezultatet e Censit 2023, bie për një dekadë mbi 400 mijë numri i popullsisë, shtohet moshat në pension, të rinjtë largohen në emigracion

Censi i Popullsisë dhe Banesave 2023 (më tej referuar si Censi) konsiderohet si fotografia demografike dhe socio-ekonomike e popullsisë banuese në Shqipëri. I renditur i dymbëdhjeti në sekuencën e censeve të kryera në Shqipëri, në harkun kohor prej më shumë se 100 vjetësh, Censi 2023 zbuloi sërish trendin rënës të popullsisë së Shqipërisë. Prej 23 vitesh trendi ka qenë thuajse i pandryshuar, sepse largohen çdo vit 50 mijë qytetarë. Por nëse në dekadën e kaluar popullsia ishte më e lartë dhe dominonte mosha aktive për punë, fakti që vazhdojnë të largohen rreth 50 mijë qytetarë çdo vit edhe për dekadën e fundit, tregon se shqiptarët masivisht dhe fatkeqësisht vazhdojnë të mos shohin të ardhme në vendin e tyre.  

Popullsia banuese në Shqipëri, sipas numërimit në momentin e censit - mesnatën e së dielës dhe mëngjesin e së hënës 17-18 shtator 2023 rezulton 2,402,113, prej të cilëve, 49,6 përqind janë meshkuj dhe 50,4 përqind femra. Referuar Censit të Popullsisë dhe Banesave 2011, popullsia banuese në Shqipëri ishte 2.821.977, me një rënie prej 420 mijë banorë. Kjo rënie përshtatet me trendin e vërejtur gjatë tre dekadave të fundit, që prej Censit të vitit 1989.

Popullsia e Shqipërisë nisi të zvogëlohet që prej vitit 1990, i cili shënoi një fazë të re në zhvillimin politik, ekonomik dhe demografik të Shqipërisë. Para vitit 1990, vendi përjetoi një rritje të qëndrueshme të popullsisë. Gjatë periudhës pasuese, normat e ulëta të lindshmërisë dhe emigracioni ishin faktorët kryesorë që kontribuan në zvogëlimin e popullsisë. Gjatë periudhës midis censeve 2001-2011, vlerësohet se rreth 500 mijë individë emigruan nga Shqipëria, një mesatare prej rreth 50 mijë individë në vit. Ky trend emigracioni qëndron pothuajse i njëjtë me mesatarisht 50 mijë emigrant në vit. Numri i lindjeve ka ardhur në rënie, nga 53 mijë në vitin 2001 në 34 mijë në vitin 2011, ndërsa, numri i vdekjeve në këtë periudhë mbeti në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë vdekje në vit, duke rezultuar me një shtesë natyrore pozitive.

Gjithashtu, referuar periudhës 2011-2023, popullsia e Shqipërisë karakterizohej nga një shtesë natyrore pozitive deri në vitin 2020, dhe në 2021 mbas pandemisë COVID-19, numri i vdekjeve tejkaloi numrin e lindjeve. Për vitin 2023, nga të dhënat administrative rezultuan rreth 24 mijë lindje dhe 22 mijë vdekje, duke shënuar rikthim në shtesën natyrore pozitive.

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionitndërkombëtar/brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censusin e 2023. Figura 2.2 paraqet piramidën e popullsisë bazuar në Censin e 2023, së bashku me atë të Censit 2011 të spostuar me 12 vite lart, duke theksuar zhvillimet në strukturën e popullsisë sipas moshës dhe gjinisë.

Duke analizuar grupmoshën 50-69 vjeç në piramidën e popullsisë, vërehet një zgjerim që përputhet me një periudhë lindjesh midis mesit të viteve 1950-1970. Shqipëria gjatë kësaj periudhe është karakterizuar nga një rritje e normave të lindshmërisë, njohur si “baby boom”. Norma të ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese solli ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Lindshmëria nën nivelin e zëvendësimit prej vitit 2001, rritja e jetëgjatësisë, si dhe migracioni mbeten faktorët kryesorë të plakjes së popullsisë.

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga

Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7 përqind) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3 përqind) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5 përqind në Censin e 2001. Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0 përqind nga 30,4 përqind vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve pësoi rritje në 30,4 përqind nga 16,7 përqind në 2011. Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8 për qind) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9 për qind). Ndërsa, Gjirokastra ka raportin e varësisë së të rinjve më të ulët (19,0 përqind) dhe raportin më të lartë të varësisë së të moshuarve (46,1 përqind). Mosha mesatare e popullsisë është 42,5 vite, nga 35,3 vite që ishte në Censin 2011.

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga

Raporti gjinor i popullsisë rezulton 98,2, (numri i meshkujve për 100 femra). Ky raport është më i ulët se vlerësimi global i njohur (101,0) 3, por më i lartë së raporti gjinor i EU-së, i vlerësuar në 2022 prej 95,64. Në moshat e vogla deri në 10 vjeç, numri i meshkujve tejkalon atë të femrave, me një raport gjinor më të lartë se 108. Ky raport përmbyset në moshat 40 dhe pas të 80-ve, me një rënie të madhe për shkak të jetëgjatësisë së lartë të femrave krahasuar me meshkujt. Raporti gjinor në popullsinë mbi 80 vjeç është 82,1, si dhe pesë në gjashtë individë të moshës 100 vjeç e lart janë femra.

Sipas Censit, 54,9 përqind e popullsisë rezulton i/e martuar, 36,6 përqind janë ende beqar, 7,0 përqind kanë status “I/e ve” dhe 1,4 përqind e divorcuar ose e ndarë. Deri në moshën 30 vjeç, përqindja e individëve beqar është më e lartë. Pas moshës 30 deri në 85 vjeç, rritet përqindja e personave të martuar, duke arritur pikun me rreth 88 për qind në grupmoshën 45-64 vjeç. Pas moshës 65 vjeç e lart, përqindja e individëve të ve, ka një rritje të konsiderueshme.

Për realizimin e Censit u deshën 17 milionë euro inevstim nga BE. Censi ofron të dhëna të rëndësishme për strukturën demografike, karakteristikat sociale dhe ekonomike, karakteristikat e banesës, ndërtesat dhe kushtet e jetesës së njësive ekonomike familjare në nivel qendror dhe vendor. Informacioni i siguruar nga ky cens do të shërbejë për hartimin e planeve për investime infrastrukturore, për planifikime në fushën e arsimit, shëndetësisë, transportit dhe fusha të tjera socio-ekonomike, në përmbushje të nevojave të komunitetit. Duket se të dhënat e kaluara nuk kanë dhënë asnjë efekt në masat që janë marrë nga politik-bërit në parandalimin e emigracionit, ndaj edhe shpresohet që të ketë politika më përgjegjshme për një të ardhme më të mirë. Nëse do të refuzojmë të mos e njohim këtë realitet, nuk do të kemi mundësi të afrojmë dot as zgjidhje./Liberale.al/

SHIFRA E DITËS: 50 mijë emigrantë çdo vit largohen nga

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH