Ekonomi

Rrugët me pagesë në Shqipëri, krahasuar me Kosovën dhe rajonin

Shkruar nga Liberale
Rrugët me pagesë në Shqipëri, krahasuar me Kosovën dhe

Vitit 2024 shënon përfundimin e disa prej veprave më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore dhe nisjen e disa projekteve të reja po ashtu të rëndësishme. 
 
Pjesa më e madhe e projekteve janë investim buxhetor ndërsa nuk mungojnë edhe projektet infrastrukturore që janë realizuar si investime private.

Shqetësim për drejtuesit e mjeteve në vend ka qenë çmimi i pagesave, i cili shpesh herë është bërë objekt diskutimi si “jo proporcional për gjendjen ekonomike të vendit”.

Të tilla kanë qenë shqetësimet për projektin e parë të një autostrade me pagesë, si Rruga e Kombit, e cila në fraksionin shqiptar paguhet me një tarifë prej 5 eurosh.

Së fundmi, rrjetit i është shtuar edhe një segment, i cili lidh Thumanën me Kasharin, duke lehtësuar trafikun nga veriu.

Ky paguhet në shumën e 2.1 eurove dhe nëse merret si i plotë, një udhëtar nga zonat veriore, apo edhe Kosova, duhet të paguajë në tërësi 7.1 euro për të mbërritur në rrugën interurbane Tiranë-Durrës.

Me zhvillimin e një projekti të ri edhe për këtë segment, mund të aplikohet sërish tarifa e pagesës dhe të shtojë kostot.

Ndërkaq, edhe tuneli i Llogarasë, i hapur të premten e 5 korrikut zyrtarisht, do të jetë prej vitit të ardhshëm me një pagesë prej rreth 5 eurosh për kalim.
 
Pra, drejtuesit shqiptarë të mjeteve dhe udhëtarët e shpeshtë kanë nisur të shqetësohen realisht për shumat që duhet të paguajnë për kalimet në këto segmente dhe çmimet e “kripura” sipas tyre.
 
Dy autostradat e Kosovës u ndërtuan me buxhetin e shtetit

Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro. Ndërkaq, autostrada Prishtinë –Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, me gjatësi prej 55 kilometrash, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Të gjitha vendet e rajonit kanë një taksë specifike për autostradat, taksë e cila shërben për mirëmbajtjen e rrugës. Kjo taksë ndryshon nga shteti në shtet.
 
Autostradat me pagesë në rajon

Sipas faqes zyrtare Tolls.eu, e cila tregon të gjitha çmimet që duhet të paguhen në çdo autostradë në vendet e rajonit dhe me gjerë, çmimet e taksës për autostradë, përcaktohen sipas lartësisë së automjetit.

Në Shqipëri, në autostradën, Milot – Morinë, që njihet si “Rruga e Kombit”, e që ka gjatësi prej 128 kilometrash, pagesa për motoçikleta është 2.50 euro, ndërsa për vetura 5 euro.

Autostrada Beograd – Preshevë, me gjatësi 350 kilometra, për motoçikleta kushton 6.2 euro, ndërsa për vetura, taksa është 12.4 euro.

Për autostradat në Maqedoninë e Veriut, çmimet fillojnë nga 1.3 euro deri në 4.36 euro, varësisht nga kilometrat e autostradës./Përgatiti Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH