Autoriteti i Konkurrencës gjobiti me 97,700,736 lekë (970 mijë euro) kompaninë e tregtimit të çimentos ANTEA CEMENT SHA.
Lajmin e konfirmon edhe kreu i Autoritetit të Konkurencës, Denar Biba.
Diskriminim i çmimeve nga ndërmarrjet që kanë fuqi të madhe në treg konsiderohet një shkelje e rëndë e ligjit të konkurrencës. Kjo pasi ndërmarrja vendos klientët e saj në kushte të pabarabarta. Për këtë arsye ligji parashikon dënimin me gjobë në rastet e shkeljeve të kësaj natyre.
Përmes një njoftimi, Konkurrenca njofton se gjatë vitit 2022, Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës ka monitoruar tregun e prodhimit/importit dhe shitjes me shumicë të çimentos, me qëllim evidentimin nëse ka apo jo shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në këtë treg.
Nisur nga ky fakt, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos gri dhe të bardhë, për periudhën kohore nga 1 Janari 2019 deri në 31 Mars 2023.
Prodhuesi grek i çimentos Titan hapi zyrtarisht fabrikën me një investim prej 200 milionë euro në Shqipëri, në vitin 2010.
Fabrika, e vendosur në Krujë, 30 kilometra në veri të Tiranës, vlerësohet me një kapacitet vjetor prej 1.5 milion ton çimento, e cila tregtohet brenda dhe jashtë vendit, thotë Antea Cement në një deklaratë në faqen e saj të internetit.
Fabrika, ndërtimi i së cilës filloi në mesin e vitit 2008, është një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe sektori privat i Bankës Botërore, Korporata Financiare Ndërkombëtare, janë gjithashtu aksionerë në Antea Cement.
Titan e cila ka marrë me një koncesion 99-vjeçar fabrikën shqiptare të çimentos, ka një prani të fortë në EJL, duke drejtuar njësi prodhimi në Serbi, Maqedoni dhe Bullgari. Ajo ka 13 njësi prodhimi në 12 vende në mbarë botën dhe një rrjet të zhvilluar shpërndarjeje në Evropën Perëndimore.