Nga dita që hyri në fuqi dhe deri sa u shfuqizua ligji mbi profesionet e lita, arka e shtetit ka grumbulluar rreth 10 milionë euro.
Pas shfuqizimit të ligjit ende nuk ka asnjë vendim se çfarë do të bëhet me 10 milionë Euro të taksuara në rrugë antikushtetuese
Nga 1 janari 2024 sipas ligjit të gjithë personat fizikë tregtar apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtoheshin më si biznes i vogël me 0% tatim. Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.
Lista për profesionet e lira e miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave, është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyri në fuqi më 1 janar. Lista është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione. Këta persona para se të futej ligji në fuqi, rezultonin të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si person fizik, dhe paguajnë vetëm kontributet e sigurimeve shoqërore.
Në Gjykatën Kushtetuese është publikuar pak ditë pas vendimit i plotë shqyrtimi i saj për profesionet e lira, të marrë në seancën përfundimtare të 27 Qershorit.
Në vendim Gjykata argumenton se hyrja në fuqi e detyrimit tatimor 15 dhe 23% për profesionet e lira, teksa për bizneset e tjera norma e re tatimore nis zbatimin nga 2030 cenon parimin e proporcionalitetit. Për më tepër, nomenklatura e veprimtarive ekonomike konkrete që u nënshtroheshin efekteve të ligjit u miratua vetëm 10 ditë përpara se skema e re tatimore të fillonte zbatimin.
“Gjykata çmon se përmbajtja e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të Ligjit të Tatimeve, që përcakton një kalendar të ndryshëm për hyrjen në fuqi të detyrimit të ri tatimor për të vetëpunësuarit që furnizojnë shërbime profesionale në krahasim me të vetëpunësuarit që kryejnë veprimtari të mirëfilltë tregtare (duke rezervuar për këta të dytët një zgjidhje të butë me hyrjen në fuqi të normës së re tatimore në vitin fiskal 2030), e gërshetuar me masën e normës së re tatimore prej 15%, mungesën e një periudhe të përshtatshme njoftimi për subjektet mbi të cilat rëndon norma e re tatimore (ajo hyri në fuqi rreth 7 muaj nga miratimi i ligjit, ndërsa përcaktimi i llojit të aktiviteteve konkrete, të cilat do t’i nënshtroheshin normës të re tatimore duke filluar nga viti fiskal 2024, u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave vetëm 10 ditë përpara se të fillonte zbatimi i efekteve të ligjit), pa ndonjë lloj forme përshkallëzimi dhe pa u dhënë mundësinë e duhur subjekteve të përshtateshin me masën e re të normës tatimore cenon parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur nga ligjvënësi.
Në këtë pikë Gjykata vë në dukje se zbatimi i ligjeve tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare, ndaj dhënia kohë tatimpaguesve u jep atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përballuar pasojat e skemës së zbatueshme.