Aktualitet

“Të rritet kufiri i hetimit të korrupsionit”- Dumani: Ekstradimet t’i kalojnë SPAK

Shkruar nga Liberale
“Të rritet kufiri i hetimit të korrupsionit”- Dumani:

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, prezantoi këtë të hënë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë raportin vjetor të SPAK për vitin 2024.

Dumani ishte i shoqëruar nga drejtuesit e sektorëve të SPAK, prokurorët Klodian Braho i Korrupsionit dhe Adnan Xholi, i Krimit të Organizuar. Të pranishëm në mbledhje ishin edhe përfaqësuesit e OPDAT dhe Ambasadës Amerikane.

Gjatë mbledhjes, Dumani u shpreh se duhet të rritet kufiri monetar i korrupsionit që duhet të hetohet nga SPAK. Sipas tij, Prokuroria e Posaçme duhet të merret me rastet e korrupsionit madhor dhe jo të nisë hetime për çështje që fillojnë kur abuzimi është 500 euro.

Dumani: “Sa i takon korrupsionit mbi shumën 50 mijë lekë të reja, ka nevojë të ndryshohet kufiri monetar, të rritet. Jam dakord me ju se korrupsioni duhet të përfshijë për të ndjekur rastet e korrupsionit të madh dhe subjektet e mëdha.”

Dumani kërkoi gjatë mbledhjes edhe dhënien e kompetencave ligjore që SPAK të kryejë ekstradimet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit që janë nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme.

Dumani: “Nisur edhe nga fakti se këta shtetas shqiptarë akuzohen për vepra penale për krim të organizuar dhe që SPAK ka kompetenca, do ishte e përshtatshme që edhe ekstradimi të ishte në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme, por jemi të vetëdijshëm që ka nevojë për ndryshime ligjore.”

Në lidhje me dosjet e mbartura, Dumani ngriti shqetësimin për zgjatjen e procedurave në seancat paraprake dhe ndikimin e tyre në afatet e paraburgimit.

Dumani: “Një shqetësim që dua ta ngre është shqyrtimi përpara gjyqtarit të seancës paraprake. Ky shqyrtim merr shumë kohë. Kodi i procedurës parashikon që seanca paraprake ka afat njëmujor.”

Dumani: “Kjo sjell problematika sa i përket afateve të paraburgimit. E njëjta situatë është edhe me gjykimin e shkurtuar. Aplikimi i tij tashmë kërkon kohë. Zgjatet koha e trajtimit të çështjes. Sa i takon zgjatjes së çështjeve të mbartura, hetimet kërkojnë kohë. Sa i takon përgjigjeve nga institucionet shtetërore, nuk them që është problematike dhe nuk kushtëzohet prokurori nga kjo. Çështjet që varen nga bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore të huaja, ka raste që zgjasin shumë, 2-3 dhe 5 vite. Dhe ekzekutimi i letërporosive merr kohë. Nuk flas vetëm për krimin e organizuar por edhe për raste korruptive.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH