Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga pesë punonjësit e bashkisë Rrogozhinë, të arrestuar tre ditë më parë për shpërdorimin e fondeve të rindërtimit.
Mësohet se Besim Ballabani, Elton Levonja dhe Mario Mekaj u lanë në burg më masë sigurie “arrest në burg”. Për Xhemile Uku u dha masa “arrest shtëpie” dhe për Edlira Ramaj “detyrim paraqitje”.
Zyrtaret e Bashkisë Rrogozhinë akuzohen për veprat: “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim dhe mashtrim “me fondet e rindërtimit duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm me vlerë 353,471,090′.
Sipas burimeve nga grupi hetimit zyrtaret vlerësuan 78 kasolle derrash e bagëtish si banesa të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Vendimi i Gjykatës:
Konfirmimin dhe vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personave nën hetim shtetasve M. M., E. L., B. B.caktuar me vendimin nr. 681 dt. 30.09.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës parashikuar nga neni 248 i K.Penal.
2. Zëvendësimin e masës së sigurisë për shtetasen Xh. U. duke caktuar masën e sigurisë ‘’ arrest në shtëpi’’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. urdhërohet personi nën hetim Xh. U. që t mos largohet nga banesa e saj e ndodhur në Lagjia nr. 1 në Rrogozhinë.
3. Zëvendësimin e masës së sigurisë për shtetasen E.Ra. duke caktuar masën e sigurimit personal Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore të hënën e parë dhe të tretë të muaji ora 08.00 si dhe masën e sigurimit Ndalimi i daljes jashtë shtetit.
4. Urdhërohet policia gjyqësore dhe prokuroria që të zbatoj këtë vendim.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të këtij vendimit.
7. U shpall në Durrës, sot më datë 01.10.2024.