Aktualitet

Pas skandalit që shkaktoi audio përgjimi, reagon Berlusconi: Fjalët janë nxjerrë jashtë kontekstit

Shkruar nga Liberale
Pas skandalit që shkaktoi audio përgjimi, reagon Berlusconi:

“Është jashtë kontekstit, është përhapur pa e ditur kuptimin global të fjalëve të mia, me të vetmin qëllim përhapjen e shpifjeve dhe dezinformatave”. Audioja e publikuar dje në të cilën Silvio Berlusconi, presidenti i Forza Italia, përputhet me narrativën ruse mbi luftën në Ukrainë, sipas vetë Berlusconit ka dalë nga konteksti. Në një intervistë për "Corriere della Sera", ai ka sqaruar sërish qëndrimin e tij për luftën në Ukrainë. “E përsëris për të njëqindtën herë, dhe shpresoj të fundit, që qëndrimi im përkon absolutisht me atë të qeverisë italiane, Bashkimit Evropian, Aleancës Atlantike, aleatëve tanë amerikanë dhe dënoj fuqishëm sulmin ushtarak kundër një shteti të lirë dhe sovran".

Në audion e publikuar nga Lapresse, Berlusconi thotë se Vladimir Putin para fillimit të luftës ishte “kundër çdo nisme”. Presidenti rus, megjithatë, ishte nën "presion të fortë nga e gjithë Rusia" për të mbrojtur "dy republikat e sapoformuara të Donbasit" nga ofensiva e Ukrainës, e cila "sulmoi kufijtë e tyre", veçanërisht që nga mandatimi i Presidentit Volodymyr Zelensky, i cili kishte “trefishuar sulmet”.

Për këtë arsye, në rrëfimin e Berlusconit, Putini "vendos të shpikë një operacion special", i cili do të zgjaste një javë për të "përmbysur qeverinë në detyrë dhe për të vendosur një qeveri tashmë të zgjedhur nga pakica ukrainase e njerëzve të mirë dhe të arsyeshëm". Një përshkrim që përsërit hap pas hapi shpjegimin e luftës të dhënë nga Federata Ruse dhe të cilit i ishte referuar vetë Berlusconi në një intervistë me Bruno Vespa pak javë më parë.

Sot, në Corriere, themeluesi i qendrës së djathtë argumenton se këto fjalë janë keqinterpretuar, janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe në çdo rast nuk janë aq të rëndësishme. “Sinqerisht, duke pasur parasysh peshën e momentit ndërkombëtar dhe rëndësinë e vendimeve që duheshin marrë për të ardhmen e vendit tonë, mendova se duhej t'i kushtoja kohën time gjërave më të rëndësishme sesa korrigjimit të interpretimeve të shtrembëruara dhe sinqerisht qesharake", thotë ai.

Berlusconi i rikthehet lidhjes së miqësisë që e lidh me presidentin e Federatës Ruse: “Nuk i mohoj aspak miqësitë e mia të kaluara me Vladimir Putinin, të cilat kanë çuar në rezultate të rëndësishme, të arritura gjithmonë në marrëveshje të plotë me aleatët tanë perëndimorë. Por sot rrethanat kanë ndryshuar”. Në audion e djeshme, megjithatë, thuhej se lufta mund të ishte një operacion dyjavor, por kishte degjeneruar për shkak të rezistencës “të papritur dhe të paparashikueshme” të ukrainasve, “të cilët filluan të marrin para dhe armë që nga dita e tretë".

Lideri i 'Forza Italia' përsërit se fjalët e tij për luftën "i referoheshin lajmeve që më dhanë nga burime autoritare dhe që i raportova në rrjedhën e një arsyetimi më të gjerë. Arsyetimi që përfundoi me dënimin e pushtimit rus dhe me shpresën për një zgjidhje e negociuar, e cila do t'i japë fund kësaj masakre dhe që do të mbrojë të drejtat e popullit ukrainas”. Edhe nëse është i njëjti popull ukrainas që zgjodhi Volodymyr Zelesnky-n si president dhe në të cilin një "pakicë e denjë" synonte ta zëvendësonte atë falë ndërhyrjes së ushtrisë ruse./Liberale.al

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH