Aktualitet

Nisma virtule “Pranverë në UET” për të sfiduar monotoninë e izolimit

Shkruar nga Liberale
Nisma virtule “Pranverë në UET” për të sfiduar

Qeveria Studentore e UET ka ndërmarrë nismën #UET challenge për të sfiduar këtë monotoni të vështirë. Tema kryesore e çdo dite ka qenë e titulluar “Pranverë në UET” duke marrë frymëzim nga stina gjallëruese në të cilën sapo ka hyrë.

Në këto ditë izolimi dhe distancimi social duket sikur çdo veprim është bërë pjesë e një rutine monotone që ripërsërit veten me secilën ditë që kalon në karantinim. Të gjithë po e vuajnë këtë adaptim aspak të lehtë me një mënyre jetese goxha të kufizuar, por sidomos të rinjtë ngrejnë pyetjen e vazhdueshme se si mund të argëtohen dhe qëndrojnë aktiv pavarësisht mundësive të limituara.

Me këtë parim në mendje, Qeveria Studentore e UET ka ndërmarrë nismën #UET challenge, për të sfiduar këtë monotoni të vështirë. Tema kryesore e çdo dite ka qenë e titulluar “Pranverë në UET” duke marrë frymëzim nga stina gjallëruese në të cilën sapo kemi hyrë. Studentët e mirpritën iniciativën plot motivim dhe me dëshrirën që të frymëzonin duke plotësuar ditën e dikujt me një lojë, titull libri, film apo hand craft të shpërndarë në profilin e tyre, duke sfiduar edhe të tjerë për të bërë të njëjtën gjë.

Organizimi i kësaj challenge është mjaft i larmishëm, ku secila ditë karakterizohet nga aktivitete të veçanta. Fillimisht, stafeta e sfidave u hap me një shpërthim të vërtetë nuancash kulturore. Secili nga pjesëmarrësit ose të sfiduarit postoi në storyn e vet në Instagram librin ose filmin që po ndiqte duke sjellë një diversitet sugjerimesh. Kjo shërbeu si një farë shkëmbimi preferencash dhe mendimesh që u ilustruan nga librat apo filmat përkatës.

Më pas në ditën e dytë studentët ndërtuan një ditë argëtuese dhe dinamike, duke shpërndarë momente nga lojërat që po zhvillonin në kushte shtëpie me të afërmit e tyre. Ato varionin që nga lojërat bazike me letra e der tek lojërat e mëdha të tavolinës si Monopoly. Një mënyrë shumë e këndshme për t’i treguar të rinjve se mund të argëtohesh dhe në kushte shtëpie me familjen dhe gjithashtu për t’i shtyrë ata të shpenzojnë më shumë kohë me të afërmit.

Në vazhdimësi gjatë ditës së tretë u shpërndanë punime artistike të krijuara nga studentët shumë të talentuar të UET, që ishin prova më konkrete se liria dhe frymëzimi gjenden edhe brenda mureve të shtëpisë, për sa kohë që ekziston vullneti dhe dëshira për të punuar.

Dita përmbyllëse e sfidave, ajo e katërta, la një shije shumë të mirë në mendjen e gjithësecilit si pasojë e ndarjes së disa recetave gatimi lehtësisht të zbatueshme nga shumica, por gjithashtu tepër të shijshme. Si përgjatë sfidave të tjera, dhe kësaj here pati një aktivizim të lartë nga studentët që ishin të gatshëm të ndanin ushqimet e tyre të preferuara me pjesën tjetër.

Përkrah zinxhirit të sfidave UET nuk harron, edhe pse nga shtëpia, të risjellë në vëmendje ditët e shënuara si Dita e Lumturisë, Dita e Verës dhe Dita e Pranverës dhe Dita Botërore e Sindromës Down. Në veçanti Dita e Pranverës ishte pjesë e çdo sfide nëpërmjet temës dhe u plotësua në mënyrë perfekte me filtrin e krijuar posaçërisht nga studenti i Arteve Pamore Albjon Lushi. Kjo u realizua dhe me anë të pjesëmarrjes së klubeve, siç është takimi online i Klubit të Psikologjise “Freud”, ku u ndanë informacione mbi ditën Botërore të Sindromës Down, si dhe ndër të tjera u përgatitën dhe disa shkrime. Letër nga Ditari Im i studentes Klara Kalahula u përpoq të sillte në sfond mënyrën se si ndihen fëmijët e prekur dhe të pathënat e një individi që vuan nga kjo sindromë. Për sa i përket Ditës së Lumturisë, mendoj se u përfaqësua më së miri në çdo nismë të marrë nga studentët pas së cilës fshihej gjithmonë synimi për të lumturuar dikë.

Besoj se ky shërben si shembulli më i mirë që duhet të ndjekin studentët dhe të rinjtë në përgjithësi në mbarë globin për të përfituar maksimumin e mundëshm nga kjo situatë aspak e zakonshme, por kalimtare, për të qëndruar aktiv dhe të angazhuar në fusha të ndryshme brenda mundësive që ofrohen. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH