Këngëtarja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa në një postim në “Instagram” shkruan se, të rinjtë e Kosovës e meritojnë të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të ëndërruar.
“Dje pasdite mora titullin Ambasador Nderi i Kosovës Presidentja jonë Vjosa Osmani. Është nder dhe privilegj të përfaqësoj vendin tim në të gjithë botën dhe të vazhdoj punën dhe përpjekjet e mia globalisht për të lënë shenjën tonë dhe të bëjmë ndryshim. Rinia e Kosovës meriton të drejtën e liberalizimit të vizave, lirinë për të udhëtuar dhe për të pasur ëndrra të mëdha. Faleminderit”, shkruan Dua.
View this post on Instagram
Dua Lipa u shpall dje, Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës. Lajmin e bëri të ditur, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e priti Duan në Presidencë bashkë me bashkëshortin dhe dy vajzat binjake.
“Sot, Dua Lipës, i ndava titullin Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës, sepse ajo vazhdon ta nderojë vendin tonë në çdo hap e çdo paraqitje. E falenderova, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për gjithçka që ka bërë dhe po bënë që zëri ynë të dëgjohet kudo në botë. Dua dhe Anda kishin kënaqësinë e veçantë ta takojnë super yllin tonë, ikonën e pop muzikës, e cila është shndërruar në inspirim e model për vajzat anekënd botës”, shkruante Osmani në rrjetet sociale.
Sipas presidentes së Kosovës, Dua Lipa me talentin e saj po e prezanton Kosovën kudo në botë, duke u bërë imazhi i saj.
“Ajo po e shfrytëzon zërin dhe talentin e saj të jashtëzakonshëm, jo vetëm për t’i ofruar botës këngë që lënë gjurmë, por edhe për ta prezantuar imazhin më të mirë të Kosovës kudo në botë. Sot, për shkak të Duas, nuk ka njeri që nuk e njeh Kosovën, të cilën edhe kësaj radhe e ka bërë kryeqendër të kulturës botërore, nëpërmjet festivalit Sunny Hill. Prandaj sot në Presidencë, së bashku me Prindonin dhe vajzat tona, kishim kënaqësinë që ta presim Duan së bashku me prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, për t’i falënderuar për këtë kontribut të madh për imazhin e Kosovës në botë si dhe për ta përsëritur mesazhin tonë të përbashkët për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, i cili njëherit është edhe moto e edicionit të sivjetëm të festivalit Sunny Hill”, shkruan më tej presidentja e Kosovës.
Kujtojmë se, Dua Lipa ndodhet në Kosovë pasi performoi në “Sunny Hill Festival”. Krahas saj kënduan edhe artistë të tjerë të famshëm botërorë si; J Balvin, Diplo dhe Skepta apo artistë shqiptarë si Kida, Yll Limani e Elvana Gjata. /Liberale.al