Showbiz

“Liqeni në mes të detit” i shkrimtarit Durim Taçi, botim i UET PRESS/ Analizë nga Namir Lapardhaja: E njëmendta dhe sajimi në letërsi

Shkruar nga Liberale
“Liqeni në mes të detit” i shkrimtarit Durim Taçi,

Namir LAPARDHAJA

Ngjarjet në një vepër të mirë letrare duhen dhënë në mënyrë që, edhe nëse nuk ekzistojnë, të krijojnë idenë se ato ndodhin në një botë të caktuar. “Imagjinata nuk është një tekst, por një veprim që supozon dikë që rrëfen diçka.” – thuhet në “Çështjet e estetikës” kur flitet për të vërtetën dhe sajimin në letërsi. Për studiuesit, “të tregosh një histori, do të thotë të pretendosh” dhe kjo është “simulim pa mashtrim”.

Që në nisje të romanit “Liqeni në mes të detit”, del në pah loja narrative ku shkrimtari-rrëfyes thirret nga vetë personazhi për të treguar ngjarjen. Më saktë, variantin e saj të ngjarjes, sepse, siç do të dal më tej, mozaiku i plotë do të plotësohet nga copëza të tjera. Rrëfyesi në vetën e dytë është përzgjedhur për të qenë sa më objektiv dhe sa më i paanshëm në rrëfimin e tij. Ai e nxjerr pa dashje në pah autorin: është i huaj, shqiptar, ka botuar vetëm një tregim në italisht dhe kjo nuk është gjuha e tij. “Historia që ju do të tregoni, - i thotë Emili, - me thënë të drejtën nuk e di në ka mbaruar dhe nuk jam e sigurt nëse do të mbarojë ndonjëherë.” Apo në fund të intermexo-s, personazhi tjetër, Oriana, pasi ka dëgjuar variantin e parë të gjithë ngjarjes, në fund të bashkëbisedimit i kërkon adresën e e-mailit ose të skype-t për t’i dhënë versionin e saj, duke thënë: “O do shkruaj si duhet, o do ta hedh në gjyq!” Ngjarja në kohë rrëfehet pas 18 vitesh dhe nëpërmjet retrospektivës arrihet në momentin e tregimit të saj. Si kohë letrare përfshin periudhën 6 prill 2001 deri në 13 prill 2018. Rrëfyesi është Ago Marini, shkrimtar.

Njihemi që në faqet e para me personazhet në çift: Emili, mësuese e gjuhës italiane, ka për bashkëshort Alberton, trajner noti, ndërsa Oriana, psikologe në profesion, bashkëjeton prej kohësh me Mateon, agjent pronash të paluajtshme, i lidhur ngushtë me detin dhe lundrimin. Alberto dhe Oriana kanë qenë miq në kohën e studimeve dhe kanë ushqyer ndjenja ndaj njëri-tjetrit dhe është ajo që i propozon mikut të saj të dikurshëm të bëjnë pushimet së bashku. Këtu e ka pikënisjen historia që zbulohet gradualisht.

Duket se fillon një aventurë mes dy çiftesh dhe, në mënyrë simbolike, barka bëhet ambienti i jetës së përditshme, që njeriu duhet të luftojë me të gjitha mënyrat e tij. Deti ka dallgëzime dhe njerëzit janë të detyruar të bëjnë manovra nga më të ndryshmet për të mbijetuar dhe për të mos u mbytur. Qenia njerëzore është një liqen, i butë dhe i qetë, mirëpo deti është një hapësirë e madhe dhe e rrezikshme, për shkak të dallgëve dhe rrezikut që mund të vijë në çdo çast. Liqeni në mes të detit është njeriu përballë tallazeve të jetës. Është qenia përballë realitetit të egër, të cilin i duhet ta përjetojë në përditshmëri. Jeta nuk është gjithmonë e ëmbël, por ka valëzime dhe dallgëzime, të cilat mund ta përmbysin në çdo çast qetësinë dhe lumturinë.

Nëpërmjet një prologu, tri pjesëve, një intermexoje dhe një epilogu, krijohet një lojë autoriale e shkëlqyer, ku ndërthuren elemente të letërsisë me ato të kinematografisë, dhe ku personazhet tregojnë vetveten nëpërmjet rrëfimit për njëri-tjetrin. Në liqen ata ndihen të burgosur, ndaj kërkojnë detin, sepse vetëndihen peshq të mëdhenj, dhe duan t’ia mbathin nga ai realitet për të krijuar diçka të re.

Tek romani “Liqeni në mes të detit” ka një tharm filozofik. Siç del edhe në brendi, rrëfyesi, teksa ka nisur të shkruajë historinë e tij, i rikthehet shpeshherë Shopenhaurit, ku, sipas tij, në çdo dashuri qëllimi është lindja e një individi me disa karakteristika të caktuara. Një gjë e tillë vërtetohet se gjëja thelbësore nuk është përgjigjja ndaj kësaj ndjenje, por zotërimi, kënaqësia fizike, pasi është natyra që ka nevojë që strategji të tilla t’i përdorë për qëllimet e saj. Apo “nëse dashuria nuk gjen përgjigje, ata që janë shumë të dashuruar do të kënaqen me zotërimin, pra me kënaqësinë fizike”?

Cili është qëllimi i dashurisë? Ngritja e lartë shpirtërore apo thjesht riprodhimi biologjik? Nëse dashuria mbaron, çfarë është ajo që e mban në këmbë një marrëdhënie? Në pjesën e tretë të romanit, një ndër personazhet jep këtë përgjigje: “Dashuria është një status i përhershëm, një gjendje, e cila ndërpritet e korrektohet nga akte të rralla të ngjizjes së fëmijëve”. Po kur fëmija humb jetën, si në rastin e Darios, djalit të protagonistëve të romanit, çfarë ngelet më tej? “Dashuri do të thotë të bësh diçka sërish, të përsëritesh...”

Shkrimtari Durim Taçi ka zgjedhur për romanin e tij si rrëfimtar të ngjarjes atë në vetën e dytë. Një gjë e tillë mbart vështirësi narrative, mirëpo autori ka arritur ta realizojë me sukses sfidën e tij, duke e thurur me kujdes avlëmendin letrar. Ai e zbret narratorin në rrëfim, duke e shndërruar në bashkëpersonazh dhe, nëpërmjet lojës autoriale, i duhet t’i takojë të gjithë protagonistët për të marrë variantin e tyre të historisë. E gjithë kjo ndërthur në vetvete befasinë, suspensin dhe groteskun, madje arrihet deri aty saqë në skenën finale të romanit personazhet takohen me njëri-tjetrin në barin ku rrëfimtari ka filluar punë si kamerier, pasi me shkrimet dhe përkthimet e tij nuk e mban dot veten.

Romani ka elemente të filozofisë, por materia e tij letrare është e sigurt dhe e bollshme. Në të ndërthuren së bashku dashuria dhe çështja e bijimit ashtu sikurse shfaqen tragjikja dhe komikja. I gjithë teksti ka një natyrshmëri dhe lexohet si një i tërë, pazëlli i të cilit plotësohet gradualisht me të dhëna të reja, ku loja metanarrative sa vjen dhe bëhet më intriguese. Me këtë roman, autori na paraqet një mjedis jo shqiptar, ku mbizotëron mendësia dhe karakteristikat e jetës italiane.

Ndonëse në qendër të tij duket se ka dy histori tradhtie, ai nuk është një histori rozë, sepse ngjarjet dhe personazhet i shërbejnë autorit vetëm për të dhënë dimensionin filozofik dhe letrar të veprës.

Sa më shumë që letërsia largohet nga ngjarjet e së përditshmes sonë, aq më tepër romani, “si një veprim për të treguar një histori në një botë të mundshme”, bëhet i jashtëzakonshëm.

Ky roman i autorit Durim Taçit ka arritur të ndërtojë një realitet paralel nga ai i së përditshmes së rëndomtë, duke shmangur kështu dallimin e thjeshtë midis realitetit dhe sajimit dhe duke na dhënë një vepër të arrirë. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH