Blendi Lami
“Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht. Nëse ndodh, me siguri që ka qenë planifikuar.” - Franklin Roosevelt
Bllokimi i zhvillimit të negociatave në Uashington më 27 qershor mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, me arbitrimin e Shteteve të Bashkuara, ka shumë domethënie për marrëdhëniet ndërkombëtare. Është një reflektim i rendit të ri global – në një format G-Zero.
Në pamje të parë, pengesë për dialogun është aktakuza e Prokurorisë së Specializuar kundër presidentit Hashim Thaçi, i cili pamundësohet për të marrë pjesë në negociata. Në thelb, pengesë është paaftësia e amerikanëve për të futur në shina këtë dialog dhe për të arritur një marrëveshje. Qoftë edhe pse pengesë u bë një aktakuzë – në një moment të papritur të paktën për publikun e gjerë dhe . . . me sa duket për vetë amerikanët.
Parashikohej të organizohej një samit, produkt i të cilit do të ishte normalizimit i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, por duke shmangur Bashkimin Evropian dhe duke prekur – ndoshta – interesat e aktorëve të tjerë me peshë në rajon.
Duhet theksuar se BE ka qenë aktor kryesor në ndërmjetësimin Kosovë – Serbi. Ky ndërmjetësim ka rezultuar i pasuksesshëm - deri në një shkallë të caktuar – për faktin e thjeshtë se edhe BE është treguar e paaftë për t’iu imponuar palëve. Nga ana tjetër, palët kanë sfiduar haptas autoritetet evropiane, duke krijuar një ngërç artificial dhe duke mos zbatuar edhe marrëveshjet e arritura deri me tani.
Sidoqoftë, një fuqi e madhe si BE – ndonëse në rënie dhe në pamundësi për t’u imponuar plotësisht – zotëron mekanizma pengues. Kjo nxit idenë e intensifikimit të përplasjes aktuale mes BE dhe SHBA, e cila po zhvillohet tashmë në shumë plane. Dhe Kosova është thjesht episodi i radhës i këtij seriali. Presidenti Trump e quan BE-në “aq të keq sa Kina” në një kohë, kur BE dhe SHBA nuk gjejnë gjuhën e përbashkët në shumë fusha nga tregtia deri tek mbrojtja.
Përtej kufirit shqiptar të Mitrovicës, Serbia ka vazhduar të demonstrojë marrëdhënie të konsoliduar me Rusinë, e cila ka interesa të drejtpërdrejta në rajon. Për më tepër, Serbia ka lidhet miqësore edhe me Kinën – një fuqi tashmë me peshë botërore.
Në këtë teatër ballkanik, Perëndimi – BE dhe SHBA – është i përçarë për Kosovën, ndërsa Rusia dhe Kina vazhdojnë me sukses një axhendë agresive në rajon. Këto dy të fundit tentojnë të shfrytëzojnë çdo dobësi të Perëndimit për depërtim në Ballkanin e çorientuar.
Në këtë kontekst, Kosova është vetëm fusha e përplasjes – një arenë ku SHBA është përfshirë fuqimisht që prej bombardimeve të vitit 1999 dhe ka investuar shumë për hapësirën shqiptare, ndërsa BE e konsideron të nevojshme ndërhyrjen në punët e Kosovës, pasi kjo e fundit është brenda interesave gjeo-strategjike të saj. Në një kohë kur SHBA do ta shiste marrëveshjen – çfarëdo forme që të ishte – për të shtuar kapitalin politik të presidentit Trump gjatë fushatës, BE do të ndihej e dobësuar në rast të një marrëveshje të zbatueshme. Është e qartë se fuqitë perëndimore nuk po bashkëpunojnë për fuqizimin e hapësirës shqiptare. Ato po e shmangin qëllimisht njëra-tjetrën, teksa, në këtë drejtim, po punojnë për interesat e tyre. Nga ana tjetër, Kina dhe Rusia nuk shfaqin rivalitet në rajon me njëra-tjetrën. Me pak fjalë, Perëndimi humb, kurse dyshja Rusi / Kinë del të fituara.
Gjithë kjo situatë duhet të jetë kambanë alarmi për shqiptarët.
Bota nuk ka më një lider që të imponohet. Hapësira shqiptare mund të mbetet pa “menaxher”, “arbitër” apo “polic” shumë shpejt, pasi fuqitë e mëdha për një periudhë afatmesme do të jenë shumë pak të fokusuara jashtë sferës së tyre të afërt – ose do të vendosin se nuk ia vlen të përplasen për një kauzë simbolike për ta.
Në librin “Çdo komb për vete: fituesit dhe humbësit në një botë (G-Zero) pa udhëheqje”, Ian Bremmer thekson se në një botë me shumë sfida transnacionale – të tilla si stabiliteti i ekonomisë globale, ndryshimet klimatike, sulmet kibernetike apo terrorizmi - nevoja për bashkëpunim ndërkombëtar nuk ka qenë asnjëherë më e madhe. Por bashkëpunimi ka nevojë për udhëheqje. Për shkak të mungesës së kësaj udhëheqjeje, edhe Kosova u gjend në një situatë të tillë. Duhet të kuptohet mirë se SHBA se nuk dëshiron më dhe nuk është në gjendje të marrë përsipër shumë përgjegjësi në arenën ndërkombëtare – siç ka bërë që prej mbarimit të Luftës së Ftohtë. Ian Bremmer ofron tezën se kemi hyrë në një botë të re: G-Zero. Duke qenë se formati G 7 – dikur dominues - nuk po funksionon me hyrjen në skenën globale të aktorëve të rinj, u kijua G 20. Edhe ky forum (G 20) nuk ka prodhuar asgjë thelbësore. As institucione të tilla si Këshilli i Sigurimit të OKB-së, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore nuk mund të garantojnë udhëheqje të vërtetë, sepse nuk reflektojnë më balancën reale të fuqisë së pushtetit politik dhe ekonomik.
Kemi dëshmuar reduktimin e rolin amerikan në disa zona. SHBA janë gjithnjë e më pak të interesuara për të ndihmuar në menaxhimin e trazirave në Lindjen e Mesme, rivaliteteve në Azinë Lindore apo krizave humanitare në Afrikë. Si rezultat, po ngrihen dyshime në lidhje me angazhimin e Amerikës ndaj sigurisë së rajoneve të caktuara. Disa shtete të fuqishme apo aleanca po testojnë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe shfrytëzojnë çdo dobësi që mund të perceptojnë. Disa nga vendet që janë mbështetur historikisht tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e tyre, dëshirojnë një “polic global”, pasi janë të pambrojtura në rajone e tyre problematike.
Marrëdhënia e Kosovës me SHBA është thelbësore në një rajon problematik si Ballkani për shumë arsye – nga ekzistenca e Kosovës e deri tek forcimi i shtetit kosovar. Megjithatë, kjo marrëdhënie zhvillohet në territor evropian, ku aktivizohen edhe interesat e Bashkimit Evropian, i cili ka pësuar gjithashtu tërheqje nga skena globale apo nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi ndërkombëtare. BE ka problemet e veta – me Eurozonën, ekonominë, ndarjen veri-jug, anëtarësimin, zgjerimin, kufijtë, emigracionin etj. Sidoqoftë, duket se BE nuk mund ta tolerojë të anashkalohet në një proces Kosovë – Serbi, për të cilin ka investuar dhe ka pasoja të drejtpërdrejta nga çdo marrëveshje e mundshme.
Në realitetet e reja, SHBA do të testohet vazhdimisht. Duket qartë se SHBA u përball me një barrierë të papritur përpara takimit të 27 qershorit – tashmë të pezulluar apo - më mirë të thuhet - të dështuar.
Sidoqoftë, “historia ka treguar se nuk është e këshillueshme që t’u kundërvihesh Shteteve të Bashkuara. Një gjë e tillë vlen akoma edhe në ditët e sotme”, thekson Bremmer, ndërsa analizon rolin e SHBA në botën G-Zero. /Gazeta Liberale