Globi

Rritet numri i viktimave si pasojë e sulmeve ruse në Kharkiv, disa njerëz rezultojnë ende të zhdukur

Shkruar nga Liberale

Rritet numri i viktimave si pasojë e sulmeve ruse në Kharkiv, disa

Të paktën 16 njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në qytetin ukrainas të Kharkivit si pasojë e një sërë sulmesh me raketa nga trupat ruse të shtunën, ndërsa disa njerëz rezultojnë ende të zhdukur, tha të dielën guvernatori rajonal Oleh Syniehubov në rrjetin Telegram.

Sulmi shkaktoi një zjarr masiv në qendrën tregtare “Epicentr DIY” duke e bërë të vështirë për ekipet e shpëtimit identifikimin e shumicës së trupave të djegur.

Kryetari i bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov njoftoi se rreth 120 vetë gjendeshin brenda qendrës tregtare gjatë sulmit.

"Sulmi kishte në shënjestër qendrën tregtare, ku kishte shumë njerëz, ky është padyshim terrorizëm", tha zoti Terekhov.

Deri tani është bërë i mundur identifikimi i vetëm 6 personave të vrarë, përfshirë një vajzë 12 vjeçare e cila ndodhet në Kharkiv për të vizituar qytetin, thanë autoritet lokale.

Policia u ka kërkuar të afërmve që të vënë në dispozicion të mostra të ADN-së për të ndihmuar në identifikimin e trupave.

Ndërkohë, të dielën, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy i bëri thirrje Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe atij kinez Xi Jinping, që të marrin pjesë në takimin e nivelit të lartë të paqes që mbahet muajin e ardhshëm në Zvicër.

Përmes një videoje në gjuhën angleze, ndërsa gjendej në rrënojat e një objekti të shkatërruar nga sulmet ruse të enjten, zoti Zelenskiy tha se takimi i nivelit të lartë do të “dëshmojë se kush dëshiron vërtet fundin e luftës”.

“Po u bëj thirrje udhëheqësve që ende nuk janë përfshirë në përpjekjet për Takimin Botëror për Paqe: Presidentit Biden dhe Presidentit Xi. Ju lutem dëshmoni udhëheqjen tuaj në përparimin e paqes, paqes së vërtet, dhe asaj afatshkurtër”, tha Presidenti i Ukrainës.

Rusia thotë se nuk sheh dobi nga takimi, në të cilin deri tani Moska nuk është ftuar.

Të dielën, forcat ruse thanë se kishin marrë nën kontroll njësinë e banimit Berestove në Kharkiv, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS, e cila citoi ministrinë ruse të mbrojtjes.

Agjencia e lajmeve Reuters nuk mundi të verifikonte këto të dhëna.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH