Kreu i “Rithemelimit”, Sali Berisha në një konferencë për mediat tha se, shqiptarët duhet të ngrihen në protestë kundër kryeministrit Edi Rama, për shkak të bojkotit të samitit të BE-së. Sipas Berishës, vendimi për bojkotin është marrë në Beograd.
“Mendoj që ne duhet të thërrasim një protestë të fuqishme. Ky është një motiv, në një farë mënyre ekzistencial për kombin tonë. Nuk mundet kurrë njeri i shitur, i pashitur, cilido qoftë ai, të luajë me fatin tonë në këtë mënyrë. Edi Rama ka shndërruar Tiranën në Beogradin e vogël. Ne jemi kryeqyteti i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Serbia, së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut kanë lënë të kuptohet dje se, nuk do të marrin pjesë në samitin e Bashkimit Evropian. Por, sipas “Euractiv”, tre shtetet kanë deklaruar se do të njoftojnë të mërkurën (22 qershor) në mesditë, nëse do të marrin pjesë në samit apo jo. /Liberale.al