Kryesore

BE ndëshkon Bjellorusinë: Ndalohen fluturimet në vendet e bllokut

               Publikuar në : 13:58 - 25/05/21 liberale

Bashkimi Europian vendosi të ndalojë fluturimet bjelloruse në qiejt europian, pasi një avion u devijua në Minsk të dielën dhe një gazetar opozitar, u arrestua. Gjatë një takimi në Bruksel, krerët e 27 vendeve anëtare thanë gjithashtu se edhe linjat ajrore të BE nuk do të fluturonin në hapësirën bjelloruse, duke premtuar sanksione të mëtejshme ekonomike.

Charles Michel, presidenti Këshillit Europian: Bëhet fjalë për një kërcënim ndaj sigurisë së Aviacionit Civil. Për këtë arsye, me vendosmëri të plotë, 27 vendet anëtare u dakordësuan të dënojnë atë që ndodhi dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të gazetarit Roman Protasevich dhe shoqëruesen e tij.

Ursula Von Der Leyen: Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, është një sulm ndaj sovranitetit europian. Kjo sjellje skandaloze, meriton përgjigje të fortë dhe prandaj Këshilli Europian vendosi se do të ketë sanksione shtesë ndaj individëve të përfshirë në pengmarrje, por edhe ndaj bizneseve dhe entiteteve që financojnë regjimin bjellorus.

26-vjeçari Roman Protasevich gjendej në një fluturim nga Greqia drejt Lituanisë, i cili u devijua drejt Minskut, me pretendimin e një kërcënimi për bombë. Shtetet perëndimore akuzuan Bjellorusinë për pengmarrje të avionit të Ryanair. Në orët e vona të së hënës, gazetari u shfaq në një video, ku duket se është i detyruar të rrëfejë krimet për të cilat I akuzon regjimi bjellorus ndërsa thotë se është nëgjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendem në qendrën e burgimit numër 1 dhe mund të them se nuk kam asnjë problem shëndetësor. Policia më trajton shumë mirë dhe sipas ligjit. Do të vazhdoj të bashkëpunoj me hetuesit lidhur me përfshirjen në organizimin e një proteste masive në Minsk”.

Por aktivistë, përfshirë liderin kryesor të opozitës thanë së Protasevich kishte xhiruar videon nën trysninë e autoriteteve. Protasevich jetonte në ekzil në Lituani nga ku edhe mbuloi zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në Bjellorusi, pas të cilave u akuzua për terrorizëm dhe nxitje të rrëmujave.

Media shtetërore në Minks, tha se presidenti Aleksandër Lukashenko, në krye të vendit që prej 1994 e kishte dhënë personalisht urdhrin për devijimin e avionit.

Tags: , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back