Titulli: E DREJTA E BASHKIMIT FAMILJAR
Autorë: Erjona CANAJ & Greta BARDELI
Nga Prof. Dr. Ksenofon Krisafi
Në këto 20 vitet e fundit bashkimi familjar ka qenë një ndër burimet kryesore të emigrimit në BE. Në shumë prej vendeve anëtare sot bashkimi familjar është përgjegjës për një pjesë të madhe dhe demografikisht gjithnjë në rritje të emigrimit të ligjshëm. E drejta për bashkim familjar është një e drejtë themelore e sanksionuar në shumë akte ligjore si në nivel ndërkombëtar, rajonal/europian ashtu edhe në nivel kombëtar. Kjo është një e drejtë shumë e rëndësishme në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të emigracionit në përgjithësi. Nëpërmjet institutit të bashkimit familjar një personi i njihet e drejta për t’u bashkuar me anëtarët e familjes së tij në një shtet të ndryshëm nga ai i vendlindjes.
Në përgjithësi, kryerja e procedurave dhe realizimi i proceseve për bashkimin familjar, nëse nuk ka ndonjë regjim specifik, u nënshtrohet rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Fjala është për ato që parashikohen nga rregullimet specifike kur ka marrëveshje të veçanta ndërmjet shteteve. Në mungesë të tyre ose në rastet kur shteti pritës nuk bën pjesë në sisteme të veçanta juridike ato realizohen sipas përcaktimeve të legjislacionit të brendshëm për çështjet e emigracionit.
Me natyrë të veçantë prezantohet rendi juridik i Bashkimit Europian, ku bashkimi familjar merr ngjyra të ndryshme në varësi të statusit të personit që kërkon bashkim familjar. Bashkimi familjar në BE njeh si titullar aktiv si shtetasin komunitar ashtu edhe atë jokomunitar d.m.th. personin që transferohet në një shtet tjetër anëtar (shteti pritës) dhe që kërkon bashkimin me familjen e tij që ndodhet në shtetin prej të cilit vjen (shteti i vendlindjes). Mbrojtja e familjes në Bashkimin Europian është pasojë e impaktit të lirive komunitare në realitetin social-ekonomik dhe juridik të familjeve europiane.
Libri i autoreve Erjona Canaj dhe Greta Bardeli analizon pikërisht këtë institut të së drejtës, duke nisur fillimisht nga aktet ndërkombëtare universale dhe ato rajonale e europiane. Studimi fokusohet në mënyrë të veçantë në rendin juridik të Bashkimit Europian.
Regjimi juridik i bashkimit familjar i shtetasve komunitarë me familjarët (qofshin këta shtetas komunitarë ose jokomunitarë) inkuadrohet në regjimin e përgjithshëm të lëvizjes së lirë, e cila rregullohet nga legjislacioni i brendshëm, në përputhje me aktet juridike europiane dhe me interpretimin evolues të Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Për të trajtuar lëvizjen e lirë edhe si premisë dhe pjesë të bashkimit familjar, autoret janë ndalur posaçërisht te direktiva nr. 2004/38/KE, e datës 29 prill 2004, e Këshillit dhe e Parlamentit Europian, e cila përfshin gjithë disiplinën e qarkullimit të lirë të shtetasve komunitarë në territorin e secilit prej shteteve anëtare të BE-së. Ky akt shumë i rëndësishëm përmbledh në një instrument të vetëm juridik përmbajtjen e rregullave për hyrjen dhe qëndrimin e personave të vetëpunësuar, personave të punësuar, studentëve, si dhe personave që nuk janë ekonomikisht aktivë dhe familjarët e tyre, duke e zgjeruar këtë të drejtë themelore dhe zbatueshmërinë e këtij legjislacioni te të gjithë qytetarët e BE-së që ushtrojnë të drejtën e qarkullimit të lirë dhe të rezidencës.
Bashkimi familjar i shtetasve jokomunitarë i është nënshtruar për një kohë të gjatë legjislacionit të brendshëm, i pandikuar nga e drejta komunitare, sepse në legjislacionin europian mungonin aktet juridike që rregullonin institutin e bashkimit familjar. Bashkimi familjar i një shtetasi jokomunitar që jeton dhe punon në një shtet anëtar të BE-së, aktualisht rregullohet nga legjislacioni i brendshëm i shteteve anëtare në përputhje me direktivën e Bashkimit Europian 2003/86/KE.
Autoret e këtij libri sjellin një kontribut interesant në analizën e detajuar të jurisprudencës komunitare, e cila sot duket e prirur të instrumentalizojë parimet e funksionimit të tregut të brendshëm me objektivin e mbrojtjes së familjes. Mbrojtja e së drejtës së bashkimit familjar ka marrë rëndësi në të drejtën komunitare veçanërisht në aspektin e lëvizjes së lirë të personave, përmes shtrirjes së kësaj lirie te familjarët e shtetasve komunitarë që e ushtrojnë atë në bazë të dispozitave të Traktatit të Bashkimit Europian. Duke iu referuar kësaj mbrojtjeje, problemi i menjëhershëm që paraqitet në përcaktimin e së drejtës së bashkimit familjar, është pikërisht në lidhje me gjetjen e modelit të familjes që supozohet të pranohet në shtetet e BE-së. Përcaktimi i këtij modeli, më shumë se t’u përgjigjet kritereve krahasuese të influencës midis modeleve të ndryshme për nga traditat kulturore dhe juridike, të lidhura me shtetet anëtare, duket qartësisht e orientuar drejt një perspektive të politikës dhe të drejtës së emigracionit.
Me vlera të spikatura shkencore dallohet edhe analiza e akteve, procedurave dhe parimeve që duhen zbatuar gjatë shqyrtimit dhe realizimit të kërkesave eventuale për bashkim familjar në Republikën e Shqipërisë. Ky është instituti me anë të të cilit shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në vendin tonë mund të bashkohen me familjarët e tyre, që vijnë nga vende të tjera kur ky bashkim realizohet në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Autorët kanë analizuar në këtë vepër të gjithë legjislacionin shqiptar dhe politikën për emigracionin dhe procedurat për realizimin e bashkimit familjar. Legjislacioni aktual përcakton kategorinë e subjekteve përfitues të së drejtës së bashkimit familjar në Shqipëri. Në Ligjin nr. 108 datë 28.03.2013 “Për të huajt” përcaktohet se janë subjekt të këtij ligji, bashkëshorti/bashkëshortja, bashkëjetuesit/bashkëjetuesi, bashkëjetesa e të cilit ka një karakter të qëndrueshëm dhe të provuar; të miturit, fëmijët e pamartuar pjesë e përbërjes familjare, përfshirë dhe ata të vendosur në regjim të kujdestarisë dhe që janë në ngarkim të tij ose të saj apo të birësuar me vendim gjykate apo një vendimi që zbatohet drejtpërdrejt, sipas detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë, si dhe fëmijët e rritur, të pamartuar, kur ata nuk munden objektivisht të plotësojnë nevojat e tyre, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore; paraardhësit e shkallës së parë në linjë të drejtë, kur janë në ngarkim të tij, ose bashkëshortes/bashkëshortit, sipas legjislacionit të origjinës dhe nuk gëzojnë mbështetjen e duhur familjare në vendin e origjinës.
Nga analiza del në pah rregullimi mëse favorizues që u bëhet familjeve të të huajve në Shqipëri, deri diku edhe në kapërcim të standardeve europiane.
Erjona Canaj, me një eksperiencë të konsoliduar në botën akademike si eksperte e çështjeve që lidhen me bashkimin familjar, rregullat europiane dhe në përgjithësi ato të emigracionit, ka trajtuar në mënyrë të plotë dhe të detajuar çdo element që lidhet me këtë fenomen. Së bashku me kolegen Greta Bardeli sjellin kësaj here përpara lexuesit një libër me vlera të shumta dhe të veçanta. Libri është shkruar me kujdes, me një gjuhë të qartë dhe të kuptueshme juridike. Përmbajtja e tij, veçanërisht aktuale, rrok çështje me interes të lartë, jetik dhe të përditshëm për kategori të caktuara shoqërore në Shqipëri dhe vendet e tjera të hapësirës shqiptare dhe prandaj do të zgjojë interesimin e përligjur të të interesuarve, juristëve të çdo pozicioni, pedagogëve, studentëve dhe të gjithë atyre që duan të zgjerojnë njohuritë e tyre në këtë fushë.
Në përmbyllje të kësaj parathënieje vlerësoj mjaft pozitivisht kontributin e dhënë nga autoret në trajtimin teorik dhe praktik të institutit të bashkimit familjar duke e cilësuar librin e tyre një arritje të lavdërueshme në doktrinën juridike shqiptare.
Pjesë nga libri
Familja është njësia bazë e shoqërisë dhe e drejta e bashkimit familjar është një nga të drejtat më të rëndësishme në kuadër të lëvizjes së lirë. Në fakt, kjo e drejtë merr një rëndësi të veçantë në kuadër të emigracionit, sidomos për shoqërinë shqiptare në këto dy dekadat e fundit. Mbrojtja e kësaj të drejte është domosdoshmëri për ruajtjen e unitetit familjar. E drejta e bashkimit familjar aktualisht gëzon mbrojtje ligjore jo vetëm në nivel kombëtar dhe rajonal, europian, por edhe ndërkombëtar. Garantimi i kësaj të drejte krijon mundësinë e bashkimit të personave me anëtarët e familjeve të tyre, të cilët ndodhen në një shtet të ndryshëm nga ai i vendlindjes.
E drejta për bashkim familjar është një e drejtë themelore e sanksionuar në shumë akte ligjore ndërkombëtare, rajonale dhe europiane. Kjo është një e drejtë shumë e rëndësishme në kuadër të lëvizjes së lirë dhe të emigracionit në përgjithësi. Nëpërmjet institutit të bashkimit familjar një personi (titullari aktiv) i njihet e drejta për t’u bashkuar me anëtarët e familjes së tij (titullarë pasiv) në një shtet të ndryshëm nga ai i vendlindjes. Në kuadër të bashkimit familjar, familjarët e një personi kanë të drejtë të shoqërojnë ose t’i bashkohen më vonë këtij të fundit nëse transferohet në një shtet tjetër anëtar, i ndryshëm nga ai i vendlindjes. Në përgjithësi, bashkimi familjar, nëse nuk ka ndonjë regjim tjetër specifik u nënshtrohet rregullave të përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare: d.m.th. rregullave specifike kur ka marrëveshje të veçanta ndërmjet shteteve ose rregullave të përgjithshme të legjislacionit të brendshëm të emigracionit të shtetit pritës kur nuk ka marrëveshje të veçanta, apo kur shteti në fjalë nuk bën pjesë në rende të veçanta juridike. Shembull i rastit të parë janë, ndër të tjera, marrëveshjet e nënshkruara nga Italia me disa shtete si Belgjika në vitin 1946, Gjermania në vitin 1965, Zvicra në vitin 1964, dhe Australia në vitin 1970. Shprehje e rastit të dytë është legjislacioni ynë i emigracionit dhe azilit për shtetasit e huaj që kërkojnë bashkim familjar me familjarët e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë. Me natyrë të veçantë prezantohet rendi juridik i Bashkimit Europian, ku bashkimi familjar merr ngjyra të ndryshme në varësi të statusit të personit që kërkon bashkim familjar. Bashkimi familjar në BE njeh si titullar aktiv (personin që transferohet në një shtet tjetër anëtar – shteti pritës – dhe që kërkon bashkimin me familjen e tij që ndodhen në shtetin prej të cilit vjen – shteti i vendlindjes) si shtetasin komunitar ashtu edhe atë jokomunitar. Në këtë libër do të fokusohemi në mënyrë të veçantë në disiplinën juridike të shteteve anëtare të BE-së për rregullimin ligjor të bashkimit familjar si për shtetasit komunitarë ashtu edhe ata jokomunitarë dhe në përcaktimin e kategorive të familjarëve që e përfitojnë këtë të drejtë. Rendi juridik i Bashkimit Europian përbën aktualisht një nga eksperiencat me përvojën më komplekse, i cili në kontekst merr ngjyra të ndryshme në varësi të statusit të personit që kërkon bashkim familjar.
Të drejtën e bashkimit familjar e gjejmë të trajtuar fillimisht në dispozitat e Traktatit Themelues të Komunitetit Europian dhe në legjislacionin sekondar të institucioneve komunitare. Në Europë, bashkimi familjar merr rëndësi si pasojë e krijimit të hapësirës së përbashkët, që përcakton jo vetëm flukset e punonjësve emigrantë, por përcakton në mënyrë shumë rigoroze dhe selektive mundësinë e hyrjes dhe qëndrimit, me preferencë për qëndrimet e përkohshme. Karakteristikat e flukseve migratore kanë qenë gjithmonë të ndryshme në kohë dhe për rrjedhojë kanë marrë rëndësi të ndryshme në varësi të kontekstit historik.
Lëvizja e personave para viteve ‘90 ishte kryesisht brenda vendit dhe pas këtyre viteve filluan të shfaqeshin format e para të emigracioni ekonomik drejt vendeve të tjera. Fluksi më i madh i emigracionit ekonomik ishte pas Luftës së Dytë Botërore dhe kishte si qëllim rindërtimin ekonomik të shkatërruar nga lufta. Pikërisht ishte kjo lëvizje migratore, e cila krijoi konceptin e guest worker. Një pjesë e konsiderueshme e personave emigronin vetëm dhe bashkimi i familjes, me familjarin e mbetur në vendin e origjinës, realizohej nëpërmjet nismave spontane të disa qytetarëve që i përkushtoheshin bashkimit të familjeve të ndara, edhe pse në mungesë të normativave në këtë fushë. Me evoluimin e ekonomisë dhe të shoqërisë civile evoluoi mbrojtja dhe rregullimi ligjor i së drejtës së bashkimit familjar, duke arritur një standardizim më të lartë.
Fillesat e trajtimit të kësaj të drejte evidentohen në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, si akti më i rëndësishëm juridik ku janë mbështetur shumë traktate ndërkombëtare dhe komunitare. Bashkimi familjar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut është konsideruar si një nga të drejtat themelore të njeriut dhe si pasojë e këtij trajtimi institucioni i bashkimit familjar është njohur si instrument i nevojshëm për të ruajtur unitetin dhe jetën familjare. Ndër aktet universale mbi të drejtat e njeriut që ofrojnë mbrojtje për të drejtën e bashkimit familjar të trajtuara në këtë libër janë Konventa e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të Gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të Tyre e vitit 1990, Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës e Nju-Jorkut dhe Konventa e Gjenevës mbi të Drejtat e Refugjatëve. Pjesë e rëndësishme e këtij kapitulli është dhe trajtimi i mbrojtjes së të drejtës së bashkimit familjar në aktet rajonale mbi të drejtat e njeriut, siç është Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).
Bashkimi familjar ka qenë dhe do të mbetet një nga faktorët kryesorë të migrimit dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e shtetasve të vendeve të treta. Bashkimi familjar përbën një nga arsyet kryesore të kërkesave për leje qëndrimi në hapësirën komunitare, duke u shndërruar në arsyen kryesore të hyrjes në hapësirën komunitare. E drejta e bashkimit familjar, përveç impaktit social dhe politik ka edhe një impakt ekonomik shumë të rëndësishëm, sepse përfshin edhe të drejta sociale të tjera si arsimi, shëndeti, e drejta e rezidencës etj., në kushtet e barazisë pak a shumë me qytetarin, shtetas të atij vendi.
Qëllimi i këtij libri është pikërisht analizimi i mbrojtjes së të drejtës së bashkimit familjar në nivel ndërkombëtar, komunitar dhe kombëtar. Kjo e drejtë përmban në vetvete nevojën për garanci dhe mbrojtje ligjore, sepse mbron atë që konsiderohet esenca e shoqërisë, pra familja. Gjatë analizës do të evidentojmë që regjimi juridik i bashkimit familjar i shtetasve komunitarë dhe jokomunitarë në fakt ndryshon.
Në këtë libër që po sjellim para lexuesit nuk kemi si qëllim në vetvete vetëm trajtimin e konceptit të së drejtës së bashkimit familjar, por edhe analizimin e faktorëve që ndikojnë ose pengojnë në garantimin maksimal të saj. Në kuadër të mbrojtjes së bashkimit familjar, familja komunitare është më e plotë dhe më e mbrojtur dhe përfshin jo vetëm bashkëshortin, por edhe partnerin (bashkëjetuesin) e regjistruar në gjendjen civile sipas rregullave të secilit shtet. Rregullimi ligjor i lejimit të hyrjes dhe qëndrimit të partnerëve de facto u lihet në dorë shteteve anëtare. Ky është një diskrecion i shtetit pritës dhe jo atij dërgues. Që këtu lindin problemet e unifikimit të legjislacioneve, edhe pse në realitet unifikim nuk ka. Në Bashkimin Europian e drejta e bashkimit familjar, si e drejtë themelore, parashikohet në Direktivën nr. 2003/86/KE, Mbi bashkimin familjar për shtetasit jokomunitarë që gjenden në territorin e BE-së për arsye punësimi dhe në direktivën 2004/38/KE mbi lëvizjen e lirë për shtetasit komunitarë.
E drejta e bashkimit familjar është zgjeruar gradualisht me Direktivën nr. 2004/38 të BE-së, e cila garanton lëvizjen e lirë të shtetasve komunitarë dhe Direktivën nr. 2003/86 të BE-së që sanksionon të drejtën e bashkimit familjar për shtetasit extra(jo)komunitarë. Pra, në të drejtën komunitare e drejta e bashkimit familjar është modeluar në varësi të faktit nëse subjektet që e kërkojnë atë janë shtetas komunitarë apo qytetarë të vendeve të tjera.
Qytetarët komunitarë e ushtronin të drejtën e bashkimit familjar me familjarët e tyre vetëm nëse kishin përfituar një nga liritë themelore të parashikuara nga Traktati i BE-së. Direktiva nr. 2004/38 e BE-së i akordon të drejtën e lëvizjes dhe të qëndrimit të gjithë shtetasve të Bashkimit Europian, me qëllim ushtrimin e të drejtës së bashkimit familjar të shtetasve komunitarë, me familjarët e tij, përtej legjislacionit sektorial. Direktiva konfirmon kuadrin rregullues ekzistues, duke vendosur si kusht të pashmangshëm për ushtrimin e së drejtës së bashkimit familjar, zhvendosjen e qytetarit komunitar nga një shtet në tjetrin. Gjykata e Drejtësisë në interpretimin e akteve ligjore në lidhje me të drejtën e bashkimit familjar, ka evidentuar një tendencë për të forcuar sa më shumë jetën familjare, si të qytetarëve komunitarë po ashtu edhe të atyre që vijnë nga vende të treta, jo anëtare të Bashkimit Europian.
Bashkimi familjar është një e drejtë që garantohet edhe në legjislacionin e vendit tonë. Libri ka në fokus trajtimin e mbrojtjes së të drejtës së bashkimit familjar në disa nivele për të evidentuar dhe ndihmuar në përmirësimin e kuadrit ligjor shqiptar në trajtimin e kësaj të drejte. Burimet kryesore të së drejtës për bashkim familjar dhe unitetit familjar të të huajve në vendin tonë janë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Ligji nr. 108 datë 28.03.2013 “Për të huajt”, Ligji nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar.
Legjislacioni ynë prezantohet i plotë, i qartë dhe në përputhje me standardet europiane. Në bazë të legjislacionit të brendshëm e drejta e bashkimit familjar i njihet çdo të huaji që ka hyrë dhe qëndron në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe është i pajisur me leje qëndrimi me kohëzgjatje jo më të vogël se një vit në përputhje me kuadrin ligjor. Në legjislacionin kombëtar ligji në fjalë e vë theksin më tepër në përcaktimin e procedurave të aplikimit, kërkesave dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte themelore. Megjithatë, siç do të shihet edhe në këtë libër ka disa problematika që e karakterizojnë ushtrimin e kësaj të drejte nga shtetasit e huaj që jetojnë në vendin tonë.