Aktualitet

Zgjedhjet në SHBA dhe shqiptarët këtej e andej Atlantikut

Shkruar nga Liberale

Fatos TARIFA

Mbeten vetëm pak ditë për të mësuar se cili do të jetë presidenti i Shteteve të Bashkuara për katër vitet e ardhshëm—Donald Trump apo Joseph Biden—dhe cila parti politike (demokratët apo republikanët) do të marrin shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin e Kongresit amerikan. Ndërsa për vetë amerikanët zgjedhja e presidentit, e Kongresit dhe administrata e re që do të krijohet kanë rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e tyre, për ne shqiptarët dhe për popujt e tjerë rëndësia e këtyre zgjedhjeve konsiston kryesisht në politikën e jashtme që do të ndjekë administrata e re amerikane, ndikimi i së cilës, për atë çka Amerika është dhe për çfarë ajo përfaqëson, si fuqia e vetme hegjemone e globit, është i madh thuajse në çdo rajon e në çdo vend të veçantë dhe, prandaj, nuk lë thuajse askënd të painteresuar.

Më poshtë përpiqem të shtjelloj shkurtimisht pikëmapjet e mia dhe vlerësimin tim për atë çfarë eventualisht pritet të ndodhë në politikën e jashtme amerikane nëse z. Trump rizgjidhet (larg qoftë) president i Shteteve të Bashkuara, si dhe në rast se në krye të Shtëpisë së Bardhë vjen z. Biden.

Politika e jashtme doktrinare amerikane

Së pari, dëshiroj të vë në dukje se politika e jashtme që ka ndjekur presidenti Trump gjatë katër viteve të fundit ka qenë një devijim thuajse tërësor nga parimet e politikës së jashtme të çdo administrate amerikane para tij, politikë, e cila, në periudha të ndryshme të historisë 230 vjeçare të Shteteve të Bashkuara, është frymëzuar kryesisht nga këto shkolla të mendimit politik amerikan:

(1) Realizmi tradicional, që e vë theksin në përdorimin e forcës për realizimin e interesave kombëtare dhe të objektivave të polikës së jashtme amerikane; (2) Realizmi demokratik Uillsonian, i cili thekson rëndësinë që kanë zhvillimi i demokracisë dhe balanca e fuqive të mëdha për vendosjen dhe ruajtjen e paqes e të sigurisë në botë; (3) Hamiltonianizmi, që i kushton rëndësi zhvillimit të tregtisë, si promovues i progresit të vazhdueshëm në marrëdhëniet mes shteteve; (4) Neokonservativizmi (ose Intervencionizmi), një shkollë që argumenton dobinë e promovimit të demokracisë dhe si tipar të saj ka hegjemonizmin altruist amerikan; (5) Internacionalizmi liberal, që synon transformimin e politikës së pushtetit përmes së drejtës dhe institucioneve ndërkombëtare; si dhe (6) Internacionalizmi Reganian, që i vlerëson zhvillimet ndërkombëtare nga prizmi i ngushtë i interesave amerikane, mbështetur në parimin “paqe përmes forcës” (peace through strength).

Politikën e jashtme të administratës së presidentit Trump nuk e lidh asgjë me asnjërën prej shkollave të sipërpërmendura. Ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë katër vite më parë bëri që kursi tradicional i politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të ndryshonte në një mënyrë të tillë, që pak njerëz e kishin parashikuar, edhe pse vetë z. Trump kishte dhënë me kohë sinjalet e një ndryshimi rrënjësor. Nga ky këndvështrim, “Trumpizmi”, nëse mund ta quajmë kështu, përveçse një lëvizje politike populiste për të marrë e për të mbajtur pushtetin dhe një mënyrë qeverisjeje, u bë edhe një filozofi politike që e ndryshoi radikalisht—për mendimin tim negativisht—kursin e politikës së jashtme amerikane.

Trumpizmi, një “version i xheksonianizmit për shekullin e 21-të”?

 Qysh gjatë fushatës për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u përpoq të krijonte për veten e tij imazhin e një “mishërimi modern” të presidentit Andrew Jackson (presidenti i shtatë amerikan, në vitet 1829-1837), duke e imituar atë si një “model”. Në mëse një rast, madje, Donald Trump e ka krahasuar veten me presidentin Jackson. Trump e nisi rrugëtimin e tij për në Shtëpinë e Bardhë duke besuar se, përmes një retorike populiste, ashtu si Jackson, ai do të krijonte “një lëvizje politike tërësisht të re” (fjalët e z. Trump). Më vonë, duke folur për këtë lëvizje politike, trump do të deklaronte se “asgjë e ngjashme nuk ka ndodhur [në Amerikë] qysh nga koha e Andrew Jackson-it”.

I ardhur nga jashtë establishmentit politik dhe pa asnjë përvojë politike, ushtarake ose diplomatike, Donald Trump kishte nevojë për një model, për të fshehur dhe manipuluar mediokritetin e tij në çështjet politike dhe Andrew Jackson duket se ishte shembulli më i përshtatshëm për të. Jackson, i cili gjithashtu ishte një lider karizmatik e populist, kishte shërbyer si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe i Senatit amerikan dhe si guvernator ushtarak i Floridës. Ai u bë, madje, një hero kombëtar (një farë “American Caesar”), për shkak të rolit të tij në fitoren e arritur në New Orleans, në betejën kundër forcave britanike, më 1815.

  1. Trump nuk kishte asnjë përvojë dhe asnjë meritë të ngjashme me ato të presidentit Jackson, por kjo nuk e pengoi atë që të vishte mantelin e një lideri “xheksonian”. “America First”, motoja që Trump e adoptoi si parimin nga i cili do të udhëhiqej politika e jashtme e administratës së tij, u formulua për herë të parë pikërisht nga presidenti Jackson. Trump thjesht e huazoi prej tij për ta përdorur metafizikisht, afro dy shekuj më vonë, në kushte dhe për qëllime krejt të tjera, duke e shoqëruar këtë moto me sloganin “Make America Great Again!”.

Ky slogan mund të lexohet si një mesazh i qartë i “nacionalizmit ekonomik” të administratës së presidentit Trump dhe si një shprehje antagonizmit të tij ndaj tregtisë së lirë në një botë të globalizuar e të ndërvarur si kurrë ndonjëherë. Më vonë, z. Trump do e përdorte këtë slogan për t’u “provuar” mbështetësve të tij se ndryshimi që ai solli për Amerikën ishte “më i madh sesa Revolucioni Reganian”,

Vetëm një javë pas inaugurimit të tij si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, në janar 2017, Donald Trump vendosi në Zyrën Ovale një portret të presidentit Jackson, një gjest ky po aq kundëthënës, sa edhe heqja e portreteve të dy prej presidentëve paraardhës të tij—dhe të urryer prej tij—Bill Clinton dhe George W. Bush, nga fuajeja e madhe e Shtëpisë së Bardhë. Fill pas kësaj ngjarjeje, për të provuar se ai është një “big fan” (fjalët e vetë z. Trump) i presidentit Jackson, Trump vizitoi varrin e këtij të fundit në Tennessee.

Donald Trump dhe rrethi i ndihmësve të tij më të afërt besonin se, pas një çerek shekulli që Shtëpinë e Bardhë e kishin drejtuar presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama, kishte ardhur, më në fund, një “moment xheksonian” dhe se politikat e tij do të ishin një “version i xheksonianizmit për shekullin e 21-të”. Qysh në javët e para të presidencës së z. Trump, gazetari konservator Jarret Stepman shkruante në revistën The National Interest se “Trump duhet ta modelojë politikën e tij të jashtme sipas shembullit të presidentit Andrew Jackson”. Historiani i njohur amerikan Walter Russell Mead shprehej madje se, “nëse doni të kuptoni presidencën e z. Trump, ju duhet të kuptoni presidentin e shtatë të Amerikës”. Kështu, vetë Trump dhe entourage i tij u përpoqën që të krijojnë idenë se “Andrew Jackson është kthyer në Shtëpinë e Bardhë”.

Duke u përpjekur të shpjegojë thelbin e filozofisë politike të presidentit Trump, një autor i njohur e cilëson atë jo si një anormalitet, por si një “pasojë bashkëkohore të traditës xheksoniane” pasi, në thelbin e vet, Trumpizmi është “anti-elitist, anti-urban dhe racist”, tipare këto që kanë karakterizuan edhe presidencën e Andrew Jackson-it.

Për ata lexues që nuk e dinë, reputacioni i presidentit Jackson në dekadat e fundit është dëmtuar shumë për shkak të racizmit të tij (jo thjesht si pronar skllevërisht), por kryesisht për shkak të rolit të tij si president—përmes atij që njihet si “Indian Removal Act” (1830)—në dëbimin e dhunshëm në perëndim të Lumit Misisipi të dhjetra mijëra banorëve indigjenë nga tokat e tyre, duke vrarë shumë prej tyre në një mënyrë që, “sot, pothuajse me siguri, do të konsiderohej një akt genocidi”.

Andrew Jackson mundi të bëhej president i Shteteve të Bashkuara përmes një “revolucioni politik” që evokonte interesat e njerëzve të zakonshëm (common men), edhe pse me “njerëz të zakonshëm” ai nënkuptonte vetëm amerikanët e bardhë, jo zezakët (në atë kohë ende skllevër) dhe banorët indigjenë të Amerikës. Këta të fundit nuk ishin pjesë e konceptit xheksonian mbi kombin amerikan.

Ky lloj populizmi ksenofobik etno-nacionalist dhe nativizmi protestant, reminishent i nacionalizmit Xheksionian, u bë një prej shtyllave të politikës së z. Trump, i cili kërkoi dhe gjeti mbështetje kryesisht në radhët e së djathtës së krishterë dhe, sidomos, mes evangjelistëve të bardhë, si shtresat më konservatore të shoqërisë amerikane. Kjo ka bërë që Trump të akuzohet për white supremacism, pra si racist, dhe ai vetë nuk është shqetësuar që ta përgënjeshtrojë këtë.

Gjatë katër viteve të presidencës së tij, por veçanërisht gjatë fushatës së fundit presidenciale në garë me z. Biden, dallimet racore dhe diskriminimi për shkak të racës në Amerikë u bënë një çështje politike tepër e nxehtë, siç nuk kanë qenë ndoshta qysh prej viteve 1960.

Nisur nga koncepti xheksonian që e shihte “kombin” amerikan si një komb të viktimizuar nga “armiqtë e tij jo të bardhë” dhe nga politikanë të dobët, Donald Trump e instrumentalizoi çështen e racës në një mënyrë të paskrupullt, së pari duke përhapur dyshime lidhur me çertifikatën e lindjes të paraardhësit të tij, presidentit të parë afro-amerikan Barack Obama, si dhe duke vënë shenjën e barazimit mes fesë islame dhe besimtarëve të saj me terroristët dhe ISIS, duke i quajtur emigrantët meksikanë “vrasës” dhe “përdhunues”, ose duke i cilësuar vendet e Afrikës si “asshole countries” etj. Në fjalën e tij të parë si president para dy dhomave të Kongresit amerikan (mars 2017), z. Trump përdori një zhargon xheksonian duke i përshkruar vendet myslimanë si vende “barbarë, që nuk njohin ligje dhe që kanë vrarë myslimanë e të krishterë, burra, gra dhe fëmijë të të gjitha besimeve”.

Në një plan personal, Trump duket se ka imituar—dhe mishëron—tiparet më negative të personalitetit të presidentit Jackson. Donald Trump, njëlloj si Andrew Jackson, lexon pak. John Quincy Adams, një diplomat kozmopolit dhe presidenti në detyrë që Andrew Jackson e mundi në zgjedhjet e vitit 1828, e cilësonte këtë të fundit si “barbar”. Trump, njëlloj si Jackson, ka një mënyrë autoritariste sjelljeje dhe drejtimi në krye të administratës amerikane, arsye kjo për të cilën, në kohën e tij, Jackson u vizatua si një karikaturë politike me diçiturën “King Andrew the First” (Mbreti Andrew I), i paraqitur si një monark që nuk pyet për kushtetutën.

Njëlloj si presidenti Jackson në kohën e tij, z. Trump mburret dhe betohet për çdo gjë, ndërkohë që, po njëlloj si Jackson, Trump i fyen kundërshtarët e tij politikë dhe u kërkon bensikëri pa kushte të gjithë atyre që shërbejnë në administratën e tij. Po kështu, njëlloj si Jackson, i cili, në vitin 1831 i shkarkoi të gjithë anëtarët e kabinetit të vet për të krijuar, me miqtë dhe këshilltarët e tij, një kabinet të ri, i njohur si “kabineti i kuzhinës” (Kitchen Cabinet), Donald Trump e mbushi Shtëpinë e Bardhë me anëtarë të familjes së tij dhe me miq personalë.

Politika e jashtme amerikane: Trump vs. Biden

Ndërsa në politikën e brendshme “Trumpizmi” mund të konsiderohest si një version tipik amerikan i dukurisë së zgjerimit të forcave të djathta, të populizmit nacionalist dhe të demokracisë joliberale që vihet re në shumë rajone të botës, veçanërisht në Europë dhe slogani i tij “Make America Great Again” mund të thuhet se është një “teologji politike për amerikanët e bardhë”, sa i përket politikës së jashtme të z. Trump, motoja xheksoniane e tij “America First” nënkupton një qëndrim të njëanshëm, unilateral, në marrëdhëniet me vendet aleatë dhe partnerë të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në kontekstin e marrëveshjeve e traktateve ndërkombëtarë dhe të obligimeve ndaj vendeve aleatë.

Në mëse një rast presidenti Trump ka dëshmuar mungesë të theksuar respekti dhe arrogancë në marrëdhëniet me Kanadasë dhe me partnerët dhe aleatët europianë të Shteteve të Bashkuara, vende anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Europian, ndërkohë që nuk ka hezituar të shprehet me simpati për liderë autokratë, si presidenti rus Vladimir Putin (“një njeri shumë i respektuar brenda dhe jashtë vendit të tij”—fjalët e z. Trump), presidenti kinez Xi Jinping, të cilin Trump e ka cilësuar si një “friend” dhe një “gentleman”, ose presidenti koreanoverior Kim Jong Un, me të cilin Trump është shprehur se “ra në dashuri” qysh në takimin e tij të parë me të.

Nuk ka dyshim se presidenti Trump dhe politikat e tij i kanë dëmtuar kredibilitetin dhe ndikimin e Shteteve të Baskuara në një botë të trazuar, në të cilën lidershipi amerikan është i domosdoshëm. Nëse Donald Trump do të rizgjidhet president i Shteteve të Bashkuara, politika e jashtme e administratës së tij të re do të mbetet ajo e vjetra; pak gjasa ka që ajo të ndryshojë.

Nëse në krye të Shtëpisë së Bardhë zgjidhet Joe Biden, të gjitha gjasat janë që politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara do të rikthehet në parimet e “Doktrinës Obama”. Edhe pse vetë Obama deklaronte se ai ishte një president “anti-doktrinar” dhe se “në politikën e jashtme ai nuk besonte në abstraksione”, në fakt, “doktrina” e tij, sa i përket politikës së jashtme, mbështetej në disa parime, të cilat favorizonin (a) lidershipin politik dhe ekonomik amerikan vis-a-vis dominimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara; (b) reduktimin dhe rishpërndarjen e përgjegjësive ushtarake globale të Amerikës dhe (c) një strategji që kombinonte elementët e presionit e të balancimit në vend të supremacisë.

Shkurt, nëse Joe Biden zgjidhet president (çfarë unë personalisht besoj se do të ndodhë dhe e dëshiroj të ndodhë), unë besoj se ai do të ndjekë një polilitikë të jashtme të ngjashme me atë të presidentëve Bill Clinton (kur Biden, si demokrat, ishte anëtar i Senatit amerikan) dhe Barack Obama, në administratën e të cilit ai shërbeu për tetë vite me radhë, si Zëvendës President. Veçse, ndryshe nga Obama—dhe thuajse njëlloj si presidenti Clinton—unë besoj se z. Biden do të adoptojë një qëndrim më shumë eurocentrik sesa kinocentrik.

Siç është shprehur vetë z. Biden, politika e jashtme e administratës së tij do të synojë, “pa humbur kohë”, “të rimëkëmbë reputacionin” e Shteteve të Bashkuara, “të ringjallë besimin në lidershipin amerikan” dhe “të mobilizojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj për t’u përballuar me sfidat e reja” globale të kohës sonë. Biden ka deklaruar se politika e tij e jashtme “do i ulë Shtetet e Bashkuara në krye të tryezës, duke bashkëpunuar me aleatët dhe partnerët e saj për të mobilizuar verprime kolektive ndaj rreziqeve globale”. Në dallim nga presidenti Trump, Joe Biden beson se, si “një aleancë vlerash, që e bën atë shumë më të qëndrueshme, më të besueshme e më të fuqishme sesa partneritetet e krijuara përmes forcës dhe parasë”, “NATO është esenciale për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe mbrojtëse e idealeve të demokracisë liberale”.

Administrata amerikane, Ballkani dhe shqiptarët

 Fakti se cili prej dy kandidatëve për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë do të fitojë në zgjedhjet e 3 nëntorit këtë vit do të përcaktojë marrëdhëniet dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në raport me fuqitë e mëdha të globit, në radhë të parë me Bashkimin Europian, me Kinën dhe me Rusinë, por edhe me fuqi të tjera të mëdha ekonomike e politike, si Japonia, India, Kanadaja, Brazili, Irani etj.

Ballkani është një rajon, i cili nuk është më në radarin e Uashingtonit si 20 vite më parë, kur Shtetet e Bashkuara udhëhoqën fushatën e sulmeve ajrore kundër forcave të Slobodan Milosheviçit dhe e çliruan Kosovën nga sundimi serb. Uashingtonin e shqetësojnë vërtet influenca e Rusisë në Ballkan dhe eventualiteti i penetrimit rus në këtë rajon, por ky rajon nuk ka për Shtetet e Bashkuara atë rëndësi që kanë rajone të tjerë volativë në globin e sotëm, si Lindja e Mesme, ose Azia Qendrore (rajon të cilin Zbigniew Brzezinski e ka cilësuar si “Ballkanin e ardhshëm global”, apo si rajoni rreth Detit të Kinës Jugore etj.

Duhet të kuptojmë se, në një botë kaq të globalizuar si kjo e sotmja, një tipar esencial i së cilës është bërë integrimi dhe ndërvarësia ekonomike, teknologjike, kulturore e politike mes vendeve dhe rajoneve të ndryshëm të saj, rivalitetet mes fuqive të mëdha për të ushtruar ndikimin e vet janë të natyrshëm. Shtetet e Bashkuara, sigurisht, janë të vëmendshme dhe mbeten të interesuara për Ballkanin, por unë mendoj se ndikimi i së vetmes superfuqi në kohën tonë në këtë rajon nuk mund të rivalizohet dot seriozisht nga ndikimi i Rusisë apo i Kinës.

Edhe nëse Rusia mund të konsiderohej si “protektori ushtarak” i Serbisë, ky nuk është një zhvillim i ri dhe Serbia është qartazi një vend që, duke refuzuar t’i bashkohet NATO-s, aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Sa për ndikimin ekonomik të Kinës në rajonin tonë, unë mendoj se ky është një zhvillim që nuk duhet të shqetësojë askënd nga vendet e këtij rajoni dhe, aq më pak, Shtetet e Bashkuara. Ekonomia dhe tregtia sot janë bërë globale dhe investimet ekonomike nuk përkthehen kudo e kurdoherë domosdo në influencë politike. Në fund të fundit, Ballkani është një treg i vogël për ekonominë e dytë më të madhe të globit.

Së fundmi—dhe kjo ka më shumë rëndësi në kontekstin shqiptar—ndryshe nga presidenti Trump, për të cilin Ballkani ka qenë deri vonë—dhe unë mendoj se, në një kuptim real të fjalës, vazhdon të jetë—një terra incognita, për z. Biden Ballkani dhe shqiptarët janë një rajon dhe një popull që ai i njeh mirë dhe në marrëdhënie me të cilët ai ka një rekord të pasur e shumë pozitiv. Duke parë interesimin e madh që tregojnë shumica e shqiptarëve për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, nëse fjala “tifozllëk” për këto zgjedhje bën ndonjë farë kuptimi, unë, pa as më të voglin hezitim, do të thoja se në interes të shqiptarëve është që të bëhet “tifozllëk” për z. Biden.

Edhe nëse ka njerëz që i njohin presidentit Trump meritën se ai i uli së bashku për bisedime, në Zyrën Ovale, presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës për të zgjidhur disa mosmarëveshje mes tyre, kjo ishte më shumë një ceremoni që i shërbeu kryesisht vetë z. Trump si një sipërmarrje në “public relations”, se sa popujve të të dy vendeve që u përfaqësuan në atë takim. Sa i përket njohjes së Kosovës nga Shteti i Israelit, një veprim ky i ndërmejtësuar dhe i shpallur në atë takim nga z. Trump, kjo, edhe pse një ngjarje e rëndësishme, nuk mendoj se ka atë rëndësi që i japin disa.

[caption id="attachment_1167711" align="aligncenter" width="1170"] The White House in Washington DC with waving United States flag[/caption]

Zgjedhjet në Amerikë dhe diaspora shqiptare në atë vend

Në Shtetet e Bashkuara jeton sot pjesa më e madhe e diasporës shqiptare. Sidoqoftë, pavarësisht përpjekjeve të tyre (kryesisht gjatë këtyre 20 viteve të fundit) për t’u organizuar si një komunitet homogjen e solid për të promovuar dhe avancuar interesat e veta, shqiptarët e Amerikës nuk kanë arritur të veprojnë si një “lob” vërtet serioz në atë vend, siç janë lobi hebre, ai irlandez, lobi kuban, ai grek apo armen. Disa organizata e shoqata të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje dhe kanë arritur të ndikojnë deri diku në radhët e ligjvënësve amerikanë, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan (ku prej vitesh ekziston edhe një Grup i Çështjeve Shqiptare (Albanian Issues Caucus, i cili figuron më shumë si emër se sa është një grup aktiv), si dhe te disa anëtarë të Senatit dhe shumë më pak në Shtëpinë e Bardhë dhe në Departamentin e Shtetit.

Ndikimi i “lobit shqiptar” duket se bëhet më i ndjeshëm në periudha fushatash elektorale, kur vendoset se cili do të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara dhe cilët kandidatë nga shtetet ku jeton pjesa më e madhe e disporës shqiptare (New York, Connecticut, New Jersey, Massachusetts, Michigan, Pennsylvania dhe Illinois) do të zgjidhen në Kongresin Amerikan. Duhet thënë, sidoqoftë, se diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është shumë e fragmentarizuar politikisht, më shumë madje edhe se shqiptarët që jetojnë në të dy shtetet shqiptarë në Ballkan: në Shqipëri dhe në Kosovë.

Historikisht—të paktën për aq kohë sa unë mbaj mend, nga viti 1996, kur jetoja në Shtetet e Bashkuara dhe kur në garën presidenciale mes presidentit Bill Klinton (për mandatin e tij të dytë) dhe kandidatit republikn Bob Dole—drejtuesit e diasporës shqiptare (kryesisht shqiptarë nga Mali i Zi, nga Kosova dhe nga Maqedonia), kanë financuar dhe mbështetur kandidatët e të dyja partive, demokratë dhe republikanë. Këtë kanë bërë dhe bëjnë edhe sot, si pragmatistë që janë, në mënyrë që të sigurojnë sado pak mbështetje nga cilado palë që fiton.

Sidoqoftë, unë mendoj se në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, çështja nuk shtrohet nëse do të zgjedhësh mes një kandidati republikan dhe një tjetri që është demokrat. Sot, për shqiptarët e Amerikës, çështja shtrohet të zgjedhësh mes z. Trump—të cilin nuk e duan shumica e amerikanëve dhe për të cilin shqiptarët e Amerikës nuk kanë ndonjë arsye të veçantë (aq më pak bindje ideologjike) që ta mbështesin—dhe z. Biden, njohja dhe marrëdhëniet e të cilit me Ballkanin (dhe me shqiptarët) dhe kontributi i të cilit për këtë rajon dhe për kombin tonë janë fakte të njohur botërisht, sidomos për disporën e përçarë shqiptare në Shtetet e Bashkuara. /DITA

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH