Sociale

Kardiologët japin alarmin: Konsumi i alkoolit po rritet mes të rinjve

Shkruar nga Liberale.al

Kardiologët japin alarmin: Konsumi i alkoolit po rritet mes të rinjve

Gjatë këtij sezoni veror, urgjencat mjekësore po përballen gjithnjë e më shumë me raste të të rinjve që mbërrijnë të dehur. Sipas kardiologut Aurel Demiraj, përdorimi i alkoolit nga adoleshentët dhe të rinjtë ka kaluar çdo kufi logjik dhe po kthehet në një problem serioz shëndetësor.

"Numri i të rinjve të dehur është në rritje. Alkooli po përdoret në mënyrë të pakontrolluar nga moshat e reja," tha Dr. Demiraj për RTSH.

Çfarë ndodh kur pihet alkool në temperatura të larta?

Sipas mjekut, në temperatura të larta trupi dehidratohet, dhe kur mbi këtë gjendje shtohet edhe alkooli, pasoja mund të jenë shumë të rënda. Zemra detyrohet të punojë më shumë për të balancuar mungesën e lëngjeve dhe gjakut në organet e brendshme.

"Pasojat mund të shkojnë nga rënia e tensionit e deri te humbja e ndjenjave apo dhe gjendje më të rënda, si mungesë gjaku në tru," shpjegon mjeku.

Vetëbesimi i rremë dhe rreziku në rrugë

Alkooli gjithashtu ul përqendrimin dhe jep një ndjesi të rreme vetëbesimi, që shpesh çon në aksidente fatale, veçanërisht te të rinjtë që drejtojnë makina me shpejtësi të lartë.

"Alkooli të jep idenë se mund të bësh gjithçka, por në fakt, të shtyn drejt rrezikut," thekson Dr. Demiraj.

Edhe birra, nëse pihet shumë, të deh

Shumë të rinj mendojnë se birra nuk është e rrezikshme, por edhe ajo mund të çojë në dehje nëse konsumohet në sasi të mëdha.

"Ka raste kur kemi parë pacientë që kanë pirë një arkë me birrë për disa orë dhe kanë përfunduar në urgjencë," rrëfen mjeku.

Këshilla për të gjithë – sidomos për të rinjtë

Dr. Demiraj apelon për kujdes dhe shmangie të alkoolit, sidomos gjatë ditëve të nxehta.

"Alkooli nuk është domosdoshmëri. Uji dhe hidratimi janë më të rëndësishëm, veçanërisht për të rinjtë. Parandalimi është çelësi. Do të doja të merrja rrogën pa pacientë. Sepse për ne, çdo rast është stres. Për familjarët, gjithashtu," përfundon ai.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH