Arsimi po orientohet gjithmonë e më shumë nga profesioni. Në 10 vitet e fundit niveli i të diplomuarve në popullatën e BE-së është rritur ndjeshëm, ndërsa Shqipëria, një vend kandidat, paraqitet në një nivel të përafërt siç tregojnë shifrat zyrtare. Por hapi cilësor që ndikohet së pari nga shpenzimet publike në arsim është shumë larg objektivit (Rreth 3 për qind në Shqipëri nga 4.6 në BE). Në renditjet ndërkombëtare, renditja e universiteteve shqiptare mbetet larg jo vetëm nivelit të BE-së, por edhe në rajon lë shumë për të dëshiruar.
Që të pretendosh për t’u punësuar në profesione si filozof, sociolog, psikolog, teolog etj, pa ditur se cilat janë nevojat e tregut të punës duhet të kesh durim për të mësuar fatin në një treg të orientuar nga teknologjia dhe që po bëhet gjithnjë e më i ashpër nga konkurrenca.
Në vitin 2014, pak më shumë se një e katërta (26%) e qytetarëve të BE-së të moshës 25-74 vjeç kishin përfunduar arsimin e lartë. Deri në vitin 2024, kjo përqindje ishte rritur në 33.5%.
Irlanda, Luksemburgu dhe Qiproja kryesojnë listën, me më shumë se 60% të të rriturve të rinj (25-34 vjeç) që kanë diploma universitare. Rumania ndodhet në anën tjetër të spektrit, me më pak se 30% të asaj grupmoshe që ndjekin nivele më të larta arsimi, shkalla më e ulët në BE.
Shifrat zbulojnë ndryshimin e qëndrimeve ndaj arsimit ndër breza. Ndër të rriturit e moshës 25–54 vjeç, 82,7% kanë përfunduar të paktën arsimin e mesëm të lartë, krahasuar me 70,4% të atyre të moshës 55–74 vjeç.
Të rinjtë kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të kenë përfunduar arsimin e lartë (39.8%) sesa homologët e tyre më të vjetër (23.9%).
Dallimet në kualifikimet profesionale midis grup-moshave ndryshojnë ndjeshëm sipas vendit. Në Luksemburg, si tek brezat më të vjetër ashtu edhe tek ata më të rinj me nivele të mesme arsimimi, dominojnë rrugët profesionale (mbi 96%).
Në Portugali, vetëm 13.5% e të rriturve të moshuar me arsim të nivelit të mesëm kanë një kualifikim profesional, krahasuar me 37.2% të të rriturve më të rinj.
Kapërcime të ngjashme brezash në përvetësimin e arsimit profesional vërehen në Greqi, Irlandë, Qipro dhe Spanjë, duke sinjalizuar një ndryshim më të gjerë evropian drejt arsimit të fokusuar në aftësi dhe zotësi ose e thënë ndryshe në një profesion që kërkohet në treg.
Në të gjithë Evropën, gratë po i tejkalojnë burrat në arritjet arsimore.
Në vitin 2024, gati gjysma (49.9%) e grave të moshës 25–34 vjeç kishin përfunduar arsimin e lartë.
Meshkujt gjithashtu përparuan, por më ngadalë, duke arritur në 38.7% në të njëjtën grupmoshë. Ky hendek u zgjerua me pak më shumë se 1% në 10 vjet.
Për arsimin e mesëm, 86,8% e grave të moshës 20-24 vjeç kishin përfunduar të paktën këtë nivel, krahasuar me 81,8% të burrave.
Vetëm në Rumani burrat i tejkalonin paksa gratë.
Niveli i të arsimuarve në Shqipëri
Të dhënat e fundit në vendin tonë tregojnë se përqindja e analfabetizmit ka rënë nga 4.1% në vitin 2011 në 3.2% në vitin 2023. Më shumë se gjysma e popullsisë, afro 55% ka përfunduar arsimin e mesëm ose të lartë; Meshkujt që përfaqësojnë 57.9% dhe femrat 52.1% të këtij grupi. Përkatësisht, arsimin e mesëm të ulët e kanë përfunduar 38.8% e popullsisë, dhe 34.8% kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, i cili konsiderohet si niveli minimal që ndihmon individët të kenë një pjesëmarrje të plotë në shoqëri.
Në harkun kohor të 12 viteve vihet re se ka një rritje të dukshme në përqindjen e popullsisë me arsim të lartë (universitar dhe pasuniversitar), nga 10.7% në vitin 2011 në 20.2% në vitin 2023. Ndër ata me arsim të lartë, 55.7% janë femra dhe 44.3% janë meshkuj. Përqindja e femrave me arsim të lartë ka qenë në rritje të vazhdueshme, nga 41.1% në vitin 2001 në 51.% në vitin 2011 dhe 55.7% në vitin 2023.
Në grupmoshën 25-34 vjeç, 43.2% kanë përfunduar arsimin universitar dhe pasuniversitar, duke u krahasuar pothuajse në të njëjtin nivel me popullsinë e BE-së për këtë grupmoshë (43.1%) dhe vetëm 1.8 pikë përqindje më pak se targeti i BE-së prej 45% për vitin 2030. Për të njëjtën grupmoshë, 32.9% kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe 23.7% kanë përfunduar arsimin bazë. Ndër të arsimuarit që kanë ndjekur studimet universitare rezulton se dominon gjinia femërore me 53%.
Shpenzimet publike për arsimin ishin 4.6% e PBB-së së BE-së, sipas të dhënave të fundit zrtare të Komisionit Europian.
Shpenzimet publike që shkojnë për arsimin në Shqipëri llogariten në 3.1 për qind të PBB-së (2025 nga 2.9 që ishin pak vitr më parë), ndërsa vëmendja për kërkim shkencor thuajse është në nivel zero.
Në vitin 2022, shpenzimet publike për arsimin (nga niveli parashkollor në atë terciar) në BE përbënin 4.6% të produktit të brendshëm bruto (PBB). Kjo shifër përfaqëson një rënie prej 0.3 pikësh përqindjeje (pp) nga viti i kaluar dhe 0.4 pikë përqindjeje nga viti 2020 (5.0%), viti me nivelin më të lartë të shpenzimeve publike për arsimin që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 2012.
Nëse shqyrtohen shpenzimet në nivele të ndryshme arsimore, siç përcaktohet nga Klasifikimi Standard Ndërkombëtar i Arsimit (ISCED), pjesa më e madhe e shpenzimeve për arsim iu nda arsimit të lartë (1.2% e PBB-së) dhe pjesa më e vogël arsimit parashkollor (0.6%).
Niveli më i lartë i shpenzimeve publike për arsim në raport me PBB-në midis vendeve të BE-së u vu re në Suedi (6.9%), e ndjekur nga Belgjika (6.2%) dhe Finlanda (5.9%). Nivelet më të ulëta u regjistruan në Rumani (2.9%), Kroaci (3.1%) dhe Greqi (3.4%).