Nga SHBA ku mori pjesë në aktivitetin e organizuar për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrotjen e Hebrenjve, kryeministri Edi Rama vecoi unitetin mes komuniteteve fetare, si një bekim që vendi ynë gëzon, e që tashmë tha ai është i rrënjosur në ADN-në tonë
“Ky ishte natyrisht edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë. Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrojtjes nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë, që të mos bjerë pre e përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore.
Dua të theksoj një detaj që do ta bëjë më të lehtë pjesën e dytë të fjalës sime. Mes të tjerave, z. Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë.
Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi. Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm.
Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare nuk është një shfaqje për publikun; është i rrënjosur në ADN-në tonë. Ai pasqyron një “mirëkuptim” dhe “mirëqenie” fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar – një bekim që e gëzojmë.
Shqipëria ka qenë gjithmonë kështu dhe kjo shpjegon edhe faktin pse kemi qenë të aftë të zbatojmë politika paqeje, dialogu dhe tolerance me fqinjët tanë dhe pakicat brenda territorit tonë, të cilat kurrë nuk kanë vuajtur nga ndonjë lloj diskriminimi etnik.
Shqipëria qe vendi i parë në Europë, që, në vitin 1932, kur antisemitizmi ishte në rritje, njohu me ligj të drejtën e komunitetit hebre për të kremtuar Sabatin. Gjatë Holokaustit, kur udhëheqësi nazist, Hermann Neubacher, thirri krerët fetarë e politikë në vitin 1943, në Berlin, për të kërkuar një listë të hebrenjve dhe floririn e tyre, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën: “Floririn mund ta merrni, ata jo”. Edhe disa seanca negociatash nuk i bënë të ndërronin mendje: “Floriri është i juaji, merreni, hebrenjtë janë tanët e do t’i mbrojmë!” Vazhdojmë të jemi kështu edhe sot “ tha Rama.