Politikë

Djegia e karrigeve, reagon Spiropali: Dhuna e ka kthyer Kuvendin në një skenë krimi

Shkruar nga Liberale

Djegia e karrigeve, reagon Spiropali: Dhuna e ka kthyer Kuvendin në

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, shprehu keqardhje pas seancës së sotme parlamentare.

Në një reagim në rrjetet sociale ajo u ndal tek karriget e djegura nga deputetët e opozitës. Sipas Spiropalit, djegia e tyre dëshmon nivelin e mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik.

““Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik”, shkruan Spiropali.

Kryeparlamentarja thotë se aktet e dhunës brenda sallës e kanë kthyer Kuvendin në skenë krimi për t’u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese.

“Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në këqyrje nga organet ligjzbatuese”, shkruan Spiropali.

Kujtojmë se seanca e sotme parlamentare nuk zgjati shumë për shkak të aksionit të opozitës. Demokratët dogjën karriget dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës në shenjë proteste kundër burgosjes së ish-deputetit Ervin Salianji.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH