Ekonomi

Tirana, qyteti i pestë më i shtrenjtë në Europë për të blerë një apartament

Shkruar nga Liberale

Tirana, qyteti i pestë më i shtrenjtë në Europë

Çmimet e larta të apartamenteve dhe të ardhurat e ulëta të shqiptarëve vijojnë ta rendisin Tiranën në pesë qytetet më të shtrenjta të Europës për blerjen e një banese.

Sipas të dhënave Numbeo-s për 2024, për të blerë një apartament në Tiranë nevojiten 15.3 vite, ndërsa në qytetin më të shtrenjtë të Europës, Lisbonën, një familjeje i nevojiten 19.5 vite për t’u bërë pronare e një prone.

Në indeksin e Numbeo-s, për 293 qytete në botë për indeksin e përballueshmërisë së blerjes së një apartamenti deri në mesin e vitit 2024 (llogaritet si raport i çmimeve mesatare të apartamenteve me të ardhurat mesatare të disponueshme familjare, të shprehura si vite të ardhurave) Tirana renditet ndër shtetet europiane me apartamentet më të shtrenjta.

Krahasuar me një vit më parë, indeksi i përballueshmërisë së blerjes së pronës për Tiranën ka qenë më i lartë, përkatësisht 17.5 vite. Ndërsa për vitin 2022, ishte 15.7 vite kurse në indeksin e vitit 2021, 16.2 vite.

Në vitin 2024, qyteti më i shtrenjtë në Europë është Lisbona me 19.5 vite, e ndjekur nga Parisi dhe Spliti me 17.8 vite. Pas tyre vjen Milano me 16.3 vite. Pas Milanos, Tirana vijon të mbetet për apartamentet më të shtrenjta në Europë.

Në vitin 2023, qyteti më i shtrenjtë në Europë ishte Parisi me 20.2 vite, i ndjekur nga Lisbona me 19.6 vite, Dubrovniku dhe Praga me 19.3 vite dhe Milano me 19 vite. Pas Milanos, renditej Tirana me 17.5 vite.

Në renditjen botërore për vitin 2024, Tirana renditet në vendin 64, para Mynihut ku një familje për t’u bërë pronare në këtë qytet i nevojiten 15.2 vite, në Londër 14.9 vite, në Romë dhe Vjenë 14.2 vite, në Nju Jork, 13 vite, dhe Montreal të Kanadasë, 10.9 vite.

Beogradi vijon të mbetet ndër qytetet më të shtrenjta në rajon. Një familje i nevojiten 19 vite për t’u bërë pronare. Në rajon, qyteti ku familjeve u duhet më pak vite të ardhura për të blerë një apartament është Shkupi, ku ky tregues është 13.8 vite, dhe në Sarajeva, 13.6 vite.
Qyteti më i shtrenjtë në botë për të blerë një apartament është Xiamen në Kinë përkatësisht me 48.1 vite.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH