Aranit Muraçi
Objektivi i numrit të turistëve, nga 10.5 milion që ishte në vitin 2023 duhet të shkonte në 15 milionë për 2024, në pritje të shifrave zyrtare, në mos është tejkaluar, është arritur ose ka shkuar rreth shifrës që u përcaktua nga qeveria.
Të dhënat zyrtare treguan se 4.5 milionë turistë të huaj hynë në Shqipëri vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024 ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Vetëm muaji qershor solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19,1% më shumë se qershori i vitit 2023. Duke marrë në konsideratë faktin se kulmi arriti në muajt korrik-gusht dhe shtator, Shqipërinë për vitin 2024 e vizituan mbi 10 milionë turistë të huaj. Pjesa tjetër janë shqiptarët të cilët jetojnë dhe punojnë, por kthehen që t’i kalojnë pushimet në vendlindje.
Shqipëria turistike në fakt është njëra anë e medaljes në ekonomi. Turizmi siç dihet është degë e rëndësishme e ekonomisë së shumë prej vendeve të Mesdheut, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Turizmi i sjell para ekonomisë, gjallëri shoqërisë. Shqipëria bëhet edhe më e njohur dhe e respektuar ndërkombëtarisht. Në plan të parë duket se më mirë është për ekonominë kur mbërrijnë më shumë turistë. Në fakt, ashtu është. Nëse do të ishte e kundërta, nuk do të ishte një industri kaq fitimprurëse.
Dhe këtu qëndron ajo që duhet të ketë më shumë rëndësi. Çfarë turizmi po zhvillon Shqipëria dhe çfarë turistësh po tërheq vendi ynë.
Nga numri rekord i të huajve që vizituan Shqipërinë në vitin 2024, turistët rezulton të kenë shpenzuar më pak. Kjo shpjegohet me faktin se Shqipëria është reklamuar si një destinacion i lirë dhe prandaj tërheq përgjithësisht turistë të varfër. Edhe pse numri i vizitorëve është rritur shumica e restoranteve dhe bareve të Tiranës thonë se xhiroja e tyre mund të jetë përkeqësuar. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se ishin dyqanet me pakicë ata të cilët shitën më shumë, duke lënë kështu pas baret dhe restorantet. Çka tregon se në Shqipëri vijnë turistët ekonomikë dhe kursimtarë.
Ajo që vihet re në vendin tonë është se konsumi nuk ka njohur ndonjë rritje të jashtëzakonshme ose nuk ka reflektuar fluksin e turistëve. Një kërkesë më e lartë ka ndikuar në rritje të inflacionit, duke pasur ndikim veçanërisht te shporta e ushqimeve. Ndërsa nga ana tjetër edhe çmimet e qirave kryesisht janë rritur duke dëmtuar xhepat e qytetarëve vendas.
Ana tjetër e medaljes janë pasojat negative që vijnë pret turizmit, që ndikon në jetën e popullatës vendase veçanërisht kur fluksi i turistëve i tejkalon pritshmëritë. Bumin turistik pas pandemisë e kanë përjetuar thuajse të gjitha vendet turistike, veçanërisht Greqia, Italia dhe Spanja. Në disa prej zonave më të frekuentuara për të ndalur fluksin e përballueshëm janë vendosur taksa të tjera hyrjeje si në Venecia, Santorini apo Ibiza.
Në një artikull të fundit “The Economist” parashikon se epoka pas pandemisë, ajo “overturizmit” ose e fluksit të turistëve do të qetësohet në vitin 2025. Tendencat e udhëtimeve do të kthehen në nivele më normale parashikon revista prestigjoze ndërsa Shqipëria bën pjesë ndër vendet me fluksin më të lartë të turistëve. Kjo do të thotë se në vitet e tjera, Shqipëria nuk do të njohë më rritjen pas kulmit që arriti këtë vit. Ose rritja do të jetë e papërfillshme.
Më tepër se rritja, rëndësi, ashtu si në vendet e tjera, duhet të marrin prioritet e turizmit nga njëra anë dhe nga ana tjetër dëmet që sjell një i tillë. Fluksi i turistëve, në Spanjë, Francë, Greqi dhe kudo, nuk është pritur dhe nuk është interpretuar njësoj si në Shqipëri.
Njerëzit në vendet e tjera të Europës ankohen gjithmonë e më shumë sepse nga ardhja e turistëve po shkaktohen bllokime dhe ndotje, duke rritur kostot e strehimit dhe duke anuar prioritetet e zhvillimit larg nevojave të vendasve.
Shumë qytetarë në Greqi, Itali, Kroaci, Spanjë, Francë, Holandë dhe kudo ku ka pasur fluks turistësh po bëjnë thirrje që autoritetet të bëjnë diçka për të frenuar turizmin. Vetëm në Shqipëri ndodh që qeveria iu gëzohet shifrave të turistëve çdo vit, qytetarët nuk ankohen, kurse analistët janë “arratisur” në drejtim të paditur.
Prandaj edhe sfidë e turizmit për 2025 nuk është numri, por adresimi dhe zgjidhja e duhura e problematikave që sjell një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë.