Është ky plani dhe vendimi i qeverisë që do të ndërmerret në 5 vitet e ardhshme i publikuar në Dokumentin Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025–2030.
Rreth 720 mijë pensionistë kishte në fund të vitit 2024. Ndërsa numri i pensionistëve po rritet dhe pritet të rritet edhe më shpejt në vitet në vijim, rritja ekonomike si dhe kontributet që derdhen nuk japin shpresë për rritje reale. Megjithatë përmes politikave fiskale, shtrënguese dhe bujure, pensionistëve mund t’iu sigurohet një pension më i mirë.
Qeveria planifikon të rrisë pensionin mesatar në qytet nga 18 mijë e 341 lekë që është aktualisht në mbi 27 mijë e 511 lekë. Ndërsa në fshat do të arrijë në 16 mijë e 576 lekë.
Me qëllim realizimin e kësaj mase është parashikuar mbi 95 për qind e buxhetit të dedikuar e cila do të shkojë për të garantuar pavarësinë financiare të kësaj kategorie.
Qeveria ka në plan rritje 50% të pensioneve, por dhe një pension të 13-të do të jetë i prekshëm për pensionistët deri në 2030. Për të cilin pritet t’u dedikohet fillimisht një buxhet rreth 25 milionë euro më tepër.
Por gjatë kësaj periudhe do të rritet edhe mosha e daljes në pension ndërsa do të miratohet edhe formula e indeksimit të diferencuar të pensioneve.
Ndryshimet kryesore përfshinin rritjen graduale të viteve të kontributit nga 35 në 40 deri në vitin 2025, si dhe rritjen e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.
Pas 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke shkuar në 67 vjeç për të dy gjinitë në vitin 2056.
Dokumenti parashikon investime të rëndësishme në shërbimet shëndetësore dhe sociale, përfshirë ngritjen e kapaciteteve geriatrike, dhe ndërtimin e qendrave të rehabilitimit dhe rezidenciale për të moshuarit. Do të ketë politika të posaçme edhe për pensionistët e vetmuar.