Rënia e çmimeve të energjisë dhe inputeve ndihmoi në lehtësimin e presioneve të kostove për bizneset evropiane në prill, duke i lejuar ato të mbanin më shumë punonjës.
Shkalla e papunësisë në Eurozonë ra në 6.2% në prill nga 6.3% që ishte në muajin mars, duke u përputhur me nivelin rekord të ulët të regjistruar në dhjetor 2024, sipas Eurostat.
Kjo rënie u nxit kryesisht nga lehtësimi i çmimeve të energjisë dhe inputeve të ndërmjetme, si dhe stabilizimi i inflacionit. Këto zhvillime u kanë dhënë kompanive fleksibilitet më të madh financiar, duke zvogëluar nevojën për të pushuar nga puna punëtorët, për të shamngur rënien apo edhe për të mbuluar faturat.
Krijimi i më shumë mundësive të punës përmes tranzicionit të vazhdueshëm të gjelbër dhe dixhital ka kontribuar gjithashtu në rënien e papunësisë në eurozonë.
Numri i personave pa punë ra me 207 mijë në prill krahasuar me një muaj më parë, duke e çuar totalin në 10.7 milionë. Në Bashkimin Evropian, kishte 12.9 milionë njerëz pa punë në muajin prill, që ishte një rënie prej 188,000 krahasuar me marsin 2025.
Në mënyrë të ngjashme, shkalla e papunësisë së të rinjve në eurozonë, që pasqyron kërkuesit e punës nën moshën 25 vjeç ra në një nivel të ulët katërmujor prej 14.4%, nga 14.8% në mars.
Gjermania regjistroi një nga normat më të ulëta të papunësisë në eurozonë në muajin prill, me 3.6%, ndërsa shkalla e papunësisë në Holandë ishte po ashtu e ulët, 3.8%. Nga ana tjetër, Spanja regjistroi një shkallë papunësie prej 10.9% në muajin prill, ndërsa shkalla e papunësisë në Itali ishte 5.9%. Shkalla e papunësisë në Francë ishte 7.1%.